Hagë, 11 Prill 2024
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në institucionet e drejtësisë në Hagë të Mbretërisë së Holandës, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, z. Artur Kuko, prokurorja ndërlidhëse për Shqipërinë në EUROJUST, znj. Fatjona Memçaj dhe anëtarë të ekipit të ILD-së. Synimi i vizitës ishte njohja dhe shkëmbimi profesional me drejtues e përfaqësues të sistemit të drejtësisë së Holandës me praktikat më të mira të shtetit të së drejtës dhe sfidat që ka sistemi i drejtësisë, jo vetëm në vende me demokraci të re si Shqipëria, por edhe ato me demokraci të konsoliduar si Mbretëria e Holandës.
Në takimin me anëtarin e Gjykatës së Lartë, gjyqtarin Marc Fierstra, pjesë e trupës së posacme të Gjykatës së Lartë që trajton masat disiplinore ndaj magjistratëve dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës holandeze për gjyqësorin, biseda u fokusua tek nevoja për të folur për cështje të etikës së magjistratëve, tek diskutimet edhe brenda komunitetit të drejtësisë për dilema të ndryshme profesionale, e më e rëndësishmja besimi i publikut tek pavarësia e sistemit edhe ndaj pushteteve të tjera.
Z. Metani dhe z. Fierstra bashkëndanë qëndrimin se kanë të njëjtat vlera për pavarësinë dhe shtetin e së drejtës dhe se pavarësia nuk është një prerogativë e gjyqtarit a prokurorit, por një e drejtë e qytetarëve.
Eksperienca me praktikat e procedimit disiplinor ishin në qendër të takimit, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati me Prokurorin e Përgjithshëm të Gjykatës së Lartë të Holandës, z. F.W. (Edwin) Bleichrodt, si institucioni që trajton mes të tjerash, edhe shkeljet e gjyqtarëve.
Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Holandës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u prit nga presidenti i Këshillit, z. Henk Naves. Pas prezantimit reciprok të funksioneve të dy institucioneve, z. Metani dhe z. Naves u fokusuan tek cështje të besimit tek drejtësia, integriteti i magjistratëve dhe pavarësia e tyre.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati një takim edhe me Presidentin e Agjensisë Europiane për bashkëpunim në drejtësinë penale (EUROJUST), z. Ladislav Hamran. Presidenti i EUROJUST shprehu vlerësimin për arritjet e Shqipërisë në fushën e drejtësisë dhe nënvizoi vullnetin për të ndihmuar një institucion të ri si ILD-ja, me arritjet e së cilit ishte familjar. Presidenti Hamran vlerësoi kontributin e Shqipërisë në EUROJUST përmes prokurores së parë ndërlidhëse, znj. Fatjona Memcaj.
Pas falenderimeve për vlerësimet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani bëri një prezantim të funksioneve të institucionit dhe u shpreh se reforma në drejtësi ishte një traumë e madhe për shoqërinë por ishte e nevojshme dhe koha e provoi, pasi pavarësia e magjistratëve është një vlerë e cmuar e shtetit të se drejtës që po kultivohet në sistem.
Pjesë e vizitës së punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Hagë ishte edhe vizita në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, ku z. Metani u prit nga Drejtori për Evropën z. Erik Weststrate dhe ekipi i departamentit të integrimit në BE të kësaj ministrie.
Diplomati Weststrate nënvizoi se nga informacionet e marra ishte i mbresuar nga shifrat e rezultatet e përparimit të Shqipërisë, ndërsa z. Metani vërejti se me gjithë vështirësitë e natyrshme e të pritshme, gjërat po përparojnë në Shqipëri dhe se sistemi i drejtësisë po funksionon e prodhon rezultate. Inspektori i Lartë i Drejtësisë iu përgjigj pyetjeve të bashkëbiseduesve mbi aspekte konkrete të punës e funksioneve të ILD-së. Gjatë këtij takimi u shtruan ide për mundësi bashkëpunimi profesional përmes programeve të qeverisë holandeze për drejtësinë.