SESIONI I PYETJE-PËRGJIGJEVE ME INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË Z. ARTUR METANI NË KUVENDIN E SHQIPËRISË

Deputeti Saimir Koreshi: Faleminderit e nderuar kryetare!

I nderuar, ju dhe në Komisionin e Ligjeve pranuat që keni vonesa dhe tejkalim të afateve në inspektim, ose në trajtimin e ankesave të ardhura për prokurorë dhe gjyqtarë. Si është e mundur, sepse këtu sot, jo pa qëllim e them këtë, se shumë institucione thonë e ka ky, e ka ai, e ka prokurori i përgjithshëm, e ka ILD. Pra është një hamulli në lidhje mesa ndodh. Këtë e them, se sa praktika kanë inspektorët tuaj i nderuar dhe sa kanë trajtuar gjatë 2023, në qoftë se kanë pasur gjithë këtë punë, sepse nga masat për një vit, apo për shumë vite me atë çka percepton publiku në lidhje me tejkalimin e të gjitha afateve dhe mënyrën sesi funksionon sot sistemi i prokurorisë dhe gjyqësori, flas sepse këtu është bërë një precedent që duket sikur sistemi i drejtësisë është vetëm SPAK, ndërkohë që sistemi i Drejtësisë në 95 për qind nuk është SPAK, por keqfunksionon?

Pyetja e dytë:  A keni dijeni i nderuar, se shumë gjyqtarë mbajnë praktika disamujore, deri në një vit dhe në fund fare pas një viti, pa nxjerrë asnjë datë bëjnë kthim aktesh, e pambështetur kjo në kodin e procedurës civile, kthim aktesh mbas një viti, ku njerëzit presin të marrin drejtësi? A e dini ju i nderuar dhe a keni dijeni se shumë prokurorë më shpejt mbyllin çështjet penale se bëjnë kthim sendi? Pra, në qoftë se do të ketë dikush pa patentë i është bllokuar makina, edhe pasi është mbyllur çështja nuk kthen mjetin, e pas 25 kërkesave nga qytetarët dhe avokatët e ndryshëm të çështjes nuk ta kthen. Kur vetë këto akte dhe akte të tjera, si telefona që i marrin kur nuk ka veprime konkrete ndaj personave që janë sekuestruar telefona nuk i kthejnë më, oficerët e policisë gjyqësore nuk ua kthejnë më telefonat harrohen. Si është e mundur kjo, kur aktet nuk janë më në dobi, apo në shërbim të hetimit penal. A jeni në dijeni i nderuar se pas daljes së amnistisë, ata që kanë qenë me arrest shtëpie, nuk vijnë tek urdhri i ekzekutimit nga prokurori, por në kundërshtim me ligjin mbaheshin të arrestuar me arrest shtëpie? Por ka pas prej tyre në tejkalim afatesh që kanë qenë me burgim, si ka mundësi që prokurori nuk bën lëshim të urdhrit të ekzekutimit pas kërkesave të bëra nga avokatët përkatës, ose nga të burgosurit?

Pyetja e pestë: A keni nisur ndonjëherë hetim kryesisht për vonesat, afatet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në dosjet që kanë në administrim, thënë kjo se shumë gjyqtarë dhe prokurorë absolutisht ndonjëherë thonë fakte se kanë ngarkesë, ngarkesë dhe nga kjo ngarkesë, ngarkesë, dalin datat, po të shikosh në Gjykatën e Tiranës njëherë në 6 muaj dhe po të shikosh të bësh një pjesëtim pasurie sot, kur e pamë që krimet më të mëdha ishin për tokat dhe po të bësh një pjesëtim pasurie mbi ata të bashkëpronësisë, që janë ata të ligjit 7501 të kalosh fazën e parë, fazën e dytë të pjesëtimit, ka nga tre herë shkallë gjykimi, duhen 25 e kusur vjet dhe sa herë vjen drejt finishit të dëshmisë së trashëgimisë ka vdekur një nga bashkëpronarët. A ka verifikuar institucioni juaj ndonjë veprim kryesisht, si ka mundësi që zgjidhjet e martesave shkojnë deri në 3 vite dhe masat që janë marrë ndaj tyre dhe së fundmi, Si ju ka rezultuar harta e re gjyqësore sepse jo vetëm në perceptim, por në fakt pjesa e parë e pajtimit pra deri dje bëhej brenda 60 ditëve në apel në Vlorë mbarohej brenda një viti, një viti e gjysmë dhe 2 vjet, kurse sot në Apelin e Tiranës, ose në Apelin Administrativ thonë që po shqyrtojmë akoma dosjet e vitit 2017. Faleminderit!

