PREZANTIMI I INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË NË KOMISIONIN PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT

Faleminderit kryetare,

Të nderuar deputetë,

E konsideroj edhe unë realisht një mundësi të mirë që të vij para jush dhe të vlerësohet puna e institucionit, si për atë që është bërë mirë, edhe për atë që nuk është bërë mirë, padyshim. Edhe si një mundësi shumë e mirë që unë të shpreh shqetësimin që trupa e inspektorëve dhe unë kemi patur gjatë dy viteve të ekzistencës së ILD-së sepse padyshim që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që kanë qenë dy vite jo të lehta për ngritjen e një institucioni të ri nga e para, në çdo kuptim, infrastrukturor, burimesh njerëzore, standardesh pune e kështu me radhë.

Ju e keni tashmë Raportin përpara dhe nuk do doja që t’ju lodhja me përshkrim të raportit, por do doja të ndalesha vetëm në pikat e Rezolutës, që ka miratuar Kuvendi vjet dhe sa e si i ka realizuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë këto rekomandime të Kuvendit.

Bëhet fjalë për 8 rekomandime, nga të cilat gjysma janë përmbushur dhe gjysma tjetër janë realizuar pjesërisht dhe mbeten në proces për realizimin përfundimtar, edhe me mbështetjen e Kuvendit, siç do jua paraqes më poshtë.

