Një ekip i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i përbërë nga Njësia e Inspektorëve, e Ndihmës Inspektorëve, Drejtorisë së hartimit të akteve dhe shërbimeve juridike, të sektorit të Metodikës e standardeve, sektorit të Arkiv-protokollit, trajtimit të Ankesave dhe të sektorit të Teknologjisë së Informacionit, morën pjesë në një seri sesionesh pune, me një mision ekspertësh spanjollë, mbi vlerësimin e gjendjes dhe përparimin e bërë lidhur me ngritjen e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë (SMC), për të vijuar me një plan të transformimit digjital, në funksion të trajtimit të ankesave në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Eksperti i lartë z. Álvaro García vuri në dukje se aktiviteti është pjesë e mbështetjes së projektit EU4Justice për forcimin e kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Misioni i ekspertëve spanjollë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë paraqiti eksperiencën e këtyre institucioneve, në funksion të rritjes së eficencës së ILD-së për trajtimin e ankesave, propozimin e zgjidhjeve dhe vlerësimin e protokolleve të punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbi cilësinë e menaxhimit të procesit të ankesave dhe një plan afatgjatë transformimi digjital.
Aktiviteti është vijim i eksperiencës së marrë në maj të këtij viti nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Spanjës mbi situatën teknologjike të institucionit.