FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PARA KUVENDIT MBI VEPRIMTARINË E INSTITUCIONIT PËR VITIN 2024

E nderuar drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Si çdo vit, po paraqes para këtij Kuvendi informacionin për veprimtarinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024. Ju e keni raportin përpara dhe shifrat dhe të dhënat gjenden atje dhe nuk do të doja të isha përsëritës i shifrave të shkruara në raport. Por, në mënyrë shumë telegrafike, të dhënat statistikore për vitin 2024 për veprimtarinë e ILD janë:

Gjatë vitit 2024, ILD kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto ka trajtuar 1374 ankesa. 54 prej tyre kanë përfunduar me hetim disiplinor. Gjatë vitit 2024 ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, konkretisht janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që variojnë nga shkarkimi nga detyra, deri tek vërejtja konfidenciale. Veç ankesave dhe procedimeve disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe 6 inspektime tematike, të cilat kanë përfunduar me 54 rekomandime, prej të cilave, 9 lidhen me marrjen e masave për nxjerrje aktesh, 29 me ndërmarrjen e masave administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për procedura të mëtejshme verifikuese. Për të gjitha vendimmarrjet e trajtimit të ankesave nga ana e Inspektorit te Lartë të Drejtësisë, gjatë vitit që shkoi, ka pasur vetëm 89 ankime pranë KLP ose KLGJ, sipas rastit. Asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është cenuar.

Megjithatë, përtej shifrave, të cilat tregojnë dinamikë dhe funksionalitet të mekanizmit llogaridhënës të gjyqtarëve dhe prokurorëve, unë vlerësoj se është e domosdoshme, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të vijë përpara jush, edhe me një panoramë të gjendjes së sistemit të drejtësisë, natyrisht sipas këndvështrimit të ILD, për të prezantuar para jush sfidat me të cilat përballet sistemi dhe çështjet që duhet të adresojmë ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë dhe publikë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, bazon punën e tij së pari, te ankesat që i paraqiten nga qytetarë apo nga institucione të ndryshme, së dyti, në inspektimet tematike, që ai kryen dhe këtu duhet evidentuar që numri i inspektimeve është rritur cdo vit, së treti nëpërmjet mekanizmave të tjerë administrativë, që ka ngritur ILD, për të marrë informacion për punën e gjykatave dhe prokurorive, tej atyre që paraqesin ankesat apo inspektimet tematike. Bazuar në këto drejtime është përgatitur edhe panorama, që dëshiroj të paraqes përpara jush, për çështjet me të cilat përballet sistemi sot, me mënyrën si i ka adresuar ILD këto çështje dhe sfida të tjera, të cilat duhen adresuar nga organet e drejtësisë dhe nga aktorë të tjerë institucionalë dhe publikë.  

Nga veprimtaria e vet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar disa problematika dhe konkluzione, si më poshtë:

  1. Kohëzgjatja e gjykimeve tej afateve të arsyeshme zvarritja e veprimeve hetimore dhe vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore

Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Për sa vërehet, problematike vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, jurisprudenca e GJEDNj, por dhe në raportet e organizmave ndërkombëtare. Në vendimmarrjen e saj të fundit, GjEDNj ka adresuar edhe rekomandime konkrete për autoritetet vendase, duke theksuar nevojën e plotësimit të vakancave në Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore, për të cilën u ideua dhe u ndërmor reforma në drejtësi.

Nëpërmjet instrumenteve ligjore në dispozicion, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka adresuar këtë problematikë, nëpërmjet rekomandimeve të natyrës rregullatore dhe administrative, që kanë rezultuar nga inspektimi tematik i kryer pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve gjyqësore, gjatë periudhës 01.03.2023-31.05.2023, inspektim tashmë i konkluduar me rekomandime konkrete për aktorët e sistemit të drejtësisë.

Nga ky inspektim tematik rezultoi se:

a) Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar.

Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë.

b) Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe. Duke vlerësuar rëndësinë që ka plotësimi i vakancave në sistem, nisur nga raportet e Komisionit Evropian dhe Raportit të vitit 2025 për Shtetin e së Drejtës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka rekomanduar Këshillit të Lartë Gjyqësor, si institucioni përgjegjës për ndjekjen e çështjeve të burimeve njerëzore në gjykata, marrjen e masave efektive dhe të menjëhershme për plotësimin e organikës e kësaj gjykate, duke vendosur edhe një afat 1 vjeçar për përmbushjen e tij. Nga ana jonë do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmbushja e këtij rekomandimi, brenda fushës së kompetencave që ILD ushtron.

c) Arsyeja e tretë është infrastruktura, por këtë çështje do ndalem pak me poshtë.

Nga ana tjetër, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, për shkaqe të palidhura me  arsye jashtë kontrollit të magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë Këshillave përkatës. Në total, gjatë veprimtarisë së vet, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë. Masat e propozuar për këto shkelje disiplinore janë:

  • “Shkarkim nga detyra”, për 2 gjyqtarë dhe 3 prokurorë;
  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për 3 gjyqtarë dhe 5 prokurorë;
  • “Vërejtje publike”, për 3 gjyqtarë dhe 1 prokuror.

Një inspektim tjetër i zhvilluar nga ILD është edhe përdorimi i mekanizmave alternativë të gjykimit. Ky inspektim është zhvilluar pranë gjykatave së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe nga inspektimi është konstatuar, se ndërmjetësimi është përdorur në mënyrë shumë të kufizuar, pavarësisht detyrimit ligjor të parashikuar në nenin 25 të Kodit të Procedurës Civile. Në përfundim të këtyre inspektimeve është rekomanduar ndër të tjera, pasqyrimi i çdo orientimi të gjyqtarit për ndërmjetësim në procesverbalet e seancave gjyqësore, në mënyrë që të mundësohet monitorimi dhe analizimi i kësaj praktike në inspektimet pasardhëse.

Për të monitoruar veprimtarinë e prokurorëve, në kuadër të ankesave të vazhdueshme për zvarritje të veprimtarisë hetimore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar inspektimin tematik të çështjeve, për të cilat prokurori ka proceduar me kërkesë ose vendimmarrje për pushim, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale përgjatë vitit 2024. Nëpërmjet këtij inspektimi dhe inspektimit institucional, që po zhvillohet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, mbi të gjithë procesin e qarkullimit të dokumentacionit në këtë zyrë prokurorie, Inspektori i Lartë i Drejtësisë synon jo vetëm të evidentojë problematikat, por dhe të adresojë çështje të aspektit sistemik.

Arsyetimi me vonesë i vendimeve gjyqësore përbën një tjetër problem sistemik me impakt në të drejtën e individëve për një proces të rregullt ligjor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë duke reflektuar dhe rekomandimet e lëna për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2023 në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, ka vendosur kryerjen e inspektimeve tematike në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe në një gjykatë të juridiksionit administrativ. Nëpërmjet këtyre inspektimeve tematike, ILD ka bërë një fotografim të situatës së dorëzimit të vendimeve gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, Shkodër dhe aktualisht është në përmbyllje të inspektimit tematik pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. Në përfundim të çdo inspektimi, ILD ka vlerësuar të identifikojë një periudhë kohe të arsyeshme, që i nevojitet magjistratit për dorëzimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar, duke marrë në konsideratë mesataren e kohës, që i nevojitet çdo magjistrati në të njëjtën gjykatë për arsyetimin e vendimeve lidhur më çështje të të njëjtës tipologji. Afati i vlerësuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përfundim të çdo inspektimi, nuk zëvendëson në asnjë rast afatin ligjor, por përbën një konstatim nga ILD në momentin e kryerjes së inspektimit, duke mbajtur në konsideratë situatën aktuale të ngarkesës që ka sistemi sot dhe vakancat në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, personalisht mendoj se angazhimi i gjykatës, KLGJ-së, apo dhe vetë Kuvendit, për të hartuar dhe miratuar masa me qëllim reduktimin e backlogut, i cili ka arritur në një numër të madh është një mjet i domosdoshëm.

