Nga muaji Mars i vitit 2022 ushtron detyrën e Ndihmës Inspektorit pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Është diplomuar “Jurist” në vitin 1996 nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në vitin 2012 ka marrë Diplomën “Master Profesional në të Drejtën Civile”, pranë Universitetit Justiniani I-rë ndërsa prej vitit 2004 gëzon licencën e avokatit.
Z. Kaloshi ka një eksperiencë pune mbi 20 vjeçare në administratën publike. Fillimi i ushtrimit të profesionit të juristit, ka qenë pranë Këshillit të Qarkut Tiranë në vitin 2001, si specialist, e më pas, në funksionin e Drejtor i Departamentit Juridik e Marrëdhënieve me Jashtë, duke marrë njohuri sa i përket legjislacionit lidhur me veprimtarinë dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore, legjislacionit në fushën e urbanistikës, trajtimit të pronave, ashtu dhe atij financiar.
Nga Janari i vitit 2013 deri në fillim të vitit 2022, ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Juridike dhe Organizimit të Mbledhjeve pranë ish Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas, vijueshmëri në të njëjtin nivel, edhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Angazhimi në këto institucione, ka qenë një sfidë dhe përgjegjësi e madhe në administrimin e veprimtarisë së këtyre strukturave, të cilat janë konsideruar si organe të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, por dhe një premisë në ngritjen e tij profesionale.
Në kuadër të aktivitetit të tij profesional, Z.Kaloshi ka marrë pjesë në seminare dhe konferenca të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.