  1. Lidhur me rekomandimin e parë është ngritur dhe vënë në zbatim sistemi i brendshëm i menaxhimit të çështjeve për procedurën hetimore, në bashkëpunim me misionin Euralius. Eshtë një sistem që e ka kërkuar vetë ILD, në kuadër të asistencës nga Euralius, pasi na nevojitet për punën e përditshme, lehtësimin e procedurave të qarkullimit të dokumentacionit dhe ruajtjen e sigurisë së të dhënave të mbajtura në të, sipas funksioneve përkatëse, ndarjes së detyrave, dhe trajtimit të dokumentacionit në Zyrën e ILD-së. Aktualisht, sistemi është duke u përdorur kryesisht nga Arkiv-Protokolli, i cili kryen veprime të regjistrimit, skanimit dhe përditësimit të dokumentacionit shkresor për ankesat, si dhe nga inspektorët dhe ndihmësinspektorët, të cilët plotësojnë në sistem dokumentacionin e lidhur me një ankesë. Në të ardhmen, sistemi do ofrojë lehtësira për të gjithë përdoruesit dhe gjenerimin e raporteve/statistikave. ILD e ka marrë në dorëzim si aset nga EURALIUS në janar 2022 dhe e ka pajisur me licensat e nevojshme për përdorimin e tij me afat vlefshmërie deri në gusht të vitit 2022. Në vijim, do merren masa për të bërë kërkesa buxhetore pranë Ministrisë së Financave me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të sistemit dhe rinovimin e licensave përkatëse, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e sistemit dhe përmbushja e qëllimeve të tij. Pra, është një rekomandim që vijon të plotësohet.
  2. Sa i takon backlogut, janë 2104 ankesa dhe praktika në faza të ndryshme trajtimi, të administruara nga ish KLD. ILD ka realizuar ngritjen e bazës së të dhënave me qëllim pasqyrimin e të dhënave të sakta, lidhur me numrin e trajtimit të tyre, objektin, pretendimet e paraqitura në këto ankesa etj., me qëllim grupimin e tyre dhe hartimin e një radhe përparësie shqyrtimi. Pas rekrutimit dhe të 8 inspektorëve (magjistratë dhe jo magjistratë), u bë shpërndarja e praktikave në 4 (katër) inspektorë për trajtimin me përparësi të tyre. Është një punë në proces që varet së pari nga kapacitetet njerëzore, ku ILD ka mungesa.
  3. Bashkëpunimi me Këshillat dhe institucionet e rivlerësimit kalimtar është shndërruar në praktikë pune sa i takon ILD-së, si për informacion apo listat e përditësuara të magjistratëve në detyrë apo kur u mbaron statusi, me KLGJ e KLP, ashtu edhe me KPK-në.  Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në çdo rast ka trajtuar me prioritet maksimal dhënien e informacionit ndaj këtyre institucioneve. Pra, ky rekomandim nga ana jonë konsiderohet i përmbushur. 
  4. Nga ana tjetër, nga ILD e në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë vendosur ura komunikimi e koordinimi institucional me të dy këshillat, sa i takon procesit të procedimeve disiplinore, takimeve periodike mes nesh, kjo për të identifikuar problematikat me interes të përbashkët, që hasen gjatë zbatimit të ligjit, dakordësimin dhe koordinimin mbi zbatimin e standardeve uniforme, përmes garantimit të një procesi të rregullt disiplinor e në respekt të pavarësisë së magjistratëve. Ky proces synohet të vijojë si një platformë komunikimi mes tre institucioneve dhe e konsiderojmë një rekomandim të përmbushur.
  5. Për të thjeshtuar e përshpejtuar punën e inspektorëve është hartuar manuali i hetimit disiplinor, një rekomandim i Kuvendit gjithashtu, që synon të mbështesë interpretimin dhe zbatimin e një kuadri të ri ligjor, sa i përket sistemit disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Manuali është i ndërtuar me analizën dhe komentet e dispozitave, format standarde të ndërtuara bazuar në kërkesa të qarta të neneve të ligjit procedural për hetimin disiplinor të shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorë dhe mbulojnë kryesisht procedurat që duhet të ndiqen gjatë procesit disiplinor. Sa i takon metodologjisë së inspektimit, ILD për shkak të numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve dhe numrit të lartë të ankesave të mbartura, deri tani kanë nisur 3 (tre) inspektime tematike, të cilat janë në vazhdim, konkretisht: Inspektimi tematik i gjykatave dhe zyrave të prokurorive pranë tyre mbi trajtimin e kërkesave objekt “Lirimin me Kusht”; Inspektimi tematik mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale në kuadër të zbatimit të udhëzimit të përgjithshëm mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, si dhe “Inspektimi tematik mbi respektimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masave të sigurimit personal” për veprën penale “Të mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Pas marrjes së të dhënave nga gjykatat dhe prokuroritë të përfshira në këtë inspektim tematik dhe analizimit të tyre gjatë procedurave inspektuese të ndjekura, për inspektimin tematik për “lirimin me kusht” janë paraqitur 2 kërkesa për procedim disiplinor në vitin 2020 dhe 1 kërkesë për procedim disiplinor gjatë vitit 2021.  