  1. Infrastruktura e gjykatave dhe regjistrimi i seancave audio

Një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen gjykatat sot është mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për respektimin e kërkesave procedurale për zhvillimin e gjykimit me regjistrim audio. Nga përmbajtja e ankesave, verifikimeve dhe informacionet periodike që administrohen në ILD ka rezultuar, se infrastruktura aktuale nuk mundëson zhvillimin e të gjithë seancave gjyqësore sipas detyrimit ligjor me regjistrim audio, kjo në veçanti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto mangësi së bashku me vakancat në sistem, kanë ndikuar në cilësinë e kushteve të punës, duke ekspozuar trupën gjyqësore në mungesë të solemnitetit të zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Gjatë realizimit të inspektimit në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore është evidentuar kjo problematikë dhe ILD ka rekomanduar, që Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Kryetarin e Gjykatës dhe Këshillin e Gjykatës, të marrin masat e nevojshme për të garantuar shfrytëzimin e ambienteve të gjykatës, në mënyrë që gjykimi i të gjitha çështjeve civile me palë kundërshtare të zhvillohet në salla gjykimi të pajisura me regjistrim audio, brenda 6 mujorit të parë të vitit 2026.

  1. Respektimi i solemnitetit të gjykimit dhe i standardeve etike

Respektimi i rregullave të etikës dhe solemnitetit është në fokus të punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sjellja e magjistratit është e lidhur me garantimin e ruajtjes e forcimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Në çdo procedim disiplinor të iniciuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përpjekur të ruajë balancën, ndërmjet mungesave dhe sfidave, me të cilat po përballen magjistratët në punën e tyre, me detyrën që magjistrati ka për të shfaqur një model sjellje, i cili mbart vlera, të cilat jo vetëm duhet të transmetohen, por edhe të shfaqen, gjatë ushtrimit dhe jashtë ushtrimit të funksionit. Në rastet kur sjellja jo-etike është faktuar gjatë kryerjes së hetimit disiplinor janë përcjellë propozimet për marrjen e masave disiplinore nga Këshillat. Gjatë veprimtarisë së vet, ILD ka vendosur hetimin disiplinor për 14 magjistratë, 10 gjyqtarë dhe 4 prokurorë për cenim të rregullave të etikës dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim për 7 magjistratë, 3 gjyqtarë dhe 4 prokurorë duke propozuar:

  • “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për 2 magjistratë.
  • “Vërejtje publike” për 3 magjistratë.
  • “Vërejtje konfidenciale” për 2 magjistratë.

Masa ndëshkuese siç është evidentuar në mënyrë të vazhdueshme është mjeti i fundit, që duhet të zbatohet për të garantuar përgjegjshmërinë e sistemit. Për këtë arsye, vlerësoj se nga Këshillat përkatëse duhet të kenë një bashkëpunim më të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës në trajnimin vazhdues të magjistratëve, veçanërisht atyre me më pak vite përvojë në sistem, në kuadër të shpeshtimit të trajnimeve dhe individualizimit të tyre për rastet e referuar nga ILD dhe rastet për të cilat është vendosur marrja e masave disiplinore. Njëkohësisht vëmendje duhet t’i kushtohet edhe trajnimit vazhdues të magjistratëve të tjerë, në përgatitjen e tematikave me efekt ndërgjegjësues dhe parandalues për shmangien e sjelljeve të tilla në të ardhmen, të cilat mund të kenë impakt serioz në perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë.

