ILD MORI PJESË NË TRYEZËN NDËRINSTITUCIONALE PËR KLIMËN DHE DREJTËSINË MJEDISORE NË SHQIPËRI

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në Tryezën Kombëtare për Konvergjencën mbi Drejtësinë Klimatike dhe Mjedisore, organizuar nga Agjensia Franceze e Zhvillimit dhe Expertise France, me drejtues të institucioneve publike, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga fushat e drejtësisë dhe mjedisit, me synimin për të forcuar qasjen në drejtësinë klimatike dhe mjedisore dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. 

 

Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani

 

Mirëmëngjes të gjithëve dhe faleminderit për ftesën,

Më lejoni të shpreh konsideratat dhe vlerësimin tim në këtë tryezë ndërinstitucionale për Klimën dhe Drejtësinë Mjedisore në Shqipëri që Projekti Expertise France ka organizuar, duke na paraqitur edhe draft planin e veprimit me objektiva konkretë.

Ndihem mirë në këtë tryezë së pari për shkak të formimit dhe interest tim profesional mbi të drejtën mjedisore dhe së dyti për shkak të institucionit që përfaqësoj dhe punës që kemi bërë në raport me këtë cështje. Më duhet të them se në gjashtë vite veprimtari, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka marrë asnjë ankesë për gjyqtarë a prokurorë për cështje që lidhen me mjedisin. E nga ana tjetër, as nga institucionet nuk ka patur ndonjë kërkesë apo referim për inspektim tematik a institucional të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në trajtimin e krimit mjedisor nga gjykatat e prokuroritë. Dhe është mëkat mospërdorimi i këtyre mekanizmave referuese nga institucionet apo aktorë të tjerë, të cilat i garanton kushtetuta.

Vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka bërë më shumë se kaq. Ka qenë pjesë aktive e projektit të Komisionit Evropian “Bashkëpunimi në mbrojtjen e mjedisit përmes autoriteteve kombëtare të inspektimit të drejtësisë”(COPEIJ), projekt që bashkoi përfaqësues të Inspektoratit të Përgjithshëm Francez të Drejtësisë, Inspektoratit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë të Italisë, Këshillit Gjyqësor të Portugalisë, Inspektoratit Gjyqësor të Rumanisë dhe Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, anëtarë të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), nën kujdesin e Expertise France.

Për dy vite me rradhë, 2022-2024, përmes këtij projekti shërbimet kombëtare të inspektimit të 5 vendeve të RESIJ u angazhuan në kuadër të direktivës së re të Bashkimit Evropian të 11 prillit 2024 për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ligjit penal, duke inkurajuar reflektimin mbi mënyrën e përmirësimit të drejtësisë në fushën mjedisore, për të zhvilluar burime, veçanërisht ato procedurale, për të promovuar konvergjencën e strategjive kombëtare për të luftuar krimin mjedisor dhe për të përmirësuar koordinimin e shërbimeve kompetente, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian.

Më vjen mirë që draft plani i veprimit që Expertise France paraqitet sot me objektiva dhe hapa kokretë, ka pikëtakime me gjetjet dhe rekomandimet që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka bërë në raportin për Shqipërinë në kuadër të COPEIJ.

Drejtësia mjedisore është mbrojtja e barabartë dhe përfshirja e të gjithë individëve në lidhje me zhvillimin, zbatimin e ligjeve, rregulloreve dhe politikave mjedisore, si dhe shpërndarjen e barabartë të përfitimeve mjedisore.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë njeh dhe garanton të drejtën e çdo personi për t’u informuar mbi gjendjen e mjedisit, si dhe mbi masat e ndërmarra nga autoritetet shtetërore për mbrojtjen e tij. Paralelisht me këtë të drejtë, shtetit i ngarkohet detyrimi kushtetues për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qëllim garantimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, në interes të shoqërisë në tërësi.

Këto detyrime kushtetuese janë të konkretizuara në akte të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili siguron mbrojtje juridiko-penale të mjedisit përmes kriminalizimit të veprimeve dhe sjelljeve të kundërligjshme që e dëmtojnë atë. Legjislacioni penal shqiptar është harmonizuar me Direktivën e Bashkimit Evropian 2008/99/EC “Për mbrojtjen e mjedisit përmes ligjit penal”, duke shërbyer si një mekanizëm për rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve të ndryshëm, ndëshkimin e veprimtarive të paligjshme dhe parandalimin e kryerjes së veprave penale mjedisore.