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Faleminderit zoti deputet për pyetjet. Pyetjen e parë do doja ta ezauroja në fund, madje ju falënderoj realisht që e ngrite, sepse doja ta sqaroja njëherë e mirë çështjen e ankesave, afateve e trajtuara e kështu me radhë.

Po e filloj nga pyetja e dytë, a jeni në dijeni që gjyqtarët i mbajnë dosjet nga një vit dhe pastaj bëjnë kthim aktesh? Jo, unë mendoj, që i mbajnë edhe më shumë se një vit, ka raste. Dhe për këtë arsye ne kemi kryer përgjatë gjithë viteve që kanë kaluar edhe inspektime tematike edhe inspektime individuale për çështje të gjyqtarëve që kanë kaluar dosje apo çështje, që kanë kaluar afatet. Ka pasur raste të procedimeve të magjistrarëve në këshilla, ka pasur edhe masa të marra nga këshillat në raport me procedimet disiplinore të kërkuara.

Pyetja tre. A e dini se prokurorët më shpejt mbarojnë hetimet, por nuk bëjnë kthim sendi…?

Natyrisht problematika në sistem janë shumë, mundohemi t’i ndjekim të tëra edhe në bazë të ankesave edhe në bazë të inspektimeve tematike që kryejmë, apo në bazë të informacioneve që marrim nga mediat. Kjo është një çështje që do e shikojmë, nuk ka qenë pjesë e ankimeve në dijeninë time deri tani, apo nuk ka qenë pjesë thelbësore e inspektimeve, duke pasur parasysh që sistemi ka edhe shumë gjëra të tjera.

A jeni në dijeni se ka shumë të pandehur, se pas amnistisë….? Po jam në dijeni edhe në bazë të informacionit që është bërë publik nga media edhe në bazë të një ankese që ka ardhur nga Avokati i Popullit. Kemi nisur menjëherë verifikimin. Deri tashmë ka rezultuar 70 praktika që i japin dyshimin Inspektorit të Lartë të Drejtësisë se ka çështje për të verifikuar më tej. Janë praktika që janë në verifikim dhe do kalojnë më tej, sipas procedurave që parashikon ligji.

A keni nisur hetim kryesisht…po edhe kjo ka lidhje me pyetjen e dytë. Kemi kryer edhe inspektim tematik, por edhe inspektime individuale në raport me ankesat që kanë ardhur për gjyqtarët që janë në tejkalim të afateve. Madje sot ka përfunduar edhe hetimi i dy magjistratëve, të cilët do dërgohen brenda muajit për procedim disiplinor para këshillave pikërisht për këto vonesa që po flasim.

Harta e re gjyqësore si u rezulton…? E thashë edhe në fjalë që harta e re padyshim ka krijuar sfida. Sipas informacionit që ne kemi ka krijuar sfida edhe përsa i përket administrimit, edhe vonesave padyshim. Këto janë çështje, që ne jemi munduar ti trajtojmë, ti analizojmë edhe në bazë të inspektimeve tematike që ne mundemi të kryejmë. Por besoj që është herët për të vlerësuar nëse harta është e suksesshme apo jo.

Në lidhje me pyetjen e parë. Do doja të keni pak durim, sepse është përgjigje pak e gjatë.  Inspektori i Lartë i Drejtësisë në momentin e fillimit të detyrës në datën 01.02.2020, ka kërkuar nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, dhe Ministrisë së Drejtësisë të dërgohen pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë:

– Ankesat e depozituara nga çdo person fizik, ose juridik lidhur me pretendimin për shkeljet e kryera nga ana e magjistratëve;

– Çdo dosje disiplinore në proces hetimi;

– Çdo problematikë të konstatuar që ka të bëjë me përmbushjen e detyrave funksionale të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;

– si dhe çdo çështje lidhur me inspektimet tematike dhe institucionale sipas kërkesave të nenit 194, pika 4, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.

