Elsa Miha

Prej tetorit 2025, znj. Elsa Miha është komanduar me afat 5 vjeçar, inspektore magjistrate pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në vitin 2001 është diplomuar pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës me titullin “jurist”, dhe prej vitit 2023 është doktorante në këtë Fakultet.

Në periudhën 2002-2005 ka përfunduar studimet në shkollën e magjistraturës me titullin “prokuror”. Në periudhën 2004-2005 ka ushtruar detyrën e prokurores në stazh në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat.

Në periudhën 2005-2015 ka ushtruar detyrën e prokurores në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Fier, ku ka mbajtur edhe funksionin e Drejtueses së Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin (Taskforce) dhe atë të Zëvendës Drejtueses së Prokurorisë.

Në periudhën 2015 – 2025 ka ushtruar detyrën e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, në seksione të rëndësishme si: prokurore në Njësinë e Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin (Taskforce), prokurore në Njësinë e Krimit Kibernetik, prokurore në Seksionin e Posaçëm të ngritur lidhur me pastrimin e parave dhe hetimin pasuror etj. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zj. Miha ka qenë Drejtuese e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar, si dhe Drejtuese e Seksionit për Ekzekutimin e Vendimeve Penale dhe procedimeve për të mitur. Prej vitit 2018, pranë kësaj prokurorie, zj Miha ka ushtruar edhe rolin e Magjistratit Udhëheqës (Mentore) për studentët e Shkollës së Magjistraturës.

Znj. Miha është angazhuar si pedagoge e jashtme në fakultetet e drejtësisë të Universiteteve publike e jo publike në vend dhe si lehtësuese/eksperte në programin vazhdues për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ajo është gjithashtu autore dhe bashkëautore e një sërë punimesh shkencore, pjesëmarrës në   konferenca kombëtare e ndërkombëtare.

Prej vitit 2003 e në vijim ka marrë pjesë në grupe të ndryshme pune si dhe trajnime brenda dhe jashtë vendit, në një pjesë të të cilave ka qenë në cilësinë e ekspertes.

Znj. Miha zotëron gjuhën angleze dhe atë italiane.