REFORMA NË DREJTËSI – INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË TAKON DELEGACIONIN NGA MOLDAVIA

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani zhvilloi një takim pune me Ministrin e Drejtësisë së Moldavisë, Z. Sergiu Litvinenco dhe delegacionin që e shoqëron me përfaqësues nga Parlamenti, Këshilli i Lartë i Magjistraturës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ekspertë të drejtësisë, në kuadër të vizitës, që po zhvillon në vendin tonë, për t’u njohur me zbatimin e reformës në drejtësi, arritjet dhe mësimet e nxjerra nga ky proces.

Z. Metani e njohu delegacionin nga Moldavia me detyrat dhe funksionimin e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si institucioni më i ri kushtetues, i pavarur, i dalë nga reforma në drejtësi, përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Moldavia ka nisur një axhendë reformash për sistemin e drejtësisë, me synim luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit, e në këtë kuadër Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në përgjigje të interesit të delegacionit nga Moldavia, nënvizoi se me gjithë vështirësitë, të pritshme për një proces kaq të thellë, reforma në drejtësi ka krijuar një sistem efikas kundër mundësisë për ndërhyrje ndaj prokurorëve a gjyqtarëve në punën e tyre, vetëm nëse e duan vetë një gjë të tillë, pasi Kushtetuta dhe ligji sot në Shqipëri nuk krijojnë asnjë mundësi, që gjyqtarët e prokurorët të kenë varësi nga çdo institucion politik apo institucione të tjera, që mund t’u bëjnë presion në vendimmarrjet e tyre.