Në fillim të këtij procesi, nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor është përcjellë fondi i parë i praktikave dokumentare i përbërë në total nga 757 ankesa, pjesa më e madhe e të cilave ndodhej në fazën e shqyrtimit fillestar. Në të njëjtën kohë, nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor (dhe ish-KLD), vetëm gjatë periudhës Gusht-Shtator 2020, janë depozituar në total pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe 1347 praktika të tjera të ish-KLD-së.  Gjatë vitit 2020 në kuadër të aktiviteteve të ndryshme ndërgjegjësuese, pranë ILD-së janë depozituar gjithashtu edhe 950 ankesa të reja, duke sjellë si pasojë administrimin e një fondi arkivor të përbërë prej 3054 ankesa deri në datën 31.12.2020.

Ky fond i konsiderueshëm arkivor përbëhej nga ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht, apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, Ndërkohë pjesë të këtij fondi arkivor ka pasur dhe një numër të konsiderueshëm rastesh apo praktikash për të cilat kishte nisur procesi i hetimit administrativ, por nuk ishte përfunduar nga ana e organeve të mëparshme, si Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Procedurat e ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara apo të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, rezultoi se ishin zhvilluar në mënyrë jo të plotë dhe të pjesshme.

Në funksion të trajtimit të këtyre ankesave apo praktikave të trashëguara nga ana e organeve të mëparshme, janë miratuar nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 3 (tre) urdhra me karakter të përgjithshëm për administrimin, kategorizimin, si dhe përcaktimin e mënyrës së trajtimit të tyre. Konkretisht:

  • Urdhri nr. 66, datë 28.09.2020 “Për ngritjen e grupit të punës, për administrimin dhe kategorizimin e ankesave të dorëzuara pranë organeve kompetente gjatë periudhës kalimtare, deri në ngritje të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”;
  • Urdhri nr. 98, datë 12.11.2020 “Për ngritjen e grupit të punës për vazhdimin e trajtimit të ankesave apo praktikave të përcjella nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”;
  • Urdhri nr. 41, datë 19.02.2021 “Për shpërndarjen e ankesave të mbartura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe të administruara pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.

Me miratimin e akteve të sipërpërmendura, është bërë administrimi dhe kategorizimi i të gjitha ankesave të dorëzuara pranë organeve kompetente gjatë periudhës kalimtare dhe të përcjella për trajtim pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ky kategorizim është bërë për të grupuar praktikat në mënyrë që të lehtësonte procesin e shqyrtimit. Në përfundim të procesit të kategorizimit, praktikat janë shpërndarë për trajtim sipas një rendi përparësie bazuar në kritere si:

– data e dorëzimit;

– faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme;

– tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës;

– respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Ndërkohë, një kujdes i veçantë i është kushtuar ankesave dhe praktikave ku është propozuar, apo ka filluar hetimi disiplinor; ankesave në të cilat ngrihen pretendime për veprimtari të kryera jashtë afatit të parashkrimit; si dhe ankesave në fazën e verifikimit dhe të pezulluara deri në pritje të përfundimit të gjykimit nga gjykatat më të larta.

Nga data 01.02.2020 deri në datën 31.05.2024, procesi i shqyrtimit të ankesave, ka qenë një proces që ka tejkaluar pritshmërinë tonë lidhur ngarkesën normale të punës, si dhe kapacitet e burimeve njerëzore në dispozicion. ILD ka shqyrtuar 6499 ankesa (85 %) nga 7600 ankesa që përbën numrin e përgjithshëm të ankesave të depozituara në ILD. Gjatë vitit 2023 është përfunduar shqyrtimi dhe trajtimi i 2104 ankesave të trashëguara, duke mundësuar që ILD të mos mbartë aktualisht ankesa të trashëguara nga ana e institucioneve gjatë periudhës kalimtare (backlog), por të vijojë me efektivitet veprimtarinë, si dhe shqyrtimin e ankesave të ardhura në mënyrë të drejtpërdrejtë pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Nga shqyrtimi i ankesave të fondit të trashëguar është vënë re se në ankesa paraqiten pretendime për veprime apo mosveprime të cilat lidhen me çështje që i përkasin vendimmarrjeve të gjykatave apo veprimeve hetimore të hershme (2012-2017), të cilat në momentin e shqyrtimit nga ILD, kanë qenë parashkruar pasi koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar ka qenë më shumë se pesë vjet. Numri i ankesave të parashkruara në momentin kur janë regjistruar në ILD është 625, prej të cilave 99 janë parashkruar në ILD, ose 1.3%, e totalit të ankesave të trashëguara nga organet e mëparshme. Sot në ILD, nga ankesat e depozituara drejtpërsëdrejti në institucionin tonë, nuk rezulton asnjë rast të parashkruar, kjo pasi një kujdes të veçantë i është kushtuar respektimit të afatit ligjor prej pesë vitesh nga momenti kur pretendohet se ka ndodhur shkelja e pretenduar.

