EKIPI I ILD-SË PËRFUNDON FAZËN E DYTË TË TRAJNIMIT MBI INSPEKTIMET

Njësia e Inspektorëve dhe ajo e ndihmës inspektorëve pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilluan një trajnim 3 ditor në Tiranë, mbi rritjen e efikasitetit të ILD-së në drejtim të inspektimeve tematike dhe institucionale, mbështetur nga projekti EU4Justice.

Trajnimi kishte në fokus përgatitjen, kryerjen dhe analizimin e inspektimit institucional pranë gjykatave dhe prokurorive dhe u zhvillua si ndërthurje e kuptimit teorik me zhvillimin e aftësive në praktikë, për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe bashkëpunues në konceptimin dhe kryerjen e inspektimit institucional, nga eksperti magjistrat francez, z.Vincent Delbos dhe ekspertja magjistrate rumune znj.Nicoleta Rhfir. Pjesë e këtij trajnimi ishin edhe çështjet etike për inspektimet institucionale e më tej, hetimet disiplinore.

Aktiviteti është faza e dytë e trajnimit të zhvilluar në qershor të këtij viti me të njëjtin fokus, si pjesë e projektit për forcimin e kapaciteteve të inspektorëve dhe ndihmës inspektorëve të ILD-së në përmbushjen e funksioneve, në përputhje me nenin 194 të Ligjit Nr. 115/2016 për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, bazuar mbi praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Forcimi i kapaciteteve të njësive të inspektimit përmes trajnimit të vazhdueshëm me standardet dhe praktikat më të mira të punës, europiane e ndërkombëtare është prioritet sistematik i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.