  1. Qëndrimet në lidhje me vendimmarrjet gjyqësore dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në raport me këtë problematikë

ILD vlerëson të ritheksojë, se roli i tij në shqyrtimin e pretendimeve për vendimmarrje të padrejta nga aktorët e sistemit të drejtësisë, nuk mund të zëvendësojë interpretimin dhe zbatimin, që prokurori i bën normave dhe instituteve procedurale penale, apo dhe shqyrtimin e pavarur gjyqësor që bën gjykata. Kjo është kompetencë e organeve të sistemit të drejtësisë, e cila kontrollohet në themel nga organizimi hierarkik i vetë gjyqësorit, nëpërmjet mekanizmave procedurale të parashikuara nga ligji.

Elementi i përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, sipas qëndrimeve tashmë të vendosura edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, del në pah kur magjistrati gjatë vendimmarrjeve të tij vepron në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, të evidentuara këto prej vendimeve të gjykatave më të larta, apo në kundërshtim me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta duke deformuar bindjen e brendshme, e cila duhet të jetë në përputhje me ligjin, analizën e fakteve dhe provave. Edhe cenimi i vendimmarrjes brenda shkallëve të gjyqësorit është pjesë kontrollit të vendimeve gjyqësore dhe ushtrimit të hierarkik të pushtetit gjyqësor. Ky kontroll gjyqësor realizohet në kuadër të rritjes së cilësisë së drejtësisë dhe nuk ka si qëllim në vetvete, përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve. Ndryshimi apo prishja e një vendimi gjyqësor nga një gjykatë më e lartë, nuk mund të përbëjë apriori bazë të mjaftueshme faktike për procedimin disiplinor të magjistratit, nëse nuk shoqërohet me elementë të tjerë, të cilat tregojnë se magjistrati ka vepruar në keqbesim, duke çeduar nga detyrimi për ushtrimin me dinjitet të detyrës, në përputhje me ndërgjegjen për interpretimin e fakteve, në zbatim të normave të së drejtës.

Në këtë kuptim, në rastet kur janë evidentuar shkaqet si më sipër, të cilat kanë sjellë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka iniciuar 25 hetime disiplinore dhe ka paraqitur kërkesat për procedim për 9 magjistratë, 7 gjyqtarë dhe 2 prokurorë duke kërkuar:

  • Shkarkim nga detyra, për 3 magjistratë;
  • Pezullim nga detyra për 1 magjistrat;
  • Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit, për 4 magjistratë;
  • Vërejtje publike për një magjistrat.

Një moment tjetër, që duhet evidentuar në kompetencat dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është dallimi i qartë, ndërmjet procedurës disiplinore dhe asaj penale. Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë atribute të qarta në kryerjen e procedurave të hetimit disiplinor ndaj magjistratëve, apo subjekteve të tjera të përfshira në fushën e kompetencës së këtij institucioni. Hetimi dhe procedura disiplinore nuk kanë natyrë penale, nuk kane mjete kërkimi si një organ i ndjekjes penale, por është proces administrativ. Rregullat dhe procedurat që ligji ka parashikuar, i shërbejnë garantimit të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor ndaj magjistratit, që dyshohet se ka kryer shkeljen disiplinore dhe palëve të tjera pjesëmarrëse në këtë proces dhe nuk ofrojnë mekanizma për të evidentuar ekzistencën e një fakti penal. Jo pa arsye, legjislatori i kanë përparësi procedurave penale, civile apo administrative duke e detyruar Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të pezullojë hetimin disiplinor, kur është duke u zhvilluar një hetim penal ndaj magjistratit për të njëjtat fakte.

  1. Problematika në lidhje me organizimin dhe funksionimin e zyrave të prokurorive

Në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka mbajtur kontakte të vijueshme me këtë institucion dhe për këtë qëllim ka lidhur edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Ankesat e referuara nga Prokurori i Përgjithshëm kanë shërbyer si të dhëna për inicimin e verifikimeve dhe hetimeve disiplinore ndaj disa magjistratëve, të cilat janë konkluduar me propozimin e masave disiplinore, përfshirë dhe shkarkimin nga detyra.