Shqyrtimi i çdo ankese është realizuar në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, për të siguruar nga njëra anë magjistratët për realizimin e një procesi të rregullt, dhe nga ana tjetër për të ofruar sigurinë se të gjitha ankesat do të shqyrtoheshin për të shmangur pandëshkueshmërinë.  Në këtë drejtim janë hetuar 111 magjistratë, për 40 prej të cilëve është kërkuar fillimi i procedimit disiplinor pranë Këshillave. Për asnjë magjistrat të hetuar nuk ka patur shkelje të afateve të hetimit dhe as ankim të bërë nga magjistrati për shkelje të procedurës, dokumentacionit provues dhe afateve procedurale të hetimit.

Prioritizimi i punës për të shqyrtuar pretendimet më të hershme në kohë, rëndësinë dhe pasojën e shkeljes, sigurisht që kanë ndikuar në respektimin e afateve të përcaktuara, por në asnjë rast nuk kanë ndikuar në vlerësimin e drejtë dhe të paanshëm në shqyrtimin e kritereve të pranueshmërisë së ankesës, apo të kryerjes sëprocesit të verifikimit apo hetimit të plotë disiplinor. Ky nuk është vetëm një vlerësim i njëanshëm institucional nga ana e institucionit të ILD, por një tregues i qartë nëpërmjet vendimmarrjeve të Komisionit të Përkohshëm të Shqyrtimit të Ankimeve në Këshilla për shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimmarrjes së ILD-së, ku për 4 vite radhazi, vijon të mos ketë asnjë ankim të pranuar ndaj 10 vendimeve të ankimuara për mbylljen e hetimit disiplinor.

Gjatë periudhës kohore 01.02.2020 deri në datën 31.05.2024, kapaciteti i burimeve njerëzore në ILD, që ka për objekt të veprimtarisë së tij trajtimin e ankesave, si dhe çështjet e hetimit disiplinor, apo zhvillimin e inspektimeve tematike/ institucionale, ka qenë dinamik dhe me ndryshime. Mungesa e interesit nga ana e magjistratëve gjyqtarë për komandimin e tyre në pozicionin inspektorë pranë ILD-së, ka përbërë në vetvete një pengesë në mbarëvajtjen e veprimtarisë. Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka vlerësuar të propozojë ndryshime ligjore për kriteret që duhet të plotësojnë magjistratët për komandim pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Konkretisht për vitin 2020, numri faktik i punonjësve në njësinë e inspektorëve ka qenë 4% duke trajtuar 173 ankesa nga 3054 ankesa të regjistruara pranë zyrës së ILD-së. Përgjatë këtij viti është zhvilluar edhe një inspektim tematik. Për vitin 2021 kapaciteti i burimeve njerëzore ka arritur në 31% duke trajtuar 1719 ankesa nga 4127 ankesa të regjistruara pranë zyrës së ILD-së. Për vitin 2022 numri i njësisë ka qenë 38 % të kapacitetit, duke trajtuar 1715 ankesa nga 3467 të regjistruara pranë zyrës së ILD-së. Përgjatë këtij viti janë zhvilluar edhe dy inspektime tematike. Ndërsa për vitin 2023 njësia e inspektorëve ka patur kapacitetin 55 %, duke trajtuar 2340 ankesa nga 3703 të regjistruara pranë zyrës së ILD-së. Ndërsa për 2024 kapaciteti i njësisë është 45% të kapacitetit duke trajtuar 552 ankesa nga 1600 ankesa të regjistruara pranë zyrës së ILD-së. Përgjatë këtij viti janë planifikuar të zhvillohen 6 inspektime tematike.

