ILD MEMORANDUM BASHKËPUNIMI ME FAKULTETIN JURIDIK TË UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

Prishtinë, 24 Tetor 2022

Gjatë një vizite pune që po zhvillon në Kosovë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani u takua me ushtruesen e detyrës së rektorit të universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës, Prof. Ass. Dr. Luljeta Plakolli-Kasumi dhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Fakultetin Juridik të këtij universiteti, që do të kontribuojë në thellimin e shkëmbimin e njohurive në fushën e drejtësisë.

Gjatë takimeve u shpreh kënaqësia për vendosjen e urave të komunikimit mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri dhe universitetit të Prishtinës, për të krijuar mundësi bashkëpunimi, që ndihmojnë të dyja palët të ndërmarrin nisma të përbashkëta.

Pas nënshkrimit të memorandumit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani dhe Dekani i Fakultetit Juridik të universitetit të Prishtinës, Prof. As. Dr. Avni Puka nënvizuan se produkti i parë i kësaj marrëveshjeje do të jetë nisja brenda vitit, e praktikave të studentëve të Fakultetit Juridik pranë Zyrës së ILD-së.

Mes të tjerash në memorandumin e bashkëpunimit mes ILD-së dhe Fakultetit të Drejtësisë së universitetit të Prishtinës, parashikohet shfrytëzimi i kapaciteteve të përbashkëta për ndërtimin e programeve edukuese, që i shërbejnë komunitetit të studentëve, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në fushën e drejtësisë, përfshirë nisma me karakter akademik e hulumtues, si dhe organizimi i tryezave dhe ligjëratave të ndryshme.