METANI: MBIKËQYRJA PARLAMENTARE PËR PROCESIN E INTEGRIMIT, I RËNDËSISHËM PËR TË GJITHA INSTITUCIONET

Inspektori i Lartë i Drejtësisë mori pjesë në takimin e punës së organizuar nga Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) mbi arritjet dhe sfidat për përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2023, Raportit për shqyrtimin Analitik për Grupkapitullin e I “Themeloret”, si dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së drejtës.

Në fjalën e tij z. Metani evidentoi mes të tjerash konstatimet e Progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2023 për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë se ILD është një institucion funksional në drejtim të hetimeve disiplinore ndaj magjistratëve, me gjithë mungesën e stafit dhe ngarkesën e akumuluar nga institucionet paraardhëse dhe se rritja e kapaciteteve njerëzore mbetet nevojë e rëndësishme për institucionin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë përsëriti si në të kaluarën idenë për koordinim institucional dhe kontribut të kuvendit për transparencën dhe konsensusin për çështje të integrimit.

 “…personalisht mendoj se mbikëqyrja parlamentare e  Integrimit Europian, si dhe koordinimi ndërinstitucional është një nga proceset më të rëndësishme dhe thelbësore që duhet të luajë Kuvendi i Shqipërisë në këtë fazë të procesit, ku ndodhet Shqipëria në lidhje me procesin e integrimit evropian. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një çështje që i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe mbi të gjitha është një prioritet kombëtar. Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të garantojë një bashkëpunim sa më gjithëpërfshirës, si dhe ka për detyrë të japë kontribut efektiv  për sa i përket, transparencës dhe konsensusit për çështje të integrimit në BE.”

 

Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani, në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

 

E nderuar Znj. Tabaku!

Të nderuar deputetë, drejtues institucionesh,

Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

E vlerësoj shumë, zhvillimin e takimit të sotshëm të KKIE, pasi personalisht mendoj se mbikëqyrja parlamentare e  Integrimit Europian, si dhe koordinimi ndërinstitucional është një nga proceset më të rëndësishme dhe thelbësore që duhet të luajë Kuvendi i Shqipërisë në këtë fazë të procesit, ku ndodhet Shqipëria në lidhje me procesin e integrimit evropian. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një çështje që i përket të gjithë shoqërisë shqiptare dhe mbi të gjitha është një prioritet kombëtar. Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të garantojë një bashkëpunim sa më gjithëpërfshirës, si dhe ka për detyrë të japë kontribut efektiv  për sa i përket, transparencës dhe konsensusit për çështje të integrimit në BE.

Në të njëjtën kohë, vlerësoj gjithashtu rolin e KKIE-së si një nga trukturat më të larta këshillimore kombëtare në kuadër monitorimit të progresit të procesit të integrimit, si dhe në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në BE dhe inkurajoj vijimin e këtij procesi nga ana e KKIE  me proaktivitet sa më të lartë.

Në kuadër të monitorimin e kritereve të vendosura gjatë procesit të negociatave dhe konkretisht mbi zhvillimin e takimit të sotëm në aspekt të: (i) Arritjeve dhe sfidave për përmbushjen e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2023; (ii)  Raportit për shqyrtimin Analitik për Grupkapitullin e I “Themeloret”; (iii) si dhe Angazhimet e ndërmarra në kuadër të “Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës”, paraprakisht theksoj se:

Së pari: Gjetjet e Progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2023 për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë kanë konstatuar se: “Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vazhdon të jetë funksionale, duke iniciuar dhe zhvilluar hetime disiplinore ndaj magjistratëve. Zyra e ILD-së, vijon të përballet me mungesën e stafit si dhe ngarkesën e akumuluar (backlog), pavarësisht shtimit të stafit, ambienteve apo buxhetit. Rekrutimi i inspektorëve, si dhe rritja e kapaciteteve të Zyrës së ILD-së mbetet një nevojë e domosdoshme”.

Në përmbushje të këtyre gjetjeve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndërmarrë masat si më poshtë:

  • Paraqitja e kërkesës për miratimin e ndryshimeve ligjore duke theksuar nevojën e miratimit të tyre edhe gjatë seancave dëgjimore të prezantimit të raportit të veprimtarisë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pranë Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, gjatë viteve 2021-2022.
  • Propozimi i ndryshimeve në strukturën organizative dhe rishikim të shpërndarjes së burimeve njerëzore dhe personelit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
  • Kërkesat për komandimin e magjistratëve drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Plotësimi i vendeve vakante për inspektorë, vijon të mbetet sfidë për ILD-në e rrjedhimisht faktor me ndikim në eficencën e veprimtarisë hetimore dhe inspektuese nga ana e institucionit të ILD-së. Përvoja e deri tanishme ka treguar se mosplotësimi i vendeve vakante për inspektor janë të lidhur me numrin e ulët të magjistratëve në sistem që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë inspektor, vakancat në rritje të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë, mungesa e interesit ndaj shpalljeve të vazhdueshme për komandim nga KLGJ. 

Për të adresuar këtë problematikë, janë hartuar ndryshimet ligjore, të cilat prej 4 vitesh janë depozituar në Kuvend. Ndryshimet ligjore shihen si një mundësi për të plotësuar vakancat dhe nevoja e miratimit të ndryshimeve ligjore është e domosdoshme për konsolidimin e veprimtarisë së ILD-së, dhe krijimin një sistemi afatgjatë të llogaridhënies.

