DISKUTOHET RREGULLORJA PËR BASHKIMIN E PROCEDIMEVE DISIPLINORE PËR MAGJISTRATËT NË KLGJ E KLP

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mori pjesë në mbledhjen e përbashkët plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në ditën e Drejtësisë, ku u paraqit dhe u diskutua draft-rregullorja “Për bashkimin e procedimeve disiplinore për rastet kur një gjyqtar dhe një prokuror janë përfshirë në të njëjtën shkelje”

Inspektorja magjistrate znj. Elena Pelushi u shpreh në emër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, se me këtë akt vendosen standarde të njëjta dhe të qëndrueshme gjatë procedimit disiplinor të magjistratit, duke garantuar të drejtat për një proces të rregullt ligjor të parashikuara nga kuadri ligjor dhe vendosura tashmë në praktikat e punës të ndjekura nga ILD dhe nga të dy Këshillat.  

Sistemi llogaridhënës duhet të udhëhiqet pikësëpari nga nocioni i përgjegjshmërisë së magjistratëve, si një mekanizëm parandalues dhe që siguron ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtësie. Zbatimi uniform i parashikimeve ligjore si dhe konsolidimi i standardeve që garantojnë një proces disiplinor të drejtë, të paanshëm, transparent, të pavarur dhe që përshkohet në të gjitha hallkat e tij nga parimi i procesit të rregullt ligjor, përbëjnë themelet për ngritjen e një sistemi efecient të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, i cili është dhe mbetet qëllim i përbashkët i institucioneve tona dhe i reformës në tërësi.“ tha znj. Pelushi.

Procesi i draftimit të kësaj rregulloreje ka kaluar në faza të gjata konsultimesh dhe diskutimesh ndërmjet anëtareve të grupit të punës, në të cilin ishin përfshirë Komisionet Disiplinore të secilit prej Këshillave dhe përfaqësues të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nën asistencën e ekspertëve të misionit EU4JUSTICE.