KLP NUK PRANON KËRKESËN E ILD PËR MASË DISIPLINORE NDAJ MAGJISTRATES Sh.M.

Propozimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për masë disiplinore ndaj magjistrates Sh.M., me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) në seancën e sotme.

Hetimi disiplinor i ILD ndaj prokurores Sh.M., ka nisur me nismë të ankuesit, Prokurorit të Përgjithshëm, mbi ankesën e një punonjësi të prokurorisë Shkodër, për shkelje të rëndë nga ana e magjistrates e rregullave të solemnitetit, rregullave te sjelljes në marrëdhëniet me palët, lidhet me konstatimin gjatë muajit Dhjetor të vitit 2020, të disa fakteve që lidhen me shkelje të rregullave të sjelljes me personelin e administratës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Hetimi disiplinor i Inspektorëve të ILD-së konkludoi se magjistratja ka shkelur rregullat e sjelljes me personelin e administratës së prokurorisë, por mund të kategorizohet si shkelje e lehtë disiplinore, pasi pasojat e shkeljes janë pakësuar, edhe për shkak të normalizimit të marrëdhënies reciprokisht.

Në kushtet kur qëllimi i masës disiplinore është edhe efekti parandalues, që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore, e që magjistratët e tjerë kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore, ILD i propozoi KLP-së së masën disiplinore “Vërejtje konfidenciale” për prokuroren Sh.M., kërkesë që u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.