Në të njëjtën kohë, krahas trajtimit të ankesave, si dhe zhvillimit të inspektimeve tematike apo institucionale, synimi Zyrës së ILD përgjatë ushtrimit të funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore gjatë periudhës kohore 01.02.2020- 31.05.2024, është fokusuar edhe te ngritja dhe fuqizimi i veprimtarisë së tij, përmes përcaktimit të vizionit për drejtimin e punës, vendosjes së standardeve të punës, përcaktimit të kuadrit nënligjor për ushtrimin e veprimtarisë, plotësimit të vendeve vakante, vendosjes së kontakteve me institucionet e tjera të drejtësisë, fillimit të bashkëpunimit me aktorë ndërkombëtarë, si dhe ndërgjegjësimit të publikut mbi rolin e ILD-s dhe veprimtarinë e institucionit.

Megjithatë problematika kryesore, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka hasur gjatë kësaj periudhe kohore është mungesa e burimeve njerëzore. Numri faktik i inspektorëve në 4 vite ka pësuar ndryshime dhe për vitin 2024, duke u reduktuar me 1 inspektor dhe numri faktik është 9 inspektorë nga 20 që përmban organika e institucionit. Nevoja për plotësimin e strukturës me inspektorë magjistratë, është paraqitur në mënyrë të vazhdueshme pranë këshillave përmes kërkesave për komandimin e magjistratëve, shpalljes së procedurave për rekrutimin e inspektorëve jomagjistratë.

Në mënyrë periodike, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i është drejtuar KLGj-së dhe KLP-së me kërkesa për komandimin e magjistratëve.  Edhe pse procedurat janë shpallur nga ana e KLGj-së, nuk ka patur interes nga magjistratët, e për pasojë nuk ka asnjë gjyqtar të komanduar në ILD. Ndërsa nga ana e KLP-së janë komanduar 4 prokurorë, një prej të cilëve ka qenë i pezulluar për shkak të procedurave të rivlerësimit prej korrikut të viti 2021 deri në shkurt të vitit 2024.  Kërkesa e fundit drejtuar KLP-së, nuk është shpallur nga ky Këshill pasi është vendosur mospranimi i kërkesës me arsyetimin e mungesës së prokurorëve me përvojë në sistem dhe se në ILD janë komanduar aktualisht disa prokurorë.

Mungesa e inspektorëve është vërejtur që në fillim të veprimtarisë me shpalljen e parë të bërë nga KLGJ.  Për këtë arsye, nga ana e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë marrë masat e nevojshme për të propozuar ndryshime ligjore që synojnë zgjerimin e rrethit të subjekteve që përmbushin kriteret për të qenë inspektor. Ndryshimet ligjore janë paraqitur pranë Ministrisë së Drejtësisë në dhjetor të vitit 2020 dhe gjatë vitit 2021 janë depozituar në Kuvend. Nevoja për miratimin e tyre është theksuar edhe gjatë seancave dëgjimore të paraqitjes së raportit të veprimtarisë gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023 pranë Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.  Ende sot nismat e propozuara nga ana institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk janë futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla: Pyetje Klotilda Bushka

