Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka folur në një intervistë për TV Klan mbi temën e lirimeve me kusht, që ka qenë vendimi i parë i punës së z. Metani në respekt të ndjeshmërisë së lartë publike për lirime të disa personazheve të njohur për drejtësinë. Krahas verifikimeve e procedimeve të rasteve të veçanta, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka kryer një Inspektim tematik mbi trajtimin e kërkesave me objekt “Lirim me kusht” pranë të gjitha gjykatave e prokurorive të rretheve, si dhe gjykatave të apelit për periudhën 01.01.2017 – 31.01.2020. Inspektimi i realizua nga 6 inspektorë të asistuar nga 12 ndihmës inspektorë, për shkak të volumit të madh të punës e dokumentacionit për t’u vlerësuar.
Pyetje: Zoti Metani, dy vite më parë disa vendime, të cilat u raportuan në media krijuan një perceptim që kishte abuzime me vendimet e gjykatave me kërkesat për lirim me kusht. Menjëherë më pas keni filluar një inspektim për këto vendime. Çfarë tregoi inspektimi? Në cilën shkallë ishte realisht problemi për vendimmarrjet për lirinë me kusht?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Inspektimi u krye ne 15 gjykata dhe prokurori të vendit. Janë analizuar 2514 praktika të kërkesave për lirinë me kusht. Janë gjetur problematika, që më pas janë proceduar gjyqtarë dhe prokurorë në disa gjykata dhe prokurori të vendit. Për hir të së vërtetës ende vazhdojnë verifikimet, edhe pasi inspektimi përfundoi sepse doli me rezultate. Dhe inspektimi konkludoi se ka disa raste të dyshuara për shkelje, si në vlerësim të gabuar apo shkelje të kritereve që duhen zbatuar në rastet e kërkesave për lirimit me kusht; ka pasur shkelje, apo mosrespektim të rëndë, apo të përsëritur të legjislacionit procedurial dhe penal dhe ka pasur mosrespektim të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, që trajton çështjet për të cilat merret inspektori në përgjithësi.
Pyetje: Në cilat gjykata të ushtrimit të këtij inspektimi u gjetën shkeljet më të shpeshta?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Natyrisht edhe nga praktikat që kemi çuar në Këshilla, ka qenë gjykata e Krujës, Gjykata e Elbasanit, Gjykata e Korçës. Por siç thashë inspektimi tematik që përfundoi, i ka lënë detyrë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të kryejë ende disa verifikime për disa gjyqtarë dhe prokurorë, edhe në disa gjykata dhe prokurori të tjera të vendit, për të parë nëse dyshimet që ne kemi përbëjnë realisht shkeljet disiplinore, ose jo.
Pyetje: Cilat ishin shkeljet më të shpeshta të gjetura në këto vendime për lirimin me kusht dhe a ka pasur raste ku i njëjti gjyqtar për të njëjtat rrethana ka dhënë vendime të ndryshme?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Shkeljet kanë të bëjnë me atë që thashë. Shkeljet ishin në kundërshtim me ligjin, mbi kriteret që parashikohen në nenin 64 dhe 65 të kodit penal, për kriteret që duhet të plotësojë i dënuari, që të përfitojë nga lirimi para kohe me kusht. Së dyti ka sjellë mosrespektim të rëndë, ose të përsëritur i legjislacionit material dhe procedurial në rastet e lirimit para kohe me kusht. Së treti mosrespektim i vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë në lidhje me këtë çështje. Ajo që duhet të evidentoj, ose të theksoj është fakti që instituti i lirimit para kohe me kusht është një institut që e parashikon Kodi Penal në nenin 64 dhe 65. Neni 64 bën një vlerësim apo një parashikim të përgjithshëm të këtij instituti, apo kriteret që duhen plotësuar nga të dënuarit që të përfitojnë nga lirimi para kohe me kusht, të cilat vlerësohen nga gjykata dhe së dyti, shkojmë te neni 65, i cili bën parashikimin më të hollësishëm përsa i përket të dënuarve me burgim të përjetshëm, ata, të cilët nuk mund të përfitojnë liri para kohe me kusht. Të dyja këto dispozita, të cilat ne i kemi gjetur, të aplikuara apo të zbatuara me shkelje, jo siç i ka parashikuar Kodi, dhe për këtë arsye ne kemi proceduar magjistratët në këshilla.
Pyetje: Sa raste u referuan për hetim administrativ?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: 5 kanë qenë raste, ndërsa tani detyra që ushtron Inspektori i Lartë i Drejtësisë është të verifikojë edhe 9 raste të tjera për gjyqtarë dhe prokurorë.
Pyetje: Dhe a ka qenë neni 65 që lidhet me personat që kanë pasur një dënim me burgim të përjetshëm më problematiku, apo më i keqinterpretuari nga magjistratët, nëse mund t’a konsideroj keqinterpretim?.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë: Ka qenë një kompleks faktorësh, pra nuk është një proces që bazohet vetëm në një hetim të caktuar, apo në një shkelje të caktuar. Përpara se të çohet një magjistrat në procedim disiplinor duhet të verifikohen një sërë dhe kompleks faktorësh ligjorë, që e detyrojnë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të ndërmarrë një hap ekstrem, që është kërkesa për shkarkim të magjistratëve, pra është ajo që thashë më sipër, që shkelja ose duhet të jetë shumë e rëndë, ose e përsëritur.