Njëkohësisht, veprimtaria e zyrave të prokurorisë, në drejtim të zbatimit të akteve rregullatore në marrëdhënie me drejtuesin ka qenë objekt inspektimi tematik. Ky inspektim ka patur qëllim zbatimin e urdhrave të Prokurorit të Përgjithshëm, mbi ruajtjen e qëndrueshmërisë së organit të prokurorisë, përmes kohezionit institucional dhe uniformitetit të veprimtarisë në të gjitha prokuroritë, në garantimin e pavarësisë funksionale të prokurorit në vendimmarrje për çështje konkrete. Ky inspektim vlerësohet të vijohet edhe në vazhdim, pasi nga monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të lëna, por edhe nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të shqyrtimit të ankesave janë konstatuar përsëri problematika.

Në përmbushje të detyrimit ligjor për inspektimin e ndarjes së çështjeve me short në zyrat e prokurorive, ILD ka rekomanduar rishikim të aktit rregullator “Për shpërndarjen e çështjeve në prokurori” dhe unifikim të praktikave të ndryshme të evidentuara gjatë kryerjes së inspektimit, në zyrat e prokurorive pranë Gjykatave të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ky inspektim referuar detyrimeve ligjore do të vijohet, duke patur në fokus monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna.

  1. Produktiviteti në zhvillimin e seancave

Marrë shkas nga disa ankesa, të cilat i janë nënshtruar verifikimit, por edhe informacionit të paraqitur nga vetë gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, një problematikë e sistemit gjyqësor sot është produktiviteti dhe efektiviteti i magjistratëve në planifikimin dhe zhvillimin e seancave gjyqësore, si dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për shmangien e seancave joproduktive. Për adresimin e kësaj situate, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur kryerjen e një inspektimi tematik në disa gjykata të juridiksionit të përgjithshëm, me qëllim inspektimin e mënyrës së planifikimit të seancave gjyqësore dhe menaxhimin e shqyrtimit të çështjeve sipas kategorive përkatëse, në përputhje me afatet e vendosura nga dispozitat procedurale. Një faktor që ndikon në normën e pamjaftueshme të evadimit të çështjeve gjyqësore, siç e kemi evidentuar edhe në raportet tona të inspektimit tematik është mosplotësimi i vakancave në gjykatat e shkallës së parë dhe në veçanti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Ky proces, siç evidentohet është i lidhur me mospërfundimin në kohë të procedurave të vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve. Në këtë kuadër, vlerësojmë të nevojshme marrjen e masave konkrete për të rritur efektivitetin e këtij procesi, duke orientuar dhe bashkëpunimin e Këshillave në aplikimin e standardeve uniforme të vlerësimit, nën dritën edhe të orientimeve të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë.

 

Të nderuar deputetë!

Pavarësisht rezultateve të deritanishme, institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë konstaton, se sistemi i drejtësisë përballet me sfida të rëndësishme, që lidhen me organizimin dhe funksionimin e tij. Efektiviteti dhe cilësia e sistemit të drejtësisë nuk janë në nivelin, që i përgjigjet pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Kjo është pjesë e procesit të konsolidimit të Reformës në Drejtësi dhe një përgjegjësi e të gjithë organeve tona, duke filluar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, organet e qeverisjes së pushtetit gjyqësor, apo magjistratët gjyqtarë dhe prokurorë.

Një aspekt që kërkon vëmendje të veçantë është infrastruktura e pushtetit gjyqësor. Mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe aplikimi i teknologjisë së informacionit, përfshirë sistemet e regjistrimit audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkiva, qarkullimi i dokumentacionit procedural dhe administrativ, apo sisteme teknologjie që mbulojnë procese të veçanta të punës së gjykatës apo prokurorisë, ndikojnë drejtpërdrejt, në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit apo zhvillimit të procesit të hetimit penal. Në disa raste, këto kushte kanë ndikuar edhe në sjelljen etiko-profesionale të magjistratëve, duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku. Për këtë arsye, investimi në infrastrukturë duhet të shihet si pjesë e pandarë e politikave për forcimin e pavarësisë, legjitimitetit dhe integritetit të pushtetit gjyqësor.

