Fjalë Mirëseardhjeje

Të nderuar vizitorë të kësaj faqeje!

Në cilësinë e drejtuesit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kam kënaqësinë të ndaj me ju këtë mesazh mbi institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nga data 01.02.2020 është ngritur dhe funksionon Inspektori i Lartë të Drejtësisë, i cili është një institucion i ri kushtetues dhe është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Duke qenë një institucion i ri, krijimi i një kulture pavarësie, profesionalizmi dhe efektiviteti është sa një detyrim ligjor, aq edhe një sfidë. Në këtë drejtim, vendosja e standardeve mbi mënyrën e verifikimit të ankesave, trajtimit të tyre në një kohë sa më të shpejtë dhe hetimi kryesisht i shkeljeve disiplinore, paraqet një rëndësi të veçantë dhe të menjëhershme.

Në të njëjtën kohë, paraprakisht vlerësoj, se rritja e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve në ushtrimin e detyrës nga njëra anë dhe motivimi i individëve dhe organeve, që ligji u njeh të drejtën e paraqitjes së ankesave, për shkelje të konstatuara nga ana tjetër, janë mjete tejet të rëndësishme për ndryshimin e kulturës së indiferencës, apo pajtimit me sjellje të parregullta, ose në kundërshtim me ligjin. Ky proces duhet të zhvillohet në ekuilibër, midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.

Në këtë kuadër, me qëllim arritjen e këtij synimi, kërkohet paraprakisht një bashkëpunim dhe angazhim i vazhdueshëm dhe intensiv ndërmjet Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe qytetarëve, institucioneve, medies, apo organizatave të shoqërisë civile, të cilët mund të kontribuojnë në denoncimin e fakteve, apo shkeljeve, të cilat mund të kryhen nga ana e magjistratëve.

Për sa më sipër, ju ftoj të konsultoni faqen zyrtare të institucionit tonë dhe le të shërbejë kjo faqe, si një platformë komunikimi ndërmjet nesh dhe si një mjet i rëndësishëm, i cili do të sigurojë, jo vetëm përmbushjen në mënyrë sa më efikase të misionit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe respektimin e të drejtave të individëve.

                                                                                                                                                               Me respekt

Artur METANI