E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Raporti vjetor dhe të dhënat e tij janë përpara jush dhe nuk do doja të bija në përsëritje, duke cituar gjërat që i keni në raport, por dëshiroj të evidentoj shkurt, se si në rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shoh ecurinë e këtij institucioni përgjatë vitit 2023, parë kjo, edhe në raport me sfidat që ka hasur sistemi i drejtësisë, që prej miratimit të reformës në drejtësi në vitin 2016. Nën këtë optikë, jam munduar të përgatis një paraqitje të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, brenda kompetencave të tij kushtetuese është angazhuar plotësisht, edhe përgjatë vitit 2023, që të ndikojë në përmirësimin e efikasitetit, transparencës, paanësisë, pavarësisë, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Me këto synime, ILD është përpjekur të adresojë një sërë çështjesh:
Së pari, nëpërmjet ushtrimit të kompetencave, në kuadër të sistemit të përgjegjshmërisë së magjistratëve, duke trajtuar dhe verifikuar një numër të lartë ankesash të qytetarëve. Më konkretisht, gjatë vitit 2023 janë verifikuar 2340 ankesa të ardhura nga qytetarë apo institucione. Kjo do të thotë, se janë verifikuar 2340 praktika gjyqësore në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit.
Këtu duhet nënvizuar, se gjatë vitit 2023, u përfundua tërësisht trajtimi i fondit të ankesave të trashëguara nga institucionet e mëparshme, që kanë qenë përgjegjëse për procedimin disiplinor të magjistratëve, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke dhënë kështu një mesazh të rëndësishëm tek të gjithë qytetarët dhe magjistratët, për ndërtimin e një tradite që shmang kulturën e harresës dhe pandëshkueshmërisë, pasi nga verifikimi që ILD i ka bërë këtij fondi ankesash të trashëguara, janë hetuar dhe është kërkuar procedim disiplinor për disa magjistratë.
Dëshiroj të evidentoj këtu, se në kuadër të shqyrtimit të pretendimeve të ankuesve, 44% e ankesave ndaj magjistratëve janë për pretendime për mosrespektim të ligjit material dhe procedural, ndërsa 34.5% të ankesave lidhen me pretendime ndaj vendimmarrjeve të padrejta të magjistratëve gjatë shqyrtimit të çështjeve, 13.4% të ankesave lidhen me vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe 8.1 % e ankesave lidhen me pretendime për zvarritje të gjykimit apo të veprimtarisë hetimore.
Nga 2340 ankesa të shqyrtuara, rezulton se pretendimet janë paraqitur në masën 68% për magjistratë gjyqtarë, 7% për magjistratë prokurorë dhe 22% për gjyqtarë dhe prokurorë së bashku. Për 77 ankesa nuk identifikohet subjekti ndaj të cilit ngrihen pretendime.
Nga informacioni statistikor i ankesave të shqyrtuara gjatë vitit 2023, vihet re se pretendimet ndaj magjistratëve gjyqtarë që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përbëjnë numrin më të lartë të ankesave. Ankesat për magjistratët e kësaj gjykate janë 15% e ankesave të shqyrtuara në total, ndjekur nga pretendimet ndaj gjyqtarëve që ushtrojnë detyrën pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me rreth 13%. Renditja vijon me Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me rreth 6% të ankesave të shqyrtuara në total.
Më pas renditen Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me një përfaqësim prej rreth 5% secila.
Ndërkohë, për magjistratët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar janë paraqitur rreth 2% e ankesave të shqyrtuara në total.
Gjykatat me më pak ankesa ndaj magjistratëve të tyre janë: Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, me rreth 1% secila.
Sa i takon ankesave të shqyrtuara, mbi pretendimet ndaj magjistratëve prokurorë, rezulton se për prokurorët që ushtrojnë detyrën në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është shënuar numri më i lartë i ankesave të ardhura, me rreth 6% e ankesave të shqyrtuara në total. Renditja vijon me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me rreth 2% secila. Për prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë paraqitur rreth 1% e ankesave të shqyrtuara në total.
Numri më i ulët i ankesave është drejtuar për prokurorët që ushtrojnë detyrën në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me rreth 0.5% e totalit të ankesave të shqyrtuara secila.
