INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË ARTUR METANI ZHVILLON VIZITË PUNE NË BULLGARI

Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, me ftesë të homologes Znj. Teodora Tochkova, Inspektor i Lartë i Inspektoratit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Bullgarisë.

Z. Metani shoqërohej gjatë vizitës nga inspektorë të ILD-së, anëtarë të kabinetit, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Bullgari, Znj. Donika Hoxha dhe ekspertja ndërkombëtare Znj.Anita Mihailova.

Vizita u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, e nënshkruar mes Inspektoriatit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Bullgarisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shtatorin e vitit 2021, gjatë vizitës së homologëve bullgarë në Tiranë.

Gjate takimit të punës me homologen Tochkova, u diskutua mbi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave më të mira në procesin e inspektimit dhe procedimit disiplinor të magjistratëve. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Metani nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në zhvillimin e mëtejshëm të institucionit, në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese.

Znj. Tochkova dhe ekspertët e institucionit bënë një paraqitje të kompetencave e përbërjes së institucionit, duke u ndalur në procedurat e kryerjes së inspektimeve tematike dhe inspektimeve të planifikuara, inspektimeve të integritetit dhe të pasurisë së magjistratëve, inspektimeve në rast të pretendimeve për zvarritje të proceseve gjyqësore dhe inspektimeve mbi përdorimin e të dhenave personale. Delegacioni i ILD-së u njoh nga afër me punën e Zyrës së Regjistrit të Ankesave dhe Sistemin Elektronik të Regjistrimit të Ankesave e shpërndarjes së tyre. 

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani dhe delegacioni që e shoqëron, ka zhvilluar takime në Këshillin e Lartë Gjyqësor, me Z. Boyan Magdalinchev dhe anëtarët e Këshillit, me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Administrative Z. Georgi Cholakov; në Gjykatën e Lartë të Kasacionit, Zv. Kryetaret, gjykatësen Evgeni Staykov dhe gjykatësen Mimi Furnadjieva, si dhe gjykatësen Galina Toneva; me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Znj. Pavlina Panova dhe me kryetarin e Gjykatës Administrative të Veliko Tarnovo, Z. Georgi Chemshirov.

Gjatë takimeve u shkëmbyen pikëpamje mbi rëndësinë e shtetit të së drejtës në funksionimin e një shoqërie demokratike.