Paris, 21 qershor 2024
Një ekip i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i përbërë nga inspektorë, ndihmës inspektorë dhe anëtarë të kabinetit, zhvilloi një vizitë studimore 5 ditore pranë Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, në Paris, me mbështetjen e Expertise France dhe EU4Justice.
Në nisje të vizitës ekipi i ILD-së u mikprit nga Shefi i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë, z. Christophe Straudo, i cili bëri një paraqitje të funksioneve të ndryshme të Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë dhe dimensionet e punës inspektuese.
Pranë Inspektoratit të Përgjithshëm Francez të Drejtësisë, delegacioni i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësië zhvilloi sesione pune me ekipin e Departamentit të Etikës. Drejtuesja e departamentit znj. Béatrice Del Volgo dhe inspektorët e këtij departamenti, znj. Marjorie Obadia dhe z. Ludovic Belfanti zhvilluan sesione prezantimi mbi etikën dhe procedurën para-disiplinore të magjistratëve, si dhe hetimet administrative, metodologjia, të drejtat e mbrojtjes, teknikat e objektivizimit, që u pasuan me diskutime profesionale me ekipin e ILD-së. Ekipi i ILD-së pati një sesion pune në Gjykatën e Parisit, ku u prit nga kryetari i kësaj Gjykate z. Stéphane Noël dhe drejtuesja e Prokurorisë pranë kësaj Gjykate znj. Laure Beccuau, të cilët paraqitën organizimin dhe funksionimin e gjykatës dhe prokurorisë, si dhe u ndalën në çështje të etikës së magjistratëve, me fokus rolin e drejtuesit të gjykatës dhe prokurorisë. Më tej, ekipi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilloi një sesion pune me Kryetarin e Kolegjit të Etikës të Ministrisë së Drejtësisë, z. François Feltz, i cili paraqiti rolin dhe kushtet e krijimit të strukturës së Kolegjit të Etikës, organizimin dhe mënyrat e funksionimit të kësaj strukture. Gjatë një vizite në Shkollën Kombëtare të Magjistraturës në Paris, delegacioni i ILD-së u mikprit nga drejtorja e shkollës znj. Nathalie Roret, ndërsa mē pas, ekipi i trajnimeve dhe i marrëdhënieve me jashtë, i njohu me funksionet e shkollës me vëmendje tek aktivitetet trajnuese të magjistratëve në fushën e etikës. Procedura disiplinore e magjistratëve iu paraqit delegacionit të ILD-së në një sesion të veçantë pune nga znj. Soizic Guillaume, zv. Drejtore e Burimeve Njerëzore për gjyqësorin, pasuar me diskutime mbi eksperienca konkrete pune. Kjo vizitë studimore e ekipit të ILD-së për t’u njohur me praktikën franceze, vjen në kuadër të shkëmbimeve profesionale mes dy institucioneve të inspektimit, nisur me vizita trajnuese të inspektorëve francezë në Tiranë në vitin 2021 dhe vitin 2023. Vizita u realizua me mbështetjen e Expertise France dhe EU4Justice.