Në seancën e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka rrëzuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistratin A.D., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për shkelje të rënda profesionale.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, bazuar në ankesën e depozituar nga një qytetare pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në vitin 2019 dhe përcjellë për kompetencë ILD-së, mbi lirimin me kusht nga gjyqtari A.D., të një të dënuari përsëritës në shkelje të ligjit.
Nga hetimi disiplinor i kryer nga inspektorët e ILD-së, ku përfshihet edhe analiza e 11 vendimeve të dhëna nga gjyqtari në periudhën 2017-2020, provohet se nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime/mosveprime, të cilat kanë të bëjnë me mosrespektim të nenit 64 të Kodit Penal, 477 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 75 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, mes të tjerash ulja e padrejtë e dënimit, në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural, duke sjellë përfitim të padrejtë, që është dhe pasoja e drejtpërdrejtë e shkeljes disiplinore.
Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cënimin e prestigjit të gjyqtarit dhe humbjen e besimit ndaj tij, si dhe ka cënuar besimin e publikut te drejtësia. Në përfundim të hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludoi se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit A.D. përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, duke diskretituar pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, dhe i propozoi KLGJ-së masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, kërkesë që u rrëzua nga ky Këshill.