Një ekip inspektimi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilloi një vizitë studimore tri ditore në dy zyra prokurorie në Spanjë, me mbështetjen e projektit EU4Justice. Kjo vizitë pune është pjesë e traditës së ILD-së, për forcimin e kapaciteteve profesionale të inspektorëve nëpërmjet trajnimeve dhe shkëmbimit të drejtpërdrejtë institucional, me përvojat e praktikat më të mira të aplikuara nga institucionet homologe në shtetet anëtare të BE-së.
Ekipi i ILD-së, i përbërë nga Inspektorja magjistrate Elsa Miha dhe ndihmës inspektoret Alma Troshani e Migena Bako, e nisi vizitën studimore në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Madrid, ku u mikprit nga përfaqësues të Shërbimit të Inspektimit të Prokurorisë. Ato u njohën me rolin institucional dhe mandatin e inspektorëve të prokurorisë, llojet e inspektimeve, mekanizmat e llogaridhënies dhe marrëdhënien midis inspektorëve dhe prokurorëve. Në takimin me z. Francisco Moreno Carrasco, Promovues i Përgjithshëm i Veprimeve Disiplinore, u ofrua një pasqyrë të kuadrit ligjor që rregullon mbikëqyrjen disiplinore, procedurat disiplinore dhe llojet e sanksioneve.
Dita e dytë dhe e tretë e vizitës u zhvillua në Zyrën e Prokurorisë Provinciale të Cuencas, ku ekipi i ILD-së ndoqi zbatimin praktik të një inspektimi të prokurorisë, që nga përgatitja tek ekzekutimi i inspektimit, përfshi planifikimin e inspektimit, mbledhjen paraprake të të dhënave, metodologjinë e marrjes së dosjeve të rasteve, përdorimin e sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve, intervistat me prokurorët dhe stafin administrativ, e deri tek hartimi i gjetjeve të inspektimit, dallimi midis çështjeve disiplinore dhe jo-disiplinore, formulimi i rekomandimeve dhe mekanizmat e ndjekjes për zbatimin e tyre.
Vizita përfundoi me diskutime mbi mësimet e nxjerra dhe zbatueshmërinë e praktikave më të mira spanjolle në kontekstin institucional shqiptar, për përmirësimin e mekanizmave të mbikëqyrjes disiplinore në Shqipëri, duke promovuar meritokracinë, transparencën, llogaridhënien dhe respektin për pavarësinë dhe procesin e rregullt ligjor brenda sistemit të drejtësisë, në përputhje me standardet e BE-së.
