KLGJ PRANON KËRKESËN E ILD PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË MAGJISTRATES M.M.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra” për magjistraten M.M., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b”  të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319/ç – 25 i Kodit Penal.

Në seancën dëgjimore, inspektorët e ILD konkluduan se magjistratja është gjetur fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Apeli, për veprime, të shkallës më të rëndë, siç janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtares, e që përbëjnë vepër penale. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, si dhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe organet e drejtësisë, të gjitha shkelje shumë të rënda disiplinore për të cilat ILD kërkoi masën e shkarkimit nga detyra, që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.