Ndërsa për dy inspektimet e tjera të sipërpërmendura, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në proces të analizimit të të dhënave të administruara për secilin inspektim tematik, rezultatet e të cilëve priten të dalin gjatë vitit 2022. Në secilin prej vendimeve është miratuar edhe metodologjia e inspektimit që do të ndiqet. Por, duhet ta them se në këtë fazë të kapacitetit të burimeve njerëzore, kjo masë mbetet e realizuar pjesërisht, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të inspektorëve dhe trajtimit të ankesave të prapambetura nga ish-KLD, KLGJ-së dhe atyre aktuale, por dhe të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për realizimin e inspektimeve. Ne ndërkohë, nuk kemi ndenjur duarkryq por jemi orientuar drejt fuqizimit të kapaciteteve, si për metodologjinë ashtu edhe inspektimin në vetvete, duke bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë për të marrë praktikat më të mira të punës, për një proces që ata e kanë traditë, si me partnerë europianë ashtu edhe amerikanë. Aktualisht, është duke u hulumtuar mbi metodologjitë e disa vendeve europiane me qëllim përcaktimin e rregullave mbi mënyrën e realizimit dhe hapave procedurale që duhet të ndiqen në një proces inspektimi. Sa i takon rregullores së ankesave, po punohet për ndërtimin e një sistemi të brendshëm të qarkullimit të dokumentacionit, në vlerësim edhe të modeleve të huaja, nga institucione homologe. Prej 10 dhjetorit 2021, ILD është pjesë e Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), me statusin e vëzhguesit sepse anëtarët janë vetëm vende të BE, por ka nisur shkëmbimin e praktikave të punës nga shërbimet e inspektimit në vendet europiane. Bashkëpunimi me këtë rrjet startoi nëntorin e kaluar në Tiranë, ku anëtarë të këtij Rrjeti zhvilluan vizitë pune në Shqipëri dhe trajnime intensive me ekipin e ILD-së. Tashmë edhe ILD po ndan eksperiencën e vet në aktivitete ndërkombëtare që organizon Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë. Ndërsa pas disa javësh, në qershor mikpresim në Tiranë një konferencë ndërkombëtare të këtij Rrjeti, me mbështetjen e Këshillit të Evropës përmes CEPEJ (Komisioni Europian për Eficencën në Drejtësi).
  6. Sa i takon rekomandimit për përshpejtimin e punës me rekrutimet dhe plotësimin e ILD me kapacitet e nevojshme njerëzore, ILD ka marrë masat që kanë qenë në kapacitetet e veta, por ka nevojë për mbështetje nga Kuvendi i Shqipërisë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vijuar punën me një inspektor të vetëm gjatë vitit të parë të veprimtarisë së tij, pra deri në shkurt 2021, dhe në vijimësi ka kërkuar komandimin e magjistratëve të tjerë pranë këshillave. Nga ana e KLGJ-së janë realizuar shtatë shpallje, për komandimin e magjistratëve gjyqtarë në pozicionin e inspektorit pranë Zyrës së ILD-së, por asnjëra nuk ka rezultuar e suksesshme në drejtim të plotësimit të nevojave të ILD-së. Ndërsa nga ana e KLP-së, me përfundimin e procedurave, janë komanduar 4 magjistratë prokurorë, për një periudhë 5 vjeçare. Me shpalljen e vet, ILD ka rekrutuar 4 inspektorë jo magjistratë, duke bërë që numri i inspektorëve në total, sot që flasim të jetë 8, nga 26 që parashikon ligji. Më 30 shtator 2021 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shpallur thirrjen për 9 (nëntë) pozicione për inspektorë jomagjistratë tek njësia e inspektorëve. Po vijon filluar procedura përzgjedhëse për 19 kandidatë, të cilët kanë shprehur interes. Nevojë imperative për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë mbetet plotësimi i njësisë së Inspektorëve me Inspektorë magjistratë, sidomos të profilit gjyqtar dhe për këtë janë të nevojshme ndërhyrjet ligjore, të cilave do u kthehem në fund të kësaj ndërhyrjeje.
  7. Sa i takon hartimit dhe miratimit të planit vjetor të inspektimeve institucionale e tematike dhe bërjen publik të tij në faqen zyrtare të institucionit, puna ka nisur me kërkesën drejtuar KLGJ, KLP dhe PP, për paraqitjen e tematikave apo çështjeve, të cilat mund t’i nënshtrohen inspektimit tematik apo institucional. Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 6 çështje, të cilat mund të jenë objekt inspektimi, e që janë diskutuar në një takim dyditor edhe me partnerë ndërkombëtarë, njëlloj si për vijimin e hartimit të një plani vjetor për inspektimet. Në analizë të mundësive të burimeve njerëzore pranë ILD-së, mundësive financiare për këtë vit, ILD ka vlerësuar se është në kushte të kapacitetit të kufizuar në drejtim të burime njerëzore, përvojës institucionale, por edhe të mundësive financiare për të trajtuar të gjitha nevojat dhe përcaktimin e një plani. Pamundësitë objektive të evidentuara janë të kushtëzuara edhe nga numri i lartë i ankesave të mbartura, por edhe i numrit të lartë të ankesave të paraqitura. Sot që flasim janë rreth 4600 ankesa të administruara në ILD. Në vlerësim të të gjithë faktorëve me impakt në realizimin e inspektimeve, është vlerësuar se mjeti i duhur për adresimin e çështjeve të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm është zhvillimi i inspektimit tematik mbi marrjen e masave administrative dhe procedurale në kuadër të zbatimit të Udhëzimit të Përgjithshëm të Prokurorit të Përgjithshëm “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”. Tashmë ILD i është drejtuar dhe po bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë, të cilët do të asistojnë përmes praktikave më të mira në ndërtimin e një plani vjetor, në zbatim të inspektimeve të përcaktuara në ligjet e reformës në drejtësi, por edhe nga përvoja e deritanishme në funksion të trajtimit të ankesave, duke e vlerësuar në raport me metodologjinë e ndjekur nga homologët europianë. Konkretisht, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar memorandume specifike mirëkuptimi për fuqizimin e bashkëpunimit me inspektoratet homologe në Bullgari, Rumani dhe Itali. Pra, është një rekomandim në proces përmbushjeje.
  8. Promovimi dhe rritja e ndërveprimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me qytetarët është rekomandimi i fundit i Kuvendit për ILD-në në vitin 2022, i përmbushur plotësisht. Marrëdhënia me publikun shihet nga ILD, jo thjesht si një detyrim për transparencë, por si një mekanizëm për të ndërtuar besimin e qytetarëve tek institucioni dhe një reputacion solid. Në funksion të këtij vizioni, është bërë ristrukturimi i faqes zyrtare të internetit, ild.al, me dizajn të ri, ku çdokush mund të hulumtojë lehtësisht për të kërkuar informacion në kohë reale. Pjesën kryesore të faqes e zënë aktivitetet, si një tregues transparence mbi punën e ILD-së, por vëmendja e posaçme është për ankuesit. Përmes një rubrike të veçantë, “Si pranohen ankesat”, në pjesën më të dukshme të faqes, gjendet informacion i detajuar dhe i thjeshtuar, se si mund të ankohesh në ILD. Kjo rubrikë përmban formularin TIP të ankesës, së bashku me udhëzimet përkatëse mbi mënyrën se si duhet plotësuar. E për të ndihmuar ankuesit janë publikuar një sërë shembujsh mbi vendimet, që merr Inspektori i Lartë i Drejtësisë për raste të pranimit apo jo të ankesave. Rrugëtimi që ndjek një ankesë, nga momenti kur dorëzohet në ILD, pra prej fazës së parë të shqyrtimit, e deri kur përfundon në vendimmarrje, ilustrohet me një hartë grafike, që e paraqet kuptueshëm procesin për çdo vizitor të faqes. Në faqe janë të publikuara shifrat e ankesave të administruara e që përpunohen çdo ditë nga ILD, të cilat rifreskohen çdo të hënë, në mënyrë që kushdo të kuptojë ritmin e punës së institucionit tonë. Ky proces por edhe veprimtaria e ILD-së, pasqyrohet çdo muaj në Buletinin e institucionit, që përmban edhe statistika të prodhuara nga Zyra e Ankesave e Protokollit, si dhe Koordinatori për të Drejtën e Informimit. Buletini publikohet çdo muaj në faqen e internetit, në shqip dhe anglisht. Për të lehtësuar komunikimin me ILD-në, në përputhje edhe me të drejtën e qytetarëve për informim, në dispozicion është një numër telefoni, një adresë zyrtare email, kjo e fundit, edhe për dërgimin e ankesave. Përveç faqes zyrtare, komunikimi me publikun bëhet edhe përmes llogarive në Twitter dhe Youtube. E gjitha në funksion të transparencës sepse mendojmë, se ajo sjell besueshmërinë që të gjithë kërkojmë nga qytetarët. Prej 2 javësh kemi lancuar një anketë në faqen zyrtare të ILD-së për të vjelë mendimin e publikut mbi punën tonë dhe kjo padyshim do na ndihmojë të përmirësohemi në vazhdimësi. Faqja zyrtare e ILD është funksionale dhe e përditësuar në shqip dhe anglisht, për të ofruar më tepër akses dhe lehtësi vizitorëve të faqes, që janë të huaj. Pjesë e komunikimit janë edhe intervistat televizive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si për edicione informative, për emisione televizive apo shkrime në shtypin e shkruar. Kjo bëhet për ndërgjegjësimin e publikut mbi misionin e ILD, ashtu edhe në kuadër të transparencës mbi veprimtarinë e institucionit apo për problematika që kanë interes publik. Dua të nënvizoj se në këto dy vite aktivitet, zyra e ILD është orientuar tek edukimi i qytetarëve edhe përmes mënyrës së trajtimit të ankesave. Konkretisht, formulimi i vendimeve ka synuar jo vetëm dhe thjesht analizën e ankesave, verifikimin e fakteve dhe praktikave, por shpesh nëpërmjet tyre, është synuar sqarimi, informimi dhe edukimi i ankuesve me dispozitat ligjore duke përfshirë interpretimin dhe leximin e drejtë të tyre.

