Kazablanka, Marok. 11 Maj 2022
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani po merr pjesë në Konferencën dy ditore rajonale për Shërbimet e Inspektimit të Drejtësisë të vendeve të Mesdheut jugor, që po mbahet në Kazablanka të Marokut, organizuar projekti CEPEJ, Komisioni Evropian për efikasitetin e drejtësisë në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ), pjesë e të cilit është edhe ILD, si dhe Inspektimin e Përgjithshëm të Çështjeve Gjyqësore të Këshillit të Lartë të Pushtetit Gjyqësor të Mbretërisë së Marokut.
Konferenca bën bashkë përfaqësues të inspektimeve të drejtësisë të vendeve të rajonit jugor të Mesdheut (Egjipti, Jordania, Libani, Maroku, Palestina, Tunizia) dhe disa prej vendeve anëtare të RESIJ (Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Spanja, Franca, Italia, Portugalia, Rumania).
Në fjalën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani u ndal tek statuti dhe misionet e inspektimit të drejtësisë, qasja krahasuese mes tyre, si dhe format e ndryshme të organizmit dhe bashkëveprimi me institucionet e tjera.
“Cilësia e drejtësisë është një prioritet i të gjitha vendeve. Përmirësimi i cilësisë së drejtësisë është një proces dinamik dhe në evoluim të vazhdueshëm. Realizimi i këtij qëllimi kërkon një nevojë të vazhdueshme për t’iu përgjigjur sfidave për identifikimin e mekanizmave të rinj të mbrojtjes së tyre. Ka probleme të cilat janë të njëjta për vendet e Bashkimit Evropian. Disa janë në bllok për të gjitha vendet e Këshillit të Evropës dhe të tjera janë specifike për secilin prej tyre.
Në këtë kuadër, të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë. Të gjithë ne duhet të analizojmë dhe bashkërendojmë metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë. Kjo duhet të realizohet nëpërmjet takimeve periodike; shkëmbimit të eksperiencave; unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës; krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit; shkëmbimit të të dhënave; apo dhe ndihmës juridike të ndërsjelltë ndërmjet shteteve.”, tha mes të tjerash Z. Metani në fjalën e tij në këtë konferencë.
Konferenca përmban një seri modulesh, në të cilat pjesëmarrësit diskutojnë mbi statusin dhe kompetencat e organeve inspektuese të drejtësisë, monitorimin e magjistratëve dhe organizimin e gjykatave, si dhe perspektivat për inspektimet dhe misionet e tyre të reja.
Dita e dytë e konferencës do t’i kushtohet krijimit të Rrjetit Mesdhetar Jugor për Shërbimet e Inspektimit Gjyqësor.