INSPEKTORËT DHE NDIHMËS INSPEKTORËT E ILD TRAJNOHEN MBI PRAKTIKA TË GJEDNJ PËR PËRGJEGJËSITË DISIPLINORE TË MAGJISTRATËVE

Praktikat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), mbi përgjegjësitë disiplinore dhe lirinë e të shprehurit të magjistratëve kanë qenë në fokus të trajnimit të njësisë së inspektorëve dhe asaj të ndihmësinspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si pjesë e forcimit të kapaciteteve të inspektimit me mbështetjen e projektit EU4Justice.

Në nisje të aktivitetit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani tha se rritja profesionale në vazhdimësi e trupës së inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve mbetet përparësi konstante e ILD së. “Njohja me praktika juridike të GJEDNJ, përforcon procesin e inspektimit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në qasjen e respektimit të balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqtarëve e prokurorëve”.

Gjyqtari i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Darian Pavli trajtoi temën e përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve, sa i takon garancive procedurale dhe themelore në kuadër të GJEDNJ. Ndërsa znj. Roberta Lugarà, Avokat pranë Regjistrit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut solli raste nga praktika e GJEDNJ mbi lirinë e të shprehurit të magjistratëve dhe kufizimin e saj.