Ngarkesa e jashtëzakonshme e punës dhe numri i lartë i çështjeve gjyqësore, mbetet një ndër sfidat më serioze, që cenon cilësinë dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe të drejtat e shtetasve shqiptar në kuadër të një procesi të rregullt ligjor. Në këtë drejtim, kërkohet angazhimi i përbashkët i të gjithë organeve publike, si Kuvendi, Këshillat, Prokurori i Përgjithshëm, gjykata apo dhe zyrat e prokurorive për hartimin e masave konkrete për reduktimin e backlog-ut; rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e organikave, shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës. Njëkohësisht, vetë gjykatat dhe zyrat e prokurorisë duhet të hartojnë sisteme të prioritizimit të çështjeve, për të siguruar një trajtim më të shpejtë dhe të drejtë të dosjeve gjyqësore.

Sistemi llogaridhënës përbën gurin e themelit për një shtet të së drejtës. Vetëm nëse ky sistem funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, pushteti gjyqësor mund të organizohet mbi baza të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe legjitimiteti. Në të kundërt, një sistem përgjegjësie që funksionon vetëm në aspektin ndëshkues e jo parandalues, humbet rolin e tij edukues dhe kontribuon në uljen e besimit publik. Llogaridhënia e pushtetit gjyqësor duhet të perceptohet si një mekanizëm parandalues dhe përmirësimi, jo si mekanizëm intimidimi, ndërhyrje apo ndëshkimi.

Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të shihet thjesht në aspektin disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues. Qëllimi është të krijohet një kulturë e lartë etike dhe profesionale në sistemin e drejtësisë, ku ndjenja e llogaridhënies të jetë pjesë e vetëdijes së magjistratëve dhe jo një faktor i jashtëm. Nëse sistemi i përgjegjshmërisë, pra shkollimi në Shkollën e Magjistraturës, emërimet dhe promovimet e magjistratëve nga Këshillat, roli i gjykatave më të larta për rritjen e cilësisë së vendimeve gjyqësore, etj., funksionon në mënyrë të plotë, të drejtë dhe efektive, atëherë pushteti gjyqësor do të organizohet dhe do të funksionojë mbi baza të qëndrueshme profesionalizimi, legjitimiteti dhe të integritetit. Në rast të kundërt, nëse ky sistem nuk funksionon, aplikimi i sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve (pra, sanksionet) mund të jetë një mekanizëm dhe reagim i vonuar, duke mos luajtur një rol parandalues, por vetëm ndëshkues, si dhe duke sjellë si pasojë, jo vetëm cenimin e besimit të publikut në pushtetin gjyqësor, por edhe legjitimitetin apo autoritetin e këtij pushteti.

Ky është dimensioni i vërtetë dhe filozofia e një reforme legjitime në një sistem drejtësie: ndërtimi i një sistemi drejtësie, që vetërregullohet përmes integritetit të tij. Ky diskutim na çon drejt një dileme universale, që hasin shumë shtete: balancimi midis pavarësisë dhe llogaridhënies. Edhe në Shqipëri, ku sistemi i drejtësisë është ende në fazë konsolidimi pas reformimit të thellë institucional, ky ekuilibër kërkon kujdes të veçantë. Nga njëra anë, duhet të mbrohet pavarësia funksionale e magjistratit, si themel i shtetit të së drejtës, ndërsa nga ana tjetër, duhet të garantohet, që kjo pavarësi të mos shndërrohet në mungesë përgjegjësie.

