FJALA PËRSHËNDETËSE E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË NË TAKIMIN E NIVELIT TË LARTË MBI LLOGARIDHËNIEN GJYQËSORE

Mirëmëngjes të gjithëve!

Është kënaqësi e veçantë për mua të ndodhem në këtë event, me kolegë të institucioneve të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë që na asistojnë prej vitesh dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për një temë që mendoj se të gjithë e kemi për zemër, pavarësinë e llogaridhënien, dy prej dimensioneve të integritetit të gjyqësorit.

Gjej rastin të falenderoj për organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë me autoritete të institucioneve të drejtësisë, projektin MATRA të Mbretërisë së Holandës, që në dy vitet e ardhshme do fokusohet bashkë me trupën e inspektorëve e ndihmës inspektorëve në ILD, në diskutime e trajnime për përmirësimin e standardeve etike të magjistratëve dhe promovimin e transparencës, përmes shkëmbimit të njohurive me ekspertë gjyqësorë holandezë, me synim sigurimin e qëndrueshmërinë afatgjatë të reformave gjyqësore në Shqipëri. Njëlloj do punojnë edhe me gjyqtarë e prokurorë me Shkollën e Magjistraturës, pra impakti pritet të jetë i gjerë.

Faleminderit znj. Cetinel si përfaqësuese e ambasadës, znj. Blaisse nga Shkolla e Magjistraturës së Holandës, që do moderojë takimin sot dhe gjyqtari Fierstra, të cilin kam patur kënaqësinë ta takoj vitin e kaluar në zyrën e tij në Gjykatën e Lartë në Hagë, e që sot do na sjellë perspektivën holandeze mbi llogaridhënien dhe etikën në gjyqësor.

Ambasada e Mbretërisë së Holandës, si dhe partnerët e tjerë, që i kemi sot këtu, e gjej rastin t’i përshëndes sepse kanë qenë gjithmonë bashkëudhëtarët e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e të institucioneve të drejtësisë, gjykatave e prokurorive, në rrugëtimin për ngritjen e fuqizimin e kapaciteteve profesionale, përmes formimit të vazhdueshëm me standardet më të mira të punës.

Njëlloj edhe Organizatat e Shoqërisë Civile, që kanë qenë pranë proceseve tona të rritjes profesionale, përmes projekteve të ndryshme, sugjerimeve, e komunikimeve të vazhdueshme, një vlerë e shtuar mendoj për çdo institucion publik.

Kam besim se refleksionet profesionale të institucioneve tona mbi llogaridhënien e pavarësinë gjyqësore, që do ndajmë sot me njëri tjetrin dhe të gjithë ju,  janë një mundësi e mirë, për të kuptuar më qartë dimensionet e punës së gjithsecilit, nisur nga praktika jonë e përditshme e punës përkundër perceptimeve të ndryshme publike, mbi mbikëqyrjen, transparencën dhe standardet profesionale, si elementë të interesit tonë të përbashkët për përmirësimin e eficencës së sistemit të drejtësisë dhe forcimin e besimit të publikut, arsyen kryesore për të cilën u ndërmor dhe miratua reforma në drejtësi në Shqipëri.

Faleminderit e punë të mbarë të gjithëve!