Deputetja Klotilda Bushka: Faleminderit kryetare! Faleminderit zoti Metani për raportimin tuaj edhe për…Në fakt për përgjigjen ezauruese në lidhje me evadimin e ankesave dhe numrin e lartë të atyre të mbartura, kjo ishte edhe një nga pyetjet e mia. Në fakt do i ndaja pyetjet e mia në dy grupe, janë ankesat e mbartura në strukturat përpara reformës në drejtësi për inspektimet, për të cilat rezulton se keni një evadim tërësor, nuk kemi më ankesa që kanë mbetur pending për t’u trajtuar, më pas janë ankesa të reja, një pjesë e të cilave është tashmë në procesin e hetimit disiplinor, flas për vitin e raportimit dhe më pas të rëndësishme për ne janë edhe inspektimet tematike. Tani unë do ndalem tek ankesat e subjekteve dhe inicimet që kanë nisur me iniciativë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Përsa i takon hetimeve disiplinore rezultojnë që hetime disiplinore për 23 subjekte nga të cilat nisja e hetimit është bërë me ankesë, pra mbi bazën e një ankese, ndërkohë që për dy subjekte është filluar me iniciativë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Pyetja që kam është. A mendoni ju se keni nevojë të të shtoni procedurat e punës në mënyrë që ky numër të rritet, pra i atyre që ju filloni me iniciativë dhe të trajtoni edhe më shumë ankesa të tjera? Sepse ne në komision e kemi diskutuar shpesh, ju keni të drejtë në fakt vërtet përpjekje të vazhdueshme për të plotësuar strukturën tuaj me inspektorë nga radhët e magjistratëve, gjë që e ka bërë të pamundur për efekt të mospasjes së interesit nga ana e magjistratëve edhe nga vakancat që janë krijuar në sistem dhe nga kriteret, të cilat janë të tilla që duke u parë në fakt në përputhje me rrethanat faktike që ka sot sistemi, e bën të vështirë plotësimin me inspektorë nga radhët e magjistratëve. Për shembull, për periudhën e raportimit janë 10 vakanca dhe 6 vijnë për inspektorët nga radhët e magjistratëve, por ama në sistem janë edhe 4 pozicione vakante për inspektorë, që vijnë nga radhët e juristëve. Në lidhje me rekrutimin e inspektorëve nga radhët e juristëve deri në raportimin e fundit nuk kishim ende ndonjë progres, nga momenti i raportimit në komision deri më sot keni plotësime të këtyre vakancave nga radhët e jomagjistratëve? Dhe a duhet që ndoshta të shihen, ndoshta të dakordësohen, sepse ndryshimi i kritereve në ligj për inspektorët magjistratë janë me standardet e aplikueshme në vendet e BE, siç edhe të gjithë anëtarët e komisionit, siç edhe ju jeni një dijeni, kanë një lloj diskutimi me ekspertët e BE për një dakordësi, por ndërkohë kjo dakordësi dhe ky proces parlamentar po ecën, por a mund të gjendet mënyra të tjera për të trajtuar ankesat pa pasur stafe nga inspektorët jomagjistratë në mënyrë që puna juaj të ecë dhe çështja tjetër ka të bëjë me inspektimet tematike? Thatë keni përfunduar 4 inspektime tematike në momentin që flasim, ndërkohë që në kohën e raportimit ishin dy, një për afatet e gjykimeve, shumë e rëndësishme në gjykimin tonë dhe çështje të tjera që ju i trajtuat në raportimin tuaj. Për çfarë janë dy inspektimet e tjera tematike dhe nëse në këto dy inspektime? Ka lidhje me shqetësimet që janë ngritur shpesh në komision, por tashmë së fundmi edhe në raportin e komitetit për parandalimin e torturës së Këshillit të Europës, ku është shumë problematike shifra e të paraburgosurve në raport me atë të të dënuarve në Shqipëri dhe të gjitha institucionet duhet të marrin masa për të adresuar këtë fenomen, sepse jo vetëm që ne i shkelim standardet nuk respektojmë të drejtat e njeriut, por nga ana tjetër jemi edhe mospërmbushës të atyre detyrimeve që na vijnë nga ndërkombëtarët si vend anëtar të Këshillit të Europës. Dhe nëse nuk ka një trajtim ende nga ana juaj për këtë çështje, a do të jetë kjo në planin e inspektimeve për punën në vijim? Ndërkohë që është rekomandim në fakt. Në rezolutë, çështja e rekomandimeve është një tërësi procedurash në gjykimin tim të komplikuara edhe në ligj për mënyrën sesi zbatohen detyrat.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në lidhje me pyetjen e parë, në lidhje me ankesat, a ka mundësi apo është rasti për të bërë një rivlerësim metodologjisë së shqyrtimit të ankesave dhe efiçensës së punës. Unë mendoj që përgjigjja është jo, jemi munduar ta zgjidhim këtë me mjete të tjera të organizimit të punës. Së pari njëherë, backlog-u që u hoq ishte një lehtësi shumë e madhe për punën e inspektorëve dhe kjo i ka dhënë një tjetër dinamikë dhe punës në institucion, sepse ankesat e vjetra kërkonin më shumë punë se një ankesë e zakonshme për shkak të vjetërsisë së informacionit të munguar. Kjo i ka dhënë një dimension tjetër efektivitetit të punës. Së dyti, kemi arritur një dakordësi me Këshillin e Lartë Gjyqësor, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë, të ketë qasje në sistemin që përdorin gjykatat, sepse një nga fazat e punës më të rëndësishme që ka Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që është verifikimi i ankesave, sot i merr shumë kohë sepse çojmë dhe marrim letra nga gjykata, ose në zyra prokurorie, shkon një muaj në varësi të çështjes. Kështu që marrëveshja që kemi bërë me KLGJ-në është që ILD të ketë qasje në sistem dhe i gjithë ky proces verifikimi do shmanget, pra s’do ketë më nevojë për një muaj ose dy muaj në varësi të ankesave, por do bëhet brenda pak ditësh. Kjo do t’i japë tjetër dinamikë dhe respektimit të afateve dhe trajtimin e më shumë ankesave. Nuk shoh për momentin nevojë për ndryshim metodologjie. Puna është dinamike dhe sjell dhe nevojë, por për momentin, këto dy përgjigje kam. Për pozicionet vakante, unë e kuptoj dhe reagimin e komisionit, nuk e keqkuptoj aspak, por kjo është një çështje që duhet trajtuar gjithsesi. Unë e kuptoj që sistemi mund të preket duke bërë ndryshime ligjore përsa i përket kritereve për magjistratë, por situata është e tillë. Nuk ka interes nga ata magjistratë që kanë mbi 13 vite eksperiencë pune. Në dijeninë time, ka prokurorë që kanë interes dhe për këtë arsye kam këmbëngulur që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të shpallë vakanca. Ka një vit që Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk pranon ta kryejë këtë shpallje sipas arsyetimit të tyre, por gjithsesi kjo është situata. Tani, ndryshime ligjore nuk ka, shpallje nuk ka…Dhe unë e kam detyrim ligjor për inspektorët që gjysma e trupës së tyre të kenë magjistratë, por nuk është kjo më themelorja. Themelore është niveli profesional që sjellin inspektorët magjistratë, sidomos të profilit gjyqtar përsa i përket punës që duhet të bëjë Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Sa i përket inspektorëve jomagjistratë, janë bërë dy herë thirrje. Procedura zgjat një vit, sepse merren informacione, që bëhet vetting i gjithë kandidaturave. Ka patur gjithmonë shumë kandidatura prandaj ka zgjatur dhe procesi. Për hir të së vërtetës, shpalljen e fundit e kemi bërë para dy muajsh ndoshta ka qenë një ditë pasi kemi raportuar pranë Komisionit të Ligjeve. Deri tani janë paraqitur pas përfundimit të aplikimit, rreth 19 kandidatura. Natyrisht ka filluar punë komisioni i trajtimit të çdo kandidature në përputhje me ligjin, por siç thashë procedura merr gati 10-11 muaj.

