METANI: VETËPËRMBAJTJA ËSHTË DETYRË E MAGJISTRATËVE, THELBI I SHTETIT LIGJOR E I VLERAVE EVROPIANE ËSHTË MËNYRA SESI SILLEMI, EDHE KUR NUK BIEM DAKORD ME VENDIMET E NJËRI-TJETRIT

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë me institucione të drejtësisë mbi pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore, organizuar nga projekti “MATRA” i qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, për të lançuar projektin dy vjeçar “Forcimi i integritetit gjyqësor”, që zbatohet nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin.

Në fjalën e tij Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se kur flitet për pavarësi, së pari duhet bërë dallimi mes pavarësisë së magjistratëve gjatë vendimmarrjes së tyre për çështje konkrete dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor në kuadër të organizimit dhe funksionimit të tij nga pikëpamja strukturore dhe sistemike. “Të dy këto koncepte janë thelbësore për një pushtet gjyqësor të pavarur. Pavarësia individuale e magjistratëve, duhet të kuptohet si një vlerë personale dhe një parakusht për zhvillimin e një procesi gjyqësor ligjor dhe të drejtë. Në këtë rast pavarësia individuale duhet kuptuar si një e drejtë e magjistratëve, por edhe si një detyrim i tyre, për të marrë vendime në mënyrë objektive, të pavarur nga politika, por jo vetëm nga politika, të pavarur për të gjithë dhe nga të gjithë, të lirë nga çdo ndërhyrje apo ndikim, dhe në përputhje me faktet si dhe me legjislacionin në fuqi”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë foli edhe për efektin e kritikave publike ndaj vendimmarrjeve gjyqësore. “Kur kritikat shkojnë përtej kufijve të vlerësimit ndryshe të një vendimmarrje gjyqësore, atëherë këto ndërhyrje nuk ndikojnë vetëm në mënyrën sesi magjistratët marrin vendime, por gjithashtu minojnë besimin publik tek institucionet e pushtetit gjyqësor. Dhe besoj se kjo është kostoja më e madhe që mundohet të balancojë parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve në një shoqëri demokratike, pikërisht për shkak të funksionit të pazëvendësueshëm që ka pushteti gjyqësor në një shoqëri të tillë”.

Por, vërejti z. Metani, ndryshe nga pushtetet dhe institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën e që është vetëpërmbajtja. “Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera. Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikërisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”.

Duke folur për standardet e përgjegjshmërisë, zoti Metani renditi masat që parashikon ligji si mekanizëm parandalues dhe mekanizmat shtesë për gjyqtarët e prokurorët, me qëllim garantimin e mëtejshëm të një sistemi gjyqësor profesional dhe me integritet, si dhe funksionin kontrollues të ILD-së. “Cilësia e një sistemi drejtësie nuk matet apo vlerësohet nga aftësia për të ndëshkuar, apo sanksionuar magjistratët, por matet me mundësitë, mekanizmat dhe kapacitetin për t’i parandaluar sjelljet në kundërshtim me ligjin apo rregullat etike”.

Ndërsa si emërues të përbashkët të përpjekjeve të të gjitha institucioneve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë evidentoi besimin e publikut tek gjyqësori. “Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij. Kjo vlerë nuk fitohet me retorikë, por me veprim dhe sjellje konkrete. Sfida jonë, si institucione të sistemit të drejtësisë, është pikërisht gjetja e këtij ekuilibri të drejtë, ndërmjet sistemit të përgjegjshmërisë dhe atij të përgjegjësisë, i cili është njëkohësisht sfida më e madhe e çdo demokracie funksionale”.

Aktiviteti u përshëndet nga e Ngarkuara me Punë, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri znj. Asli Cetinel dhe znj. Margreet Blaisse, Drejtore e Qendrës Holandeze të Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin, që është zbatuese e projektit 2 vjeçar për trajnimin e gjyqtarëve e prokurorëve përmes Shkollës së Magjistraturës dhe inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. 

Gjyqtari Marc Fierstra, anëtar i Gjykatës së Lartë të Holandës dhe President i Shoqatës Holandeze për Gjyqësorin solli eksperiencën holandeze të drejtësisë mbi llogaridhënien dhe etikën në gjyqësor.

Për llogaridhënien, paanshmërinë dhe integritetin në gjyqësor nga perspektiva e institucioneve të tyre, referuan z. Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë, z. Altin Dumani, drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Erjon Bani, Drejtues i Përkohshëm i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, z. Kosta Beluri nga Prokuroria e Përgjithshme, znj. Evgjeni Bashari, Drejtuese e ILDKPKI dhe z. Sokol Berberi, Përgjegjës i Formimit Fillestar, Shkolla e Magjistraturës.