Duke pasur parasysh rëndësinë që kanë në sistem një numër organesh, dëshiroj të evidentoj se gjatë veprimtarisë së ILD-së, në këto 4 vite, të dhënat mbi ankesat e paraqitura dhe te trajtuara nga ILD janë si më poshtë:
INSTITUCIONE | Trajtuar | Proces | Total |
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) | 54 | 27 | 81 |
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPSHPKKO) | 27 | 14 | 41 |
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO) | 35 | 5 | 40 |
Gjykata e Lartë | 66 | 30 | 96 |
Këshilli i Lartë Gjyqësor | 13 | 5 | 18 |
Këshilli i Lartë i Prokurorisë | 3 | 5 | 8 |
Prokurori i Përgjithshëm | 5 | 5 | 10 |
Së dyti, një tjetër drejtim i punës së ILD-së, ka qenë zhvillimi i hetimeve disiplinore dhe kërkimi i procedimeve disiplinore. Më konkretisht, janë zhvilluar 18 hetime disiplinore ndaj 25 magjistratëve dhe janë zhvilluar 6 procedime disiplinore ndaj 6 magjistratëve.
Së treti, një dimension i rëndësishëm i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë edhe kryerja e inspektimeve tematike. Për vitin 2023 janë zhvilluar 2 inspektime tematike, por dëshiroj të theksoj këtu, se që nga muaji Janar i këtij viti e deri tani, kanë përfunduar edhe 4 inspektime të tjera, në të gjitha gjykatat dhe zyrat e prokurorisë së vendit, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatat e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme. Të gjitha raportet e inspektimeve gjenden në faqen e internetit të institucionit. Sa i përket këtyre inspektimeve tematike, duhet theksuar se ka një reagim pozitiv nga organet e inspektuara, të cilat kanë implementuar rekomandimet e lëna nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Me këtë rast, dëshiroj t’i falenderoj edhe përpara jush, të gjitha institucionet për bashkëpunimin.
Transparenca e institucionit ka qenë një tjetër prioritet i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për transparencën e arritur, Inspektori i Lartë të Drejtësisë renditet i pari ndër të gjitha institucionet e vendit, në “Indeksin e transparencës proaktive të institucioneve qendrore dhe të varësisë” për vitin 2023, të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, si institucioni që i ka të gjithë treguesit pozitivë të një transparence proaktive të lartë.
Krahas rezultateve të vitit 2023, prioritetet e vendosura për vitin 2024 janë vijimësia dhe përmirësimi në të gjitha dimensionet, e veprimtarisë së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Finalizimi i trajtimit të fondit të ankesave të trashëguara, i ka dhënë më shumë frymëmarrje institucionit dhe presim që kjo të ndikojë në rritjen e efiçencës, në kohë dhe me cilësi, përmes shqyrtimit të një numri më të lartë ankesash.
Nga ana tjetër, edhe pse janë bërë përpjekje, implementimi i një sistemi elektronik bashkëkohor, kërkon më shumë avancim dhe bashkëveprim të ngushtë ndërmjet organeve, për miratimin e standardeve teknike për çështje të teknologjisë së informacionit për organet e sistemit të drejtësisë, gjë e cila do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit, e rrjedhimisht do të ndikojnë në efiçencën e veprimtarisë së institucioneve.
Dua ta sjell në vëmendje, se veprimtaria e vitit 2023 nuk ka qenë një proces i lehtë, e për rrjedhojë, edhe përgjatë këtij viti, ILD është përballur me një sërë sfidash në kuadër të ushtrimit të kompetencave të veta kushtetuese, ashtu si dhe organet e tjera të reja të sistemit të drejtësisë, të cilat duhet pranuar, nuk po funksionojnë sipas kapaciteteve të tyre maksimale, si pasojë e një procesi të vazhdueshëm të jetësimit të reformës në drejtësi. Për të katërtin vit radhazi, për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë mbetet domosdoshmëri plotësimi i trupës së inspektorëve, veçanërisht të profilit magjistrat, si një mjet i pazëvendësueshëm për rritjen e mëtejshme të performancës së institucionit. Bashkëpunimi i institucioneve të tjera të drejtësisë në këtë drejtim, mbetet sërish domosdoshmëri.