Për inspektimet tematike, inspektimet e para janë kryer inspektimet që i kemi detyrim nga ligji përsa i përket çështjes së shortit të ndarjes së çështjeve në prokurori. Kemi kryer ne 2022 dhe 2023 dhe këtë vit kemi filluar inspektime për këto çështje. Veç tyre, kemi inspektuar dhe rastin e zëvendësimit të prokurorëve, që është dhe rasti që shfaq shqetësim sipas ankesave që kanë ardhur dhe nga qytetarët. Kemi trajtuar çështje lirimi para kohe me kusht, kemi trajtuar dhe një inspektim që na ka ardhur edhe si kërkesë nga partnerët ndërkombëtarë përsa i përket zgjedhjes apo mundësisë për të shkurtuar procedurat gjyqësore. Këto janë kryesisht inspektimet tematike që janë dhe në raport. Ajo që dua të them se procedura e hartimit të planit të inspektimit bëhet në përputhje me metodologjinë e punës që e kanë miratuar inspektorët që punojnë në ILD. Së pari, kërkohet një informacion apo i dërgohet një letër këshillave, Ministrit të Drejtësisë apo Prokurorit të Përgjithshëm nëse ata kanë sugjerime për plane, apo inspektimeve tematike që mund të kryhen, sipas informacionit që ata kanë, apo mendimit që ata kanë. Kjo praktikë është ndjekur në çdo vit që prej fillimit të punës së ILD-së. Për hir të së vërtetës, dy institucione që kanë qenë gjithmonë permanent në kërkimin e mendimeve për inspektimet tematike ka qenë Prokurori i Përgjithshëm, më pas Ministri i Drejtësisë. Këshillat nuk kanë qenë bashkëpunues përsa i përket ideve dhe mendimeve që duhet të japin në lidhje me atë që duhet të inspektohet ose ndryshuar në sistem. Më pas, ky planifikim bazohet edhe në bazë të ankesave, pra cila ka qenë problematika më e madhe që vjen nga ankesat e qytetarëve dhe aty fokusojmë dhe ato pak burime njerëzore që kemi. Natyrisht, edhe në varësi të atyre çështjeve që publikohen ne media që mund të jenë pjesë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që mund të adresohen nëpërmjet nje inspektimi tematik. Kjo është metodologjia që ndjekim përsa i përket kryerjes së inspektimeve tematike, duke balancuar dhe ato pak burime njerëzore, sepse nga njëra anë janë dhe inspektimet tematike, nga ana tjetër janë dhe trajtimi i ankesave, hetimi disiplinor që kryhet që padyshim duan kohën e tyre edhe burimet e veta njerëzore. Në lidhje me çështjen që thatë, kjo nuk ka qenë pjesë e një inspektimi tematik deri më sot, por do e propozojmë ne mbledhjen me inspektorët në varësi të të gjithë propozimeve që vijnë edhe brenda sistemit por edhe nga partnerët, pasi ata kanë kërkuar që ky inspektim që përmenda më sipër, të vazhdojë dhe për vitin 2025. Do e marrim në vlerësim dhe do e vlerësojmë në përputhje me ato mundësi që kemi

