INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË PARAQET VEPRIMTARINË E INSTITUCIONIT PËR VITIN 2023

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani ka informuar Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mbi veprimtarinë e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023.

Z. Metani tha se “2023-shi ka qenë intensiv për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sa i takon funksionit kryesor, trajtimit të ankesave ndaj magjistratëve dhe inspektimeve tematike, e paralelisht, finalizimit të stokut të ankesave e praktikave të mbartura nga institucione të mëparshme të procedimit disiplinor”.

Trajtimi i ankesave të trashëguara, ka qenë një proces që e ka tejkaluar ngarkesën normale të punës për burimet njerëzore në dispozicion të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një sfidë që e kemi kapërcyer me rezultate të dukshme, duke u bazuar në masat rregullatore, administrative dhe strukturore të ndërmarra. Evadimi i stokut të ankesave përmbushi synimin tonë të përsëritur publikisht, se asgjë nuk harrohet dhe se shmangia e kulturës së pandëshkueshmërisë është një sinjal i qartë për të rritur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.”

Më pas Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal në nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2022, prioritetet e vëna për vitin pasues, të identifikuara nga puna e përditshme e të gjitha njësive dhe drejtorive të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si nga komunikimet me qytetarët ankues, institucionet apo proceset e punës së përditshme.