NDËSHKIMI I KRIMIT MJEDISOR NË VËMENDJEN E DREJTËSISË SË VENDEVE TË EVROPËS

Bukuresht, 19 Maj 2023

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani mori pjesë në programin studimor në kuadër të projektit COPEIJ të Komisionit Evropian, “Bashkëpunimi për Mbrojtjen e mjedisit përmes Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë”, në Bukuresht.

Eventi është pjesë e aktiviteteve të Rrjetit Evropian të Shërbimit të Inspektimeve të Drejtësisë (RESIJ), pjesë e të cilit është me statusin e vëzhguesit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.  

Pjesëmarrësit nga Inspektoratet e Drejtësisë së Francës, Italisë, Portugalisë, Rumanisë e Shqipërisë u mikpritën nga shefja e Inspektoratit rumun të Drejtësisë, znj. Roxana Ioana Petcu dhe u njohën me eksperiencën rumune në drejtim të luftës ndaj krimit mjedisor.

Drejtues të gjykatave e prokurorive, gjyqtarë e prokurorë, drejtues të gardës kombëtare të mjedisit, të policisë kufitare, të ministrisë së mjedisit, agjencisë për mbrojtjen e mjedisit (seksioni EMAS), të Fondit Botëror për Natyrën në Rumani, pedagogë e inspektorë të drejtësisë paraqitën kuadrin ligjor, problematikat, hetimin penal e sfidat e Rumanisë në luftën kundër krimit mjedisor në tokë e në det. 

Pjesëmarrësit zhvilluan një takim edhe me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor  dhe një vizitë pune në Inspektoratin e Drejtësisë të Rumanisë.