Sfida më e madhe e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë sot është ruajtja e pavarësisë së tij institucionale dhe sigurimi i një roli konstruktiv në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Jo si një lojë fjalësh dhe jo si mburojë për paligjshmëritë eventuale, që mund të kryejë sistemi. Por, si një parim i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, si  një parim që tregon se sistemi llogaridhënës ndaj magjistratëve nuk është zgjedhje apo emocion, aq më pak i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Por është parim mbi të cilin bazohet një shtet ligjor. Në këtë kontekst, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka detyrimin të dëshmojë integritet, transparencë dhe paanshmëri, në çdo vendimmarrje. Ky është një proces i ndjeshëm, ku institucioni duhet të veprojë si mbrojtës i parimeve të drejtësisë, por jo si faktor që ndikon, apo orienton vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Në këtë proces, Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të vijojë të zbatojë me përkushtim, standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, si dhe të jetë garant i ekuilibrit midis pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor shqiptar.

Sot po përballemi me një paqartësi mbi rolin dhe funksionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që nuk rrjedh vetëm nga qytetarët, të cilët nëpërmjet ankesave të paraqitura në ILD pretendojnë zgjidhje të mosmarrëveshjeve gjyqësore, ndërhyrje në procese gjyqësore, apo ndikim në vendimmarrje gjyqësore, por haset edhe në kuadër të pretendimeve të shumta nga rrethe të tjera publike, ku përfshihen aktorët politikë, media apo dhe vetë organet të tjera publike.

Ky fenomen kërkon një adresim në aspektin sistemik. Një rëndësi thelbësore në garantimin e një sistemi cilësor drejtësie ka edhe Gjykata e Lartë, si organi më i lartë në piramidën e hierarkisë gjyqësore, jo vetëm nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve, por dhe në sigurimin e shmangies së divergjencave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar një vëmendje të veçantë nga ana e Gjykatës së Lartë, për të ushtruar rolin e saj njehsues, në vendosjen e standardeve dhe praktikave të qëndrueshme.

Njëkohësisht, besoj se procesi i edukimit ligjor të publikut, përbën një parakusht të domosdoshëm për konsolidimin e besimit në drejtësi. Një publik i informuar, i ndërgjegjshëm dhe aktiv është partneri më i vlefshëm i institucioneve të drejtësisë. Këtu një rol thelbësor duhet të luajë edhe Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, në kuadër të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut.

Nëse qytetarët nuk e kuptojnë rolin e institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, kufijtë e kompetencave të institucioneve dhe mekanizmat e ankimit, sistemi i drejtësisë rrezikon të perceptohet si i mbyllur dhe i pakuptueshëm. Sot po përballemi më një situatë shqetësuese, ku faktorët, të cilët kanë ndikuar në krijimin e saj mund të jenë të ndryshëm. Por mungesa e reagimit dhe marrjes së masave nga ana jonë për të parandaluar këto fenomene negative mund të sjellë pasoja të rënda, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por edhe për vetë shoqërinë tonë. Për këtë arsye, personalisht mendoj se të gjitha organet tona duhet të vijojnë më tej përpjekjet dhe të investojnë në transparencë, edukim ligjor dhe komunikim publik, duke e bërë drejtësinë më të afërt me qytetarin, më të qartë në funksionet e saj dhe më të besueshme në rezultatet që prodhon, apo që ka detyrim ligjor të prodhojë.

Institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ofron angazhim maksimal, që të zhvillojë një kulturë bashkëpunimi dhe koordinimi institucional, ku të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë si KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturës, apo dhe organet e tjera, si Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë, të punojnë mbi plane veprimi strategjik të përbashkëta, për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Ky proces kërkon vizion afatgjatë, plan të strukturuar zbatimi dhe një vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve, në mënyrë që çdo rekomandim të shndërrohet në realitet institucional. Rruga drejt një sistemi drejtësie efikas dhe të qëndrueshëm kërkon bashkërendim institucional, transparencë dhe respekt të parimit të ndarjes së pushteteve. Vetëm në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare do të mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie.

Ju faleminderit!