ILD në RESIJ
RESIJ, Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë është krijuar në Paris, në Mars 2017, si një iniciativë e Francës, në prani të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Evropës (CEPEJ) dhe përfaqësuesve nga Belgjika, Republika Çeke, Franca, Italia, Lituania, Mali i Zi, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Britania e Madhe.
Synimi ishte gjetja e modaliteteve, se si shërbimet kombëtare të inspektimit të drejtësisë të mund të kontribuonin në mënyrë më aktive, në zhvillimin uniform të zonës gjyqësore evropiane të sanksionuar, që nga Traktati i Amsterdamit deri tek Traktati i Romës.
Pavarësisht dallimeve institucionale dhe funksionale, si lidhja e shërbimeve të inspektimit me Ministrinë e Drejtësisë a Këshillin Gjyqësor, pjesëmarrësit konverguan tek e përbashkëta themelore, që bashkon sistemet e ndryshme të inspektimit, që është pavarësia e nevojshme në ushtrimin e misioneve të tyre.
Në dritën e këtij vëzhgimi, pjesëmarrësit diskutuan me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe CEPEJ, mbi rolin që shërbimet kombëtare të inspektimit të grupuar në një Rrjet, mund të luajnë në vlerësimin e efektivitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dhe trajnime të përbashkëta në shkallë evropiane.
Në takimin themelues të Rrjetit u propozua gjithashtu zhvillimi i programeve të përbashkëta të trajnimit dhe shkëmbimit për inspektorët e drejtësisë midis vendeve, angazhimi i shërbimeve të inspektimit për të kontribuar në vlerësimin e efektivitetit dhe cilësisë së drejtësisë në nivel evropian dhe në veçanti të instrumenteve evropiane, asistencës juridike civile dhe penale.
Në Dhjetor 2021, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë (ILD) u pranua me statusin e vendit vëzhgues në gjirin e këtij Rrjeti, që përbëhej nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Rumania.
Prej 19 Tetorit 2023, anëtarët e Rrjetit vendosën të pranonin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, si anëtar me të drejta të plota.
Që prej Dhjetorit 2021, ILD është angazhuar aktivisht në cdo aktivitet të RESIJ, si në vendet anëtare ashtu edhe jashtë Unionit.