Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin financiar të ushtruar në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për periudhën 3 vjeçare të punës, nga data 01.01.2021 deri në datën 31.12.2023, me vlerësim pozitiv për performancën e institucionit në zbatim të ligjit, planifikimit dhe menaxhimit financiar.
Në çështjet e identifikuara nga ekipi i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ishin: Veprimtaria e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Hartimi dhe zbatimi i buxhetit të shtetit, Auditimi i llogarive vjetore, Vlerësimi i funksionimit të sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit sipas komponentëve të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm.
Në raportin përfundimtar të auditimit, vlerësohet se “ Sipas opinionit tonë, pasqyrat financiare të Zyrës së ILD-së paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare të institucionit më 31 dhjetor 2022, referuar kuadrit rregullator në fuqi: Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit, Ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” dhe Udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi kornizën e përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore, etj. mbi të cilat subjekti i audituar është mbështetur për përgatitjen e pasqyrave financiare që justifikojnë dhënien e një opinioni të pakualifikuar/pamodifikuar.”
Auditimi i KLSH-së përfshiu veprimtarinë ekonomike dhe financiare të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe me aktet ligjore e nënligjore, si dhe në drejtim të:
- Zbatimi i ligjshmërisë për emërimet dhe funksionimin e strukturave drejtuese, vendimet e marra dhe zbatimi i tyre
- Planifikimi i buxhetit, zbatimi i kritereve në planifikimin e tij, realizimi i planit të buxhetit, si edhe shpenzimet administrative
- Zbatimi i dispozitave ligjore për strukturën organizative të Institucionit
- Zbatimi i dispozitave ligjore në mbajtjen e evidencës kontabël, vlerësimi nëse aktivi dhe pasivi janë llogaritur saktë dhe në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, si dhe rakordimi i tyre, opinioni mbi pasqyrat financiare të vitit 2022
- Funksionimi i sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit
Raporti përfundimtar i auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ushtruar në Zyrën e ILD-së mund të lexohet këtu: RAPORT PËRFUNDIMTAR I AUDITIMIT