Stafi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfshi inspektorë, ndihmës inspektorë, anëtarë të kabinetit dhe nëpunës të administratës, mori pjesë në një trajnim njëditor mbi përdorimin e teknologjisë së informacionit në sistemin e drejtësisë, si dhe rolin e saj në veprimtarinë e gjykatave dhe prokurorive. Trajnimi u zhvillua me mbështetjen e projektit CEPEJ të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Efikasitetin e Drejtësisë (SEJ IV).
Në emër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm, znj. Dëshira Pasko, në fjalën e saj përshëndetëse në hapje të trajnimit, shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme të projektit të Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për efikasitetin e drejtësisë (CEPEJ), i cili prej vitesh asiston Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në procesin e forcimit të kapaciteteve institucionale në fushën e inspektimit, hetimit disiplinor, etikës dhe pavarësisë së magjistratëve. Ajo theksoi se ky trajnim ka një rëndësi të veçantë për njohjen me udhëzimet e CEPEJ, si dhe me praktikat e mira dhe kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemin gjyqësor.
Në emër të SEJ, oficerja e lartë e projektit, znj. Laurela Muça tha se “Ky trajnim, i iniciuar nga ILD, i paraprin përdorimit në rritje të IT-së dhe inteligjencës artificiale, duke adresuar edhe çështjet etike të përdorimit të tyre në gjyqësor.”
Eksperti i CEPEJ Marek Swierczynski paraqiti në fillim kuadrin e përgjithshëm të përdorimit të teknologjisë së informacionit në sistemin e drejtësisë, rolin e saj në veprimtarinë e gjykatave dhe prokurorive, si dhe aplikimet e inteligjencës artificiale në sistemet gjyqësore.
Trajnimi u fokusua edhe tek etika në inteligjencën artificiale në sistemin e drejtësisë, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjurmueshmëria në përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe e rolit vendimmarrës të gjyqtarit gjatë përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale.
Në sesionin mbi praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare, stafi i ILD-së u njoh me standardet dhe instrumentet e Këshillit të Evropës, karta Etike Evropiane e CEPEJ për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemet gjyqësore dhe mjedisin e tyre, si dhe udhëzimet për përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese nga gjykatat.
Në sesionin përmbyllës diskutimet u fokusuan tek implikimet etike dhe profesionale të përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale në hartimin e pjesshëm të një vendimi gjyqësor.
