METANI: KOORDINIMI INSTITUCIONAL I SHËRBEN CILËSISË SË DREJTËSISË

Tiranë, 13 dhjetor 2024

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim pune në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku u prit nga anëtarë të KLP-së, këshilltarë ligjorë dhe përfaqësues të Njësisë Mbështetëse të Komisioneve të Këshillit.

Në qendër të bashkëbisedimit ishte trajtimi i sfidave që lidhen me komunikimin institucional dhe forcimi i mëtejshëm i sinergjisë së bashkëpunimit mes dy institucioneve për një sistem drejtësie efikas e më të qëndrueshëm.

Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, z. Metani vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke theksuar se dialogu i vazhdueshëm mbetet instrumenti kyç për përmbushjen e misioneve të dy institucioneve.

“Institucionet e drejtësisë në tërësi, por mbi të gjitha Këshillat (KLGJ e KLP) dhe ILD, duhet të flasin në të njëjtën gjuhë. Për t’i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit dhe gjithë sistemit në tërësi është thelbësore të tregojmë bashkëpunim dhe sinergji në adresimin e problemeve. Ndarja dhe respektimi i pushteteve është dimensioni i rëndësishëm për të ruajtur integritetin dhe figurën e institucioneve. Institucionet tona janë të pavarura, të pavarura edhe në vendimmarrje, por duhet të flasim të njëjtën gjuhë vlerash, të transmetojmë të njëjtën fryme vlerash, mbi të cilat u ngrit reforma në drejtësi dhe mbi të cilat, bazohet shteti i së drejtës.”, tha mes të tjerash z. Metani.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe inspektimet tematike dhe ato institucionale, normimi i disiplinës në punën e magjistratëve, si dhe trajtimi i rasteve, që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Ne takim u theksua nevoja për të krijuar një standard të përbashkët për normimin e raporteve mes drejtuesve të prokurorive/gjykatave dhe magjistratëve, duke tejkaluar çështjet, që ligji nuk i qartëson, me profesionalizëm dhe bashkëpunim institucional.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e falënderuan z. Metani për angazhimin e tij, duke vlerësuar marrëdhënien mes dy institucioneve si korrekte dhe të bazuar në respektimin e ligjit. Ata theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi për të ruajtur besimin e publikut dhe standarde të larta etike e profesionale.

Ky takim pune mes ILD-së dhe KLP-së shërbeu për të reflektuar angazhimin e përbashkët për një sistem drejtësie transparent dhe të drejtë.