Tiranë, 3 qershor 2024
Metodologjia e përgatitjes, kryerjes dhe analiza e inspektimeve klasike tematike ishin në fokus të aktivitetit trajnues 5 ditor, që u zhvillua në Tiranë dhe Durrës, me pjesëmarrjen e njësisë së inspektorëve dhe njësisë së ndihmës inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Aktiviteti i organizuar me kontributin e përbashkët të SEJIV (projekti i BE dhe KiE “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri”) dhe EU4Justice, i shërbeu, siç theksoi Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani në përshëndetjen e tij, traditës së krijuar tashmë të Zyrës së ILD-së, për forcimin sistematik të kapaciteteve të inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve, në rastin konkret, në kryerjen e inspektimit tematik klasik, bazuar në praktikat dhe standardet më të mira të BE-së.
Ne dy ditët e para, inspektorët dhe ndihmës inspektorët e ILD-së u trajnuan mbi metodologjinë e organizimit të inspektimeve tematike, në punën e brendshme të gjykatave dhe prokurorive, me përvojat franceze dhe rumune, të përcjella nga z. Vincent Delbos, ish inspektor magjistrat i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës dhe znj. Nicoleta Rhfir, ish inspektore magjistrate e Inspekoratit Gjyqësor të Rumanisë.
Ekipet e inspektimit të ILD-së diskutuan edhe mbi përcaktimin e standardeve të inspektimeve, me referencë praktikën e CEPEJ, Komisioni Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Në dy ditët vijuese, dy ekipe inspektorësh të ILD-së, bashkë me ekspertët ndërkombëtarë zhvilluan një mision inspektues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës, të Juridiksionit të Përgjithshëm, sipas kalendarit vjetor të inspektimeve të ILD-së.
Java e trajnimit u përmbyll në Tiranë, me një sesion të posaçëm me njësinë e inspektorëve e ndihmës inspektorëve, ku u diskutuan rezultatet kryesore, gjetjet e rekomandimet, në bazë të të cilave do të përgatitet një Udhëzues i praktikave më të mira të inspektimit.