Pyetja e deputetes Ina Zhupa: Ju si Inspektor i Lartë i Drejtësisë, a keni kryer ndonjë inspektim tematik ose në bazë ankese ne Prokurorinë e Posaçme mbi shkeljen e të drejtave të njeriut apo për standarde të dyfishta?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Siç e thashë edhe më parë, nga viti 2020 kur ka filluar ILD-ja deri më sot janë paraqitur 81 ankesa ndaj SPAK, janë trajtuar 54, dhe 27 janë në shqyrtim. Ndaj Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ardhur 41 ankesa, janë trajtuar 27 dhe 14 janë në shqyrtim. Për Gjykatën e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kanë ardhur 40 ankesa, 35 janë trajtuar dhe 5 janë në shqyrtim. Për Gjykatën e Lartë, kanë ardhur 96 ankesa, 66 janë trajtuar dhe 30 janë në shqyrtim. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kanë ardhur 18 ankesa, 13 janë trajtuar dhe 5 janë në shqyrtim. Për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kanë ardhur 8 ankesa, 3 janë trajtuar dhe 5 janë në shqyrtim. Për Prokurorin e Përgjithshëm, kanë ardhur 10 ankesa, 5 janë trajtuar dhe 5 në shqyrtim.

Deputeti Flamur Noka:  Nuk do të ju pyes në lidhje me skandalin e inceneratorëve, kur keni qenë drejtor juridik i kryeministrisë, por do ju bëj një pyetje në lidhje me një çështje që i takon ILD-së: A keni nisur ju, procedim disiplinor, për gjyqtaren Irena Maneku, Gjoka, Shpata, për fshehjen e dënimit me vendim gjykate në shtetin fqinj të Greqisë. Apo për mos deklarime të tjera të saj, siç janë detyrimet ligjore, apo për të hetuar mënyrën se si ajo në vitin 2004, shkoi në Itali, ndërkohë që 2 vite më parë, Greqia i kishte ndaluar asaj për shkak të dënimit dhe mashtrimeve lëvizjen në 27 vendet Shengen të BE-së. A mbani ju si ILD, si një organ i ri i drejtësisë së re, përgjegjësi se si kjo zonjë e dënuar në Greqi, të jetë sot përfaqësuesja e drejtësisë së re. Faleminderit!

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Së pari, ju nuk e bëtë pyetjen, por gjithsesi, do ta jap një përgjigje. Çështja është nën hetim dhe e dinë ata që po e hetojnë këtë çështje. Përsa i përket Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, apo Artur Metanit, të jeni i sigurt se nuk kam asnjë problem.

E dyta, me pyetjen. E ndjekim me prioritet çdo informacion publik që del për këdo edhe për gjyqtaren Irena Gjoka dhe po e trajtojmë në përputhje të ligjit 96, viti 2016 për statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit në Republikën e Shqipërisë.

Lindita Nikolla: Faleminderit!