KLP NUK PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ MAGJISTRATËVE F.G. DHE M.L.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka pranuar në mbledhjen e sotme kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj magjistratëve F.G. prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe M.L., për periudhën e ushtrimit të detyrës si prokuror drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Kryetari z. Gent Ibrahimi tha se Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi rrëzimin e propozimit të ILD-së për dhënien e masës disiplinore “vërejtje publike”, ndaj magjistratëve F.G. dhe M.L.

Hetimi disiplinor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka filluar mbi bazën e informacionit të paraqitur në media, lidhur me ngjarjen tragjike të datës 28.09.2021, ndodhur në qytetin e Lezhës, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi A.R, ka humbur jetën oficeri i policisë S.H.

Në raportin e paraqitur para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ILD konkludoi se veprimet e mosveprimet e F.G. në hetimin e shtetasit A.R.,  janë mospërmbushje e detyrës së prokurorit, të cilit i është dhënë atributi kushtetues për të ushtruar ndjekjen penale dhe kontrolluar hetimet paraprake, me qëllim dërgimin e çështjes në gjykatë, në respektim të afateve ligjore procedurale penale. Sipas raportit hetimor, prokurori M.L., pa shkaqe të arsyeshme ka lejuar moszbatimin e Udhëzimit të detyrueshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, duke sjellë për rastin e kësaj çështjeje penale, konfuzion për kohën e dorëzimit të akteve nga prokurori i çështjes dhe në vijim në të gjithë zinxhirin e hallkës së funksionimit administrativ në Prokurori për kalimin e akteve në gjykatë.

Sipas konkludimit të raportit hetimor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratëve F.G. dhe M.L., përbëjnë shkelje disiplinore të lehtë, sipas nenit 102, pika 1, shkronja “l” e ligjit me nr. 96/2016 dhe bazuar në këtë dispozitë ILD i kërkoi KLP-së caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” për të dy magjistratët, kërkesë që u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.