Kaq sa i takon rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, por dua të shfrytëzoj këtë rast për të risjellë në vëmendje sfidën e vazhdueshme të ILD-së për plotësimin e vendeve vakante për inspektorë të profilit magjistrat. Plotësimi i Njësisë së Inspektorëve me inspektorë magjistratë do ndihmonte ndjeshëm procesin e trajtimit të ankesave, si kontingjentit të trashëguar nga ish KLD, ashtu edhe ankesat e ardhura direkt në ILD. Siç e thashë edhe më sipër, të gjitha thirrjet e KLGJ-së kanë rezultuar pa asnjë kandidat të interesuar për pozicionin inspektor- magjistrat pranë ILD-së. Në një vlerësim të kryer nga ana jonë, problematikat që diktojnë nevojën për zgjidhje shkojnë nga koha e gjatë që nevojitet për plotësimin e një kërkesë për komandim nga Këshillat, 12 muaj nga praktika e deritanishme në Këshilla dhe 11 muaj rekrutimi i inspektorëve jomagjistratë në ILD, deri tek kërkesat e ligjit për pozicione të tilla. Me qëllim adresimin e situatës, kërkohet bashkërendim i punës me organet kompetente për të:

  • Rishikuar kriteret që duhet të përmbushin magjistratët për t’u komanduar në detyrën e inspektorit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke reduktuar vitet e përvojës në funksion;
  • Komandim të përkohshëm të magjistratit që ka paraqitur kërkesë, deri në kryerjen e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës, ose shkurtimin e afateve për paraqitjen e kërkesave dhe përgatitjen e opinionit nga këshillat;
  • Heqjen e kriterit për të pasur numër të barabartë inspektorësh magjistratë dhe jomagjistratë;
  • Trajtim të barabartë financiar për inspektorët jomagjistratë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përcjellë projektaktet dhe relacionet përkatëse shoqëruese, për ndryshimet e kërkuara, Ministrisë së Drejtësisë më datë 02.12.2020. Deri në momentin që flasim, nuk ka një përgjigje nga kjo Ministri ndaj propozimit të ILD-së për ndryshime ligjore.

Si pasojë e mungesës së një përgjigjeje nga Ministria e Drejtësisë, propozimet iu adresuan Kuvendit si draft amendamente të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë ndjekjes me interes të ecurisë së procesit të shqyrtimit të propozimeve ligjore sipas procedurave parlamentare nga komisionet përgjegjëse, u njohëm me kalendarin e punimeve, sipas të cilit projektligjet ishin vendosur për shqyrtim në datën 06.04.2021. Pavarësisht datës së caktuar në kalendarin e punimeve të komisioneve, nga verifikimet e kryera në faqen zyrtare të Kuvendit, për periudhën 06.04.2021, deri në dhjetor 2021, rezulton se nuk ka të publikuar asnjë procesverbal të komisionit përgjegjës apo komisionit për dhënie mendimi, mbi shqyrtimin e nismës së një ish-deputeti për projektligjin nr. 115/2016.

Në këto kushte, për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, nevoja e ndryshimeve ligjore, nën dritën e argumenteve të parashtruara më lart, mbetet një prioritet për vitin 2022.

Videon e plotë të Raportimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mund ta ndiqni në kanalin zyrtar Youtube.