NË DITËN E DREJTËSISË, ILD FTON QYTETARËT TË SHPREHEN MBI PUNËN E INSTITUCIONIT

Në Ditën e Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë prezanton një mënyrë më shumë të komunikimit të institucionit me qytetarët, një anketë mbi punën e deritanishme.

Qëkur është ngritur si institucioni më i ri i dalë nga reforma në drejtësi, ILD ka patur një vëmendje të posaçme për marrëdhënien me qytetarët, si një mënyrë për t’u përmirësuar dhe rritur besimin e publikut tek institucioni ynë.

Pas rrugëtimit 2 vjecar, mendojmë se ka ardhur koha, që opinionin e publikut ta vjelim përmes një komunikimi direkt me të, përmes kësaj ankete, e cila mund të plotësohet për vetëm 3 minuta.

Po zgjedhim Ditën e Drejtësisë për ta publikuar këtë Anketë, pasi sic është shprehur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Metani “Krijimi i respektit për punën e drejtësisë është një përpjekje, që shkon përtej sistemit. Ai është edhe kontribut i faktorëve të tjerë në shoqëri, veçanërisht atyre politikë e mediatikë. Krijimi i një mjedisi demokratik për respektimin e sistemit të drejtësisë nuk është as çështje ligji, as çështje vendimmarrjeje. Kushtetutshmëria, shteti ligjor, respekti për punën e tjetrit apo të asaj që quhet ndarja e pushteteve janë standarde, që duhen ushqyer çdo ditë me largpamësi, jashtë interesit të çastit, duke e mirëmenduar në vizion afatgjatë çdo fjalë të thënë dhe çdo gur të hedhur ndaj sistemit të drejtësisë. Si shoqëri duhet të jemi gati të pranojmë edhe vendime që nuk na pëlqejnë.”

Çdo sugjerim, kritikë apo vlerësim i përcjellë përmes kësaj ankete, që mund të plotësohet online ose edhe pranë institucionit të ILD-së, do jetë tejet i cmuar për të orientuar punën tonë në vazhdim.

Linku i anketës: https://ild.al/sq/ankete/