TRANSPARENCA, MEKANIZMI MË I MIRË NË KOMUNIKIMIN E EFIKASITETIN E INSTITUCIONEVE TË DREJTËSISË

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani mori pjesë në tryezën me temë “Komunikimi i Organeve të Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë me Median dhe Publikun”, një aktivitet i projektit SEJIII të Këshillit të Evropës në mbështetje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kjo tematikë u diskutua mes tre institucioneve të reja të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me ekspertë të CEPEJ (Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri) dhe KEDNJ për lirinë e shprehjes dhe medias.

Në fjalën e tij përshëndetëse Z. Metani vërejti se pritshmëritë e larta publike mbi punën dhe rezultatet e sistemit, për një drejtësi që vepron njëlloj ndaj padrejtësisë e kulturës së pandëshkueshmërisë, bëjnë që institucionet e reja të drejtësisë të jenë në fokus, të vëzhgohen, gjykohen e paragjykohen, me apo pa të drejtë. Por kjo, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk duket të sjellë stepje apo frikë nga kritikat, por vetëpërmbajtje dhe impenjim për të qëndruar mbi interesat e ditës së aktorëve e faktorëve publikë, duke u fokusuar tek misioni ynë. 

 

Mendoj se një mekanizëm shumë i mirë mbrojtës është transparenca, përmes një strategjie të mirë komunikimi, për prezantimin cilësor të punës sonë, si për rritjen e forcimin e besimit të publikut tek drejtësia, ashtu edhe për fuqizimin e funksionimit dhe rolit të vetë institucioneve tona, në arritjen dhe ruajtjen e pavarësisë dhe paanshmërisë së magjistratëve.”, nënvizoi mes të tjerash Z. Metani.

Në ditën e dytë të tryezës “Komunikimi i Organeve të Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë me Median dhe Publikun”, këshilltarja për komunikimin dhe median e ILD-së, Znj. Mimoza Kociu bëri prezantimin “Strategjitë e komunikimit. Modeli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”.