Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka pranuar në mbledhjen e sotme kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistrates A.P., me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Hetimi disiplinor nga ILD kishte nisur pas administrimit nga Prokurori i Përgjithshëm, të praktikës së hetimit disiplinor për prokuroren A.P., për disa fakte, që lidhen me shkelje të rregullave të sjelljes në komunikimin me drejtuesin e prokurorisë, kolegët e tjerë magjistratë, si dhe personelin e administratës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për të cilën është informuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për sjellje jo etike dhe joprofesionale nga prokurorja gjatë ushtrimit të funksionit.
Hetimi disiplinor ka konkluduar se shkelja kategorizohet si “shkelje e lehtë disiplinore”, pasi nuk rezulton që të ketë sjellë pasojë, nuk lidhet me veprimtarinë profesionale të magjistrates, por është e natyrës që magjistratja duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.
Përveç mbrojtjes së interesit publik, masa disiplinore përmbush edhe dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë kuptojnë, që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.
KLP rrëzoi propozimin e ILD për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje konfidenciale”, për prokuroren A.P., të parashikuar nga neni 106 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.