Inspektorë dhe ndihmës inspektorë të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në dy ekipe zhvilluan dy vizita një javore pune në Mbretërinë e Spanjës.
Vizitat studimore janë pjesë e mbështetjes së projektit EU4Justice, që synon rritjen e kapaciteteve dhe përftimin e eksperiencave nga institucionet homologe europiane.
Gjatë këtyre vizitave, inspektorët dhe ndihmës inspektorët e ILD-së patën takime në institucione të ndryshme të drejtësisë, konkretisht me drejtuesen e Shërbimit të Inspektimit pranë Këshillit të Përgjithshëm Gjyqësor, znj. María Dolores Hernández Rueda dhe zv. drejtuesen Elena Burgos Herrera, drejtuesen e Inspektoriatit të Prokurorisë, znj. María Antonia Sanz Gaite, si dhe kryetarët e Gjykatave të juridiksionit të Valencia-s dhe Murcia-s.
Ekipet e ILD-së patën rastin të jenë pjesë e inspektimeve të gjykatave të juridisksionit të Valencia-s dhe Murcia-s, nëpërmjet inspektimit telematik (online), si dhe atij në terren, duke shqyrtuar hap pas hapi fazat e ndryshme të inspektimit tematik, si dhe intervistat e strukturuara me personel gjyqësor dhe administrativ të gjykatave përkatëse.
Përvec marrjes së eksperiencës profesionale, vizitat e punës shërbyen edhe për forcimin e bashkëpunimit me Shërbimin spanjoll të Inspektimit, me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në mars 2023.





