INSTITUCIONI
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe inspektime tematike e institucionale.
Për verifikimin e ankesave ose hetimin e shkeljeve disiplinore ndaj subjekteve, Inspektori mund të vihet në lëvizje bazuar në ankimin me shkrim të çdo të personi fizik, juridik ose organi publik të interesuar. Inspektori i Lartë i heton shkeljet e dyshuara edhe kryesisht, bazuar në të dhëna publike ose të siguruara në kuadrin e inspektimeve institucionale e tematike, mbi çdo aspekt të punës së gjykatave, administratës gjyqësore, zyrave të prokurorive dhe administratës së prokurorisë, bazuar në kërkesën e motivuar me shkrim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Ministrit të Drejtësisë, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në planin vjetor të inspektimeve.
Sa i takon inspektimeve tematike dhe institucionale, në themel të veprimtarisë së inspektimit është shqyrtimi nga afër i një veprimtarie të caktuar, si dhe dhënia e rekomandimeve që synojnë përmirësimin e situatës së konstatuar dhe zgjidhjen e problematikave të evidentuara. Inspektimi mund të ketë karakter njohës së efektivitetit të veprimtarisë së magjistratit dhe institucionit, ose inspektim për efekt të evidentimit dhe dokumentimit të shkeljeve disiplinore me qëllim procedimin disiplinor të magjistratit, në rastet kur nga dokumentacioni i verifikuar konstatohen shkelje të disiplinës nga magjistrati. Njëlloj si për ankesat, propozimet për inspektime mund t’i drejtohen ILD-së nga organet e sistemit të drejtësisë, kërkesa nga organe e ente të tjera publike, persona persona juridikë privatë me personalitet juridik në mbrojtje të interesave të caktuara, të tilla si shoqata, organizata etj. Inspektimet kryehen edhe me iniciativën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në kuadër të denoncimeve publike, të analizave të pretendimeve të ngritura në ankesat e publikut, të detyrimeve që burojnë nga organet vendase (Kuvendi) dhe huaja (Bashkimi Evropian për proceset e integrimit). Kalendari vjetor i inspektimeve miratohet në nisje të vitit kalendarik nga Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është drejtuesi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe i ushtron funksionet e tij në mënyrë të pavarur. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë në funksionet e Inspektorit për kryerjen e verifikimeve të ankesave, hetimeve dhe inspektimeve, ose në lidhje me ndonjë subjekt të caktuar shkakton përgjegjësi sipas ligjit.
