DREJTËSIA NË MBROJTJE TË MJEDISIT, SI PRIORITET EUROPIAN

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit COPEIJ “ Bashkëpunimi në mbrojtjen e mjedisit përmes autoriteteve kombëtare të inspektimit të drejtësisë”, që ka bërë bashkë përfaqësues të Inspektoratit të Përgjithshëm Francez të Drejtësisë, Inspektoratit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë të Italisë, Këshillit të Lartë të Gjyqësorit të Portugalisë, Inspektoratit Gjyqësor të Rumanisë dhe Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, anëtarë të Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ).

I nisur dy vite më parë, me financim të Komisionit Europian, projekti COPEIJ synon të mbështesë dhe promovojë efektivitetin e mbrojtjes së mjedisit nga drejtësia penale në BE, duke përfshirë shërbimet kombëtare të inspektimit, në kuadër të direktivës së re te Bashkimit Europian të 11 prillit 2024 për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ligjit penal, e që i detyron vendet anëtare të adoptojnë brenda dy viteve, rregulla kombëtare në përputhje me parashikimet e kësaj direktive.

Gjatë eventit përmbyllës, që u mbajt në mjediset e Eurojust në Hagë, u paraqitën dhe diskutuan sfidat e luftës kundër krimit mjedisor në Europë, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, zhvillimet e fundit në këtë fushë, dhe u vlerësuan praktikat dhe risitë e mira të identifikuara nga ekipi COPEIJ për të përmirësuar efektivitetin e tij.

Funksionarë dhe ekspertë nga Komisioni Europian, Eurojust, Europol, magjistratë, drejtues të organeve ligjzbatuese që merren me krimin mjedisor, avokatë dhe pedagogë nga vende të BE diskutuan për dy ditë mbi luftën ndaj krimit medisor në Evropë, fenomenet dhe prioritetet kombëtare, sfidat në luftën kundër krimit mjedisor: organizimi gjyqësor për një drejtësi efikase. Harmonizimi i standardeve dhe praktikave gjyqësore, mekanizmat për të përmirësuar luftën kundër krimit mjedisor.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u përfaqësua nga këshilltaret znj. Isida Koka dhe znj. Mimoza Koçiu. Znj. Koçiu moderoi tryezën e tretë rrumbullake me temë “Lufta kundër krimit të organizuar ndërkufitar”.

Bazuar në një metodologji të përbashkët, përfaqësuesit e shërbimeve të inspektimit të drejtësisë, pjesë e projektit COPEIJ kanë përgatitur raporte kombëtare dhe më pas një raport të përbashkët, duke identifikuar vështirësitë kryesore dhe duke paraqitur praktikat e mira në lidhje me krimin mjedisor dhe rekomandimet e përbashkëta, një dokument që do i dorëzohet Komisionit Europian.