TRUPA E INSPEKTIMIT TË ILD, TRAJNIM MBI METODOLOGJINË PËR VERIFIKIMIN E ASETEVE

Njësia e Inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilloi një takim dy ditor në Tiranë, mbi forcimin e kapaciteteve teknike dhe operacionale të stafit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), për zbatimin efektiv të Metodologjisë së Verifikimit të Pasurisë në mënyrë të qëndrueshme, transparente dhe metodologjikisht të saktë, mbështetur nga projekti EU4Justice.

Drafti i metodologjisë është një dokument i përgatitur nga Kolonel Lejtnant Alberto De Ventura nga Guardia di Finanza, për verifikimin e aseteve, bazuar në kuadrin ligjor ekzistues, praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përvojat e provuara, duke mbështetur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në kryerjen e vlerësimeve në ushtrimin e funksioneve të tij, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në përputhje me kuadrin aktual ligjor kombëtar dhe mësimet e nxjerra nga procesi i vettingut.

Dokumenti do të shërbejë si një udhëzues praktik për inspektorët e ILD-së, duke përcaktuar standarde dhe procedura të qarta për verifikimin e konsistencës, ligjshmërisë dhe integritetit etik të deklaratave të pasurisë.

Eksperti i i EU4Justice, Kolonel Lejtnant De Ventura paraqiti draftin e metodologjisë, duke e vënë theksin tek mënyra, sesi duhet të veprohet në rastet e korrupsionit të niveleve të larta.

Kjo qasje ndërvepruese dhe e orientuar drejt praktikës do të synojë dhe mundësojë përshtatjen e mëtejshme të metodologjisë aty ku është e nevojshme, pa cenuar parimet e saj thelbësore, duke forcuar njëkohësisht gjykimin profesional, garancitë procedurale dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare të njohura në fushën e verifikimit të pasurisë.

Trajnimi dyditor u zhvillua në 6 sesione, duke filluar me një pasqyrë rë metodologjisë për verifikimin e aseteve, kontrollin e tyre, metodat më të zakonshme për fshehjen e aseteve, pronësisë, apo origjinës, si dhe procedurat që nisin me burimet e elementeve provuese, vërtetimi i provave e të tjera.