Të nderuar deputetë,
Pavarësisht ndjeshmërive të ndryshme, duhet pranuar, se për shkak dhe në kuadër të kësaj reforme, sistemi i drejtësisë ka arritur rezultate, që tregojnë drejtimin e duhur, ku duhet të vazhdojë të ecë kjo reformë. Ka disa piketa që janë vendosur tashmë:
- Nëpërmjet procesit të vettingut janë arritur rezultate në lidhje me integritetin e magjistratëve;
- Janë bërë përpjekje për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit duke reduktuar ndikimin politik dhe duke siguruar që magjistratët të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur;
- Janë krijuar institucione të reja si dhe është konceptuar një mekanizëm i mirëfilltë mbi zhvillimin dhe formimin profesional dhe të karrierës apo të përgjegjshmërisë së magjistratëve;
- Nëpërmjet ndryshimeve legjislative janë krijuar institute apo mekanizma procedurale për të rritur efikasitetin e pushtetit gjyqësor, duke përfshirë dixhitalizimin dhe efikasitetin e proceseve gjyqësore; apo
- Janë rritur standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në sistemin gjyqësor, duke siguruar një trajtim më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët para ligjit.
Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë! Sot konstatohet se eficienca e sistemit të drejtësisë nuk është në nivelin e saj më të mirë. Sot sistemi i drejtësisë po përballet me mungesa të magjistratëve, si pasojë e zhvillimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, vettingut. Kjo mungesë magjistratësh ka sjellë si pasojë, krijimin e një ngarkese shume te madhe të punës në gjykata dhe prokurori. Kjo ngarkesë padyshim ka sjellë edhe vonesa të jashtëzakonshme në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore dhe kjo ka qenë një problematikë tjetër, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka adresuar nëpërmjet inspektimeve të veta përgjatë vitit 2023 dhe po vazhdon ta ketë prioritet edhe gjatë këtij viti.
Natyrisht, sfida e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbetet balancimi dhe gjendja e një ekuilibri të drejtë, përmes identifikimit dhe vlerësimit nga njëra anë, te përgjegjësisë personale të magjistratëve dhe nga ana tjetër, te kushteve apo ngarkesës së jashtëzakonshme të punës së tyre, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, infrastrukturës apo numrit të ulët të tyre në sistem. Edhe në këtë rast, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përpjekur të orientojë gjykatat apo zyrat e prokurorive me kriteret që duhen ndjekur, në raport me këto problematika apo vështirësi.
Por nga ana tjetër, koha ka qenë e konsiderueshme dhe e mjaftueshme, për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, si dhe bërjen tyre funksionale. Gjithashtu, i gjithë sistemi gjyqësor është riorganizuar në kuadër të Hartës së Re Gjyqësore, duke sjellë edhe sfida, derisa sistemi i drejtësisë të gjejë balancën dhe standardin e duhur. Nuk duhet harruar, se gjatë këtyre viteve kemi qenë përpara aplikimit të një legjislacioni të ri, si material dhe procedural, ashtu dhe në raport me organizimin dhe funksionimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Padyshim, edhe zbatimi i këtij kuadri të ri ligjor, ka sjellë dhe debatet e veta profesionale, të reflektuara këto në praktika të ndryshme administrative apo jurisprudencë.
Patjetër ka patur raste edhe të komentimit të vendimeve gjyqësore, kritika ndaj tyre, madje dhe deri në anatemimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo të magjistratëve nominalisht. Edhe nga opinioni publik. Edhe nga politika. Nuk është e lehtë për magjistratët, por vlerësoj se ky është një proces dhe një sfidë që duhet të përballohet nga ana e tyre, pasi në këtë rast duhet të prevalojë e drejta e publikut mbi mbikëqyrjen e punës së tyre, pse jo edhe angazhimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e administrimit të drejtësisë. Ajo që duhet thënë është se niveli shpeshherë i tejkaluar i kritikës ndaj punës së tyre, nuk i prek dhe as nuk i ul aspak garancitë që Kushtetuta ka dhënë për pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, në punën e diskrecionin e vendimmarrjes së tyre.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se të gjitha këto janë vështirësi, për të cilat qytetarët kanë treguar mirëkuptim maksimal dhe përtej të zakonshmes. Dhe përveç pritshmërive dhe besimit të lartë të publikut, mirëkuptimi i treguar deri tani është një tjetër përgjegjësi, e cila bie në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi organet e sistemit të drejtësisë. Dhe në këtë kuadër, sfida e organeve të reja të drejtësisë sot, mbetet pikërisht ruajtja e ekuilibrit ndërmjet pritshmërive, besimit dhe mirëkuptimit të publikut dhe faktorëve të tjerë në shoqëri, në raport me mundësinë reale te organeve të drejtësisë sot, për të ofruar përfundimisht një sistem drejtësie me integritet, të pavarur, efiçent dhe të përgjegjshëm.
