Me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Z. Artur Metani u mbajt në Pallatin Presidencial, Konferenca Ndërkombëtare me temë “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”. Pjesëmarrës ishin drejtues dhe përfaqësues të shërbimeve të inspektimit të drejtësisë nga vendet e Bashkimit Europian, konkretisht të Belgjikës, Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Portugalisë, Rumanisë, Spanjës dhe Shqipërisë.
Konferenca u organizua nga Rrjeti Europian të Shërbimeve të Drejtësisë (RESIJ) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me CEPEJ (Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri, SEJ III), e me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.
Rrjeti Europian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) është krijuar në vitin 2017 dhe ka në përbërje institucionet e inspektimit nga vende të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Komisionit Europian, ku Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka statusin e vëzhguesit prej dhjetorit 2021.
Konferenca u përshëndet nga kryetarja e Kuvendit Znj. Lindita Nikolla; i ngarkuari me punë, Delegacionit të BE-së, Z. Alexis Hupin; i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-së, Z. Demian Smith, Zv. Drejtuesi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Z. Olsi Dekovi, koordinatorja e Rrjetit Evropian të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), Znj. Delphine Agoguet dhe Sekretarja e CEPEJ (Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë), Znj. Muriel Decot.
Në fjalën e tij përshëndetëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani e vuri theksin tek nevoja për bashkëpunim mes shërbimeve të inspektimit, për të marrë modelet më të mira të njëri-tjetrit, për të bashkërenduar metodat e kontrollit dhe të vlerësimit të institucioneve të drejtësisë në përputhje me vlerat e përbashkëta evropiane, pavarësisht diversitetit të kulturave politike, juridike, sociale apo ekonomike.
“Historia në Evropë dhe jashtë saj po tregon se pavarësia e magjistratëve nuk duhet marrë si e mirëqenë, por mbetet një çështje që i përket të gjitha vendeve. Ky është standard i një dimensioni të përbashkët të shoqërive tona. Ky është një standard ndërkombëtar. Sot të gjitha vendet duhet të shtojnë përpjekjet për forcimin e kësaj pavarësie, por nga ana tjetër edhe rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së organeve të sistemit të drejtësisë. Të dyja nuk mund të ecin, përveç se bashkë. Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq me demokratikisht ecën shoqëria. Të dyja këto standarde, cilësia e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve janë prioritet i të gjitha vendeve.”, tha Z. Metani
Kryetarja e Kuvendit Znj. Lindita Nikolla në fjalën e saj vlerësoi ndryshimin që ka ndodhur prej miratimit të reformës në drejtësi. “Sot, pavarësia reale e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po konsolidohet paralel me “varësinë” e tyre prej Republikës, Kushtetutës, ligjeve dhe interesit publik. Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet, në të dy aspektet, politike dhe financiare. Sot, fijet që e lidhnin sistemin me format korruptive të mësipërme, janë këputur e po këputen dita-ditës. Pushteti gjyqësor po ndërtohet, fuqizohet dhe afirmohet si një pushtet i pavarur. Miti tjetër, se sistemi nuk mund të vetëreformohet, gjithashtu po rrëzohet. Dhe në këtë aspekt ka meritën e vet edhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, njëri prej organeve të reja dhe më të rëndësishme të qeverisjes së sistemit.”
I ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së, Z. Alexis Hupin nënvizoi në fjalën e tij punën e madhe që është bërë me reformën në drejtësi, si një praktikë europiane por është praktikë e re për Shqipërinë që vjen së bashku me sfidat krahas rregullave, krahas clirimit nga ngarkesa e cështjeve të prapambetura, krah komunikimit me publikun por gjithashtu edhe për rekrutimin e më shumë inspektorëve në rastin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Megjithatë pas dy vitesh vlerësojmë se ju vërtetë keni përmbushur pritshmëritë edhe psë shumë punë mbetet për t’u bërë. Sic e tha znj.kryetare keni bërë një rrugë të gjatë por ndikimimet e papërshtatshme e ndërhyrjet në cështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme. Marrin edhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi si e tërë por ndonjëherë marrin edhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve. Për rrjedhojë do doja të falenderoja Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për sjelljen shumë profesionale ndaj kësaj trysnie për ta mbajtur gjyqësorin llogaridhënës por edhe për të ruajtur, cka është shumë e rëndësishme pavarësinë e tij.”, tha Z. Hupin.
I ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-së, Z. Demian Smith vërejti në fjalën e tij se sot po shohim një epokë të re ku sistemi po fillon t’u shërbejë qytetarëve dhe jo vetëm politikanëve, personave me lidhje politike, të pasur apo të inkriminuar. “Shtetet e Bashkuara ju nxisin që të vazhdoni punën e mirë dhe punën e madhe, pavarësisht pengesave që hasni. Krahas partnerëve tanë të BE-së – dhe dua t’i bashkohem komenteve të kolegut tim të BE-së për partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në drejtësi – ne mbështetëm fillimin e Reformës në Drejtësi në 2016-ën dhe kemi qenë aty në çdo hap të rrugës, përmes vetingut dhe krijimit të institucioneve e reja. Kemi nisur të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Varet nga vigjilenca dhe angazhimi i institucioneve si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për të ruajtur përparimin kundër korrupsionit dhe për të garantuar integritetin e sistemit gjyqësor. Sot, ju keni diskutime të rëndësishme me partnerët evropianë se çfarë po funksionon dhe çfarë mund të bëhet më mirë. Në fund, ndryshimi i vërtetë, domethënës, ju takon juve, palëve në sistemin e drejtësisë, që të përqafoni reformën dhe t’a bëni sistemin funksional për çdo shqiptar.” tha mes të tjerash Z.Smith.
Zv. Drejtuesi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Z. Olsi Dekovi tha se “Pavarësia e gjyqësorit kërkon bashkëpunimin e institucioneve dhe instrumentave ligjore te ndryshem si edhe një kombinim kushtesh dhe masash që mund të jenë të ndryshme në vende të ndryshme ku secili gjen ekuilibrin e vet. Kam besim se konferenca e sotme do të ndihmojë në ndërtimin e një platforme për inspektorët gjyqësorë për të prezantuar, diskutuar dhe shkëmbyer përvojat, idetë dhe kërkimet e tyre, perfshi dhe sfidat e inspektimit gjyqësor.”
Koordinatorja e Rrjetit Evropian të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) inspektorja magjistrate znj. Delphine Agoguet falenderoi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për organizimin e këtij takimi në Tiranë dhe tha se shërbimet e Inspektimit në Evropë mund të kenë organizime shumë të ndryshme varësie por objektivin e punës e kanë të njëjtë. « Një sistem drejtësie nuk mund të jetë efikas dhe i pavarur nëse nuk mund të mbështetet mbi një sistem inspektimi që zotëron të njëjtat cilësi. Në të gjitha vendet, të gjitha autoritetet e ngarkuara me kontrollin, e kanë këtë përgjegjësi të madhe të krijojnë dhe të rindërtojnë besimin e qytetarit në drejtësi. Kontributi në forcimin e ktyre autoriteteve dhe shërbimeve është një nga misionet kryesore që i ka vënë vetes Rrjeti Evropian i Inspektimeve të Drejtësisë. »
Në fjalën e saj, Znj. Muriel Decot, Sekretare e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) u fokusua në rolin e rëndësishëm të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të garantuar që gjyqtarët dhe prokurorët të respektojnë standardet më të larta profesionale dhe të japin drejtësi për të gjithë qytetarët.“Përfitoj nga rasti të ritheksoj angazhimin e CEPEJ-it për të vazhduar mbështetjen e reformave në drejtësi në Shqipëri dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një institucion kyç i sistemit të drejtësisë shqiptare”, përfundoi Decot.
Në konferencë merrnin pjesë kryetarja e komisionit për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputetja Klotilda Bushka; kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami; kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Z.Alfred Balla; Prokurori i Përgjithshëm Z.Olsian Cela; kreu i Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, Z. Arben Kraja; anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Znj. Marsida Xhaferllari; anëtari i Gjykatës së Lartë, Z. Ilir Panda; këshilltari ligjor rezident për kundër terrorizmin pranë ambasadës së SHBA në Shqipëri, Z. Clay Stifler, anëtarët e komisionit të disiplinës, njëkohësisht anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Marcela Shehu dhe Z. Ridvan Hado; anëtarët e komisionit të disiplinës, njëkohësisht anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Znj. Mirela Bogdani, Z. Sokol Stojani dhe Znj. Esmeralda Keshi; gjykatësja e Apelit Shkodër Znj.Valbona Vata; Rektori i Universitetit të Tiranës, Z.Artan Hoxha; zëvendës Prokurori i Përgjithshëm në Gjykatën e Kasacionit, Itali, Z. Gianluigi Pratola; Z.Giovani Pasqua, drejtues i projektit italian që mbështet Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri, inspektorët e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarë të kabinetit.
Konferenca zhvillohet me tre sesione pune, që moderohen nga magjistratë europianë e gjatë të cilave, shefat dhe përfaqësuesit e shërbimeve të inspektimeve të drejtësisë referojnë mbi një tematikë të caktuar, brenda temës së konferencës “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve”.
Konferenca ka një faqe të dedikuar me informacion të plotë, brenda faqes zyrtare të ILD-së, në Rubrikën Tirana 2022.