Edhe kuadri ligjor rregullator në fushën e mbrojtjes së mjedisit, i përafruar në masë të madhe me acquis communautaire të Bashkimit Evropian, së bashku me ratifikimin e marrëveshjeve shumëpalëshe mjedisore dhe aderimin në konventa ndërkombëtare, dëshmon rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e mbrojtjes së mjedisit.

Megjithatë, pavarësisht këtij progresi normativ, problematikat kryesore lidhen me zbatimin efektiv të këtij kuadri në praktikë. Një pjesë e konsiderueshme e akteve ligjore dhe nënligjore nuk shoqërohen me raporte të rregullta monitorimi dhe vlerësimi të zbatimit, çka e bën të vështirë matjen reale të efektivitetit të tyre.

Legjislacioni mjedisor në shumë raste rezulton më i avancuar se kapacitetet administrative, financiare dhe institucionale të strukturave përgjegjëse për zbatimin e tij. Kjo mospërputhje reflektohet në mungesën e progresit të qëndrueshëm në fusha kyçe si përgjegjësia mjedisore, inspektimi mjedisor dhe ndëshkimi i krimit mjedisor. Si pasojë, zbatimi i ligjit shpesh mbetet formal dhe reagues, më tepër sesa parandalues dhe sistematik.

Bashkimi Evropian në raportet e progresit për Shqipërinë evidenton një rritje të hetimeve në fushën e krimeve mjedisore, por thekson nevojën për forcimin e mbrojtjes së mjedisit, veçanërisht në proceset e miratimit të investimeve private dhe në garantimin e integritetit të zonave të mbrojtura dhe habitateve të specieve të veçanta. Ky vlerësim tregon se progresi është i pjesshëm dhe ende i brishtë.

Politika penale aktuale, e fokusuar kryesisht në dënimin me gjobë, rezulton shpesh joefektive, veçanërisht në rastet kur autorët e veprave penale i përkasin shtresave me probleme socio-ekonomike. Në këto kushte, gjobat janë jo vetëm të papërballueshme, por edhe të paafta për të përmbushur funksionin e tyre parandalues. Për rrjedhojë, politika penale duhet të rishikohet duke u orientuar jo vetëm drejt ndëshkimit, por edhe drejt edukimit, rehabilitimit dhe parandalimit të përsëritjes së veprave penale.

Procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimit Evropian dhe veçanërisht negocimi i Kapitujve mbi Drejtësinë dhe të Drejtat Themelore (Kapitulli 23), dhe “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” (Kapitulli 27) kërkojnë një veprim transformues bazuar në shtetin e të drejtës, si dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave mjedisore. Por vetëm përafrimi i legjislacionit vendas me direktivën e Bashkimit Evropian “Për Mbrojtjen e Mjedisit përmes Ligjit Penal” nuk është i mjaftueshëm në mbrojtjen dhe promovimin e drejtësisë mjedisore.

Miratimi i amendimeve ligjore duhet të shoqërohet edhe me mekanizmat e nevojshme, të cilat do të mundësojnë: rritje e ndërgjegjësimit të institucioneve edhe të publikut të gjerë mbi gamën e krimeve mjedisore; trajtimin fillestar dhe vazhdues të magjistratëve për sa i takon veprave penale në fushën e mjedisit dhe jurisprudencës së GjEDNJ dhe GjED në këtë fushë; forcim të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve administrative me Gjyqësorin dhe Prokurorinë; përfshirjen e ekspertëve të fushës në gjykimin e çështjeve me objekt mbrojtjen mjedisore; përdorimin e politikave penale dhe administrative, që jo vetëm ndëshkojnë, por dhe parandalojnë dhe restaurojnë dëmin e shkaktuar.

Vetë qëllimi themelor i legjislacionit mjedisor duhet të mbetet parandalimi, i ndjekur nga ndëshkimi administrativ dhe, si masë e fundit, ndëshkimi penal. Përmbushja e këtij qëllimi kërkon jo vetëm një kuadër ligjor të harmonizuar, por mbi të gjitha kapacitete institucionale funksionale, politika penale efektive dhe një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon kontrollin, ndëshkimin dhe edukimin. Vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për efektivitet në promovimin e një drejtësie mjedisore, që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm.

Ju faleminderit!