Në pamundësi për të miratuar ndryshimet ligjore, janë marrë masa të tjera që synojnë rritjen e kapaciteteve të njësive të tjera administrative, për të kryer veprime administrative për të rritur eficencën e veprimtarisë hetimore dhe asaj inspektuese.

Në këtë rast vlen të theksohet se, Kuvendi deri më tani ka luajtur rol në rëndësishëm në krijimin e organeve të reja në sistemin e drejtësisë dhe kjo qasje proaktive duhet të vijojë. Veprimtaria e Kuvendit nuk duhet të fokusohet vetëm në procesin mbikëqyrës parlamentar, por edhe në atë me karakter koordinues. Dinamikat e zhvillimeve të 8 viteve të fundit, kërkojnë ndërmarrjen e masave të cilat janë nën kompetencën e institucioneve të tjera, por që diktojnë në eficencën dhe mbarëvajtjen e punës së institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu, Kuvendi duhet t`i kushtojë një rëndësi të veçantë si dhe duhet fokusohet në procesin legjislativ, duke adresuar kërkesat e të gjithë organeve të drejtësisë, si dhe të ILD ne veçanti në kuadër të propozimeve ligjore të dërguar pranë tij.

Së dyti: Procesi i shqyrtimit analitik të Grupkapitullit “Themeloret”, vë në dukje vlerësimin e bërë nga Komisioni për rezultatet e arritura deri më tani sa i takon llogaridhënies, duke njohur merita të rëndësishme, në aspektin e kuadrit ligjor, por edhe të garancive për paanshmëri, pavarësi, profesionalizëm dhe mbrojtje nga ndikimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë  nga ana e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv.

Përveç vlerësimeve pozitive dhe inkurajuese në lidhje me veprimtarinë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vijon të ketë edhe gjetje apo konstatime të cilat, janë të të përsëritura në progres raport. Të dyja këto dokumente, kanë arritur në konkluzionin se ILD-së i nevojiten burime njerëzore, për pozicionin magjistrat. Plotësimi i njësisë së inspektorëve me magjistratë, nuk është vetëm një nevojë e ILD-së, por edhe e vetë sistemit të drejtësisë, për të ngritur një sistem drejtësie të përgjegjshëm, të paanshëm, të pavarur dhe me standarde të mbështetura në shtetin e të drejtës.

Së treti:  Në lidhje me arritjet dhe sfidat për përmbushjen e rekomandimeve si dhe masat e ndërmarra në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, paraprakisht vlerësohet se për sa i përket masave të vendosura në udhërrëfyes për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, rezultojnë:

  • Historiku sistematik i llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet e gjyqësori u vihet në duke nevoja e ndryshimeve ligjore për përbërjen dhe vjetërsinë e pozicionit të inspektorëve në ILD të plotësohen gradualisht deri në vitin 2026;
  • Inspektori i Lartë i Drejtësisë, të kryej inspektimeve tematike për detyrimin ligjor të gjyqtarëve për të informuar siç duhet palët për mundësinë e përdorimit të ndërmjetësimit;
  • Zbatimi i rekomandimeve të inspektimeve tematike.

Lidhur me masën e vendosur për “Krijimi i historikut sistematik i llogaridhënies dhe integritetit në të gjitha nivelet e gjyqësori u vihet në duke nevoja e ndryshimeve ligjore për përbërjen dhe vjetërsinë e pozicionit të inspektorëve në ILD të plotësohen gradualisht deri në vitin 2026”, të përcaktuar në Udhërrëfyesin e Shtetit të së Drejtës, janë të njëjta me masat e ndërmarra për plotësimin e vakancave tek informacioni për progres raportin shpjeguara më sipër.

Ndërsa për sa i përket masës së Udhërrëfyesit të Shtetit të së Drejtës, që lidhet me kryerjen e  inspektimeve tematike nga ILD për detyrimin ligjor të gjyqtarëve për të informuar siç duhet palët për mundësinë e përdorimit të ndërmjetësimit, në kuadër të kësaj mase, ka filluar inspektimi tematik me objekt: “Dokumentimi nga gjyqtarët i informimit të palëve rreth mundësisë për zgjidhjen e çështjes me ndërmjetësim për periudhën 01.06.2023 – 31.12.2023”. Nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të vlerësohet periodikisht nëpërmjet inspektimeve tematike, rritja e ndërgjegjësimit të palëve për institutin e ndërmjetësimit.  Ky inspektim aktualisht vijon të jetë në proces.

Për sa i përket masës së Udhërrëfyesit “Zbatimi i rekomandimeve të inspektimeve të përfunduara”,  në kuadër të kësaj masë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë me vendimin nr. 6, datë 24.02.2023 “Për miratimin e planit të inspektimeve për vitin 2023”, të ndryshuar, ka miratuar planin e inspektimeve që do të kryen përgjatë vitit 2023. Ndërsa në kuadër të monitorimit gjatë vitit 2023, subjektet e inspektimit kanë përmbushur rekomandimet e lëna dhe kanë përcjellë informacion në kuadër të zbatimit të rekomandimeve nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Faleminderit!

 

Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë