Vlorë, më 20 Maj 2023
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare shkencore “Ligjëratat e Rolando Quadri-t në të Drejtën Ndërkombëtare”, organizuar nga Departamenti i