Nëse sistemi i drejtësisë përballet me mangësi apo problematika në kuadër të integritetit, pavarësisë apo efiçencës, kjo nuk është përgjegjësi, vetëm e magjistratëve. Këto problematika kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistemik dhe nuk mund të adresohen vetëm nëpërmjet sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve, siç pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Dua ta theksoj se që nga momenti i krijimit, e deri në ditët e sotme, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv, në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve. Dhe ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim dhe gjithmonë, por gjithnjë duke respektuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe mbështetur mbi një gur themeli të rëndësishëm të shtetit të së drejtës dhe demokracisë së një vendi, siç është ai i pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Këto standarde pune të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë konfirmuar edhe gjatë vitit 2023 nga organet kompetente për shqyrtimin e tyre. Kështu, nga 1622 vendime të marra nga ILD për arkivim e mbyllje hetimi disiplinor, janë ankimuar vetëm 70 vendime arkivimi, ose shprehur në përqindje, janë ankimuar 4.3% e vendimeve të arkivimit. Ndërsa për 9 vendime për mbyllje të hetimit disiplinor, nuk ka patur asnjë ankesë. Nga të gjitha ankimet e paraqitura ndaj vendimeve të ILD-së gjatë vitit 2023, rezultojnë 0 vendime të kthyera për shqyrtim, një rezultat që mbetet i pandryshueshëm, prej vitit të parë të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pasi në të gjitha rastet, Këshillat apo KPA, kanë vendosur refuzimin si të pabazuar, të ankimit të paraqitur nga ankuesit ndaj vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, e për pasojë asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është cënuar.
Siç u evidentua edhe me sipër, sistemi i drejtësisë sot ka probleme. Në këtë kuadër, për të adresuar këtë fazë zhvillimi dhe problematikat e sistemit sot, në këndvështrimin tim personal, duhet të mbajmë në konsideratë faktin, si dhe duhet të kuptojmë qartë, se reforma në drejtësi është një sipërmarrje dhe angazhim shumë i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare. Zbatimi i reformës në drejtësi është patjetër detyrë e institucioneve të drejtësisë. Por një proces kaq i thellë, i gjatë dhe kompleks, në kuptim të vlerave shoqërore dhe politike, që kjo reformë synon të kultivojë në shoqërinë shqiptare, kërkon domosdoshmërisht angazhimin e sistemit politik dhe institucional, si dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.
Ky proces duhet të kalojë nëpërmjet një stadi zhvillimi të sigurt, duke ofruar zgjidhje dhe vizion afatgjatë, duke analizuar të gjithë faktorët pozitivë apo negativë nga pikëpamja administrative, ligjore apo financiare, të cilat mund të ndikojnë në ngadalësimin apo ecurinë normale të tij.
Ky proces kërkon një vlerësim maksimal dhe zbatimin e një politike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse:
- Në aspekt të konceptimit dhe zhvillimit të politikave, pasi para së gjithash reforma në drejtësi është konceptuar dhe udhëhequr nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të një procesi politik;
- Në aspekt të organizmit të ri institucional, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, pasi reforma në drejtësi ka parashikuar një arkitekturë të re të sistemit të drejtësisë, si dhe
- Në aspektin procedural, që ka të bëjë më mekanizmat administrativë, ligjorë apo financiarë, në kuadër të implementimit dhe jetësimit të saj në praktikë.
Kjo qasje mund të kërkojë më shumë kohë, por është rruga më e sigurt drejt jetësimit kushtetues të reformës në drejtësi. Ky është këndvështrimi im personal në lidhje me situatën aktuale të ecurisë së Reformës së Drejtësi, në raport me institucionet e drejtësisë sot.
Për këtë arsye, dua të theksoj edhe një herë, për sa kam qenë konsekuent në qëndrimet e mia të shprehura, si përpara Komisionit të Ligjeve, por edhe përpara kësaj salle të nderuar, duke i kërkuar Kuvendit të Republikës të ushtrojë rolin e tij tejet të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë, jo vetëm si hartues dhe ideator i reformës në drejtësi në Shqipëri, por edhe si promotor i fuqishëm i realizimit të saj.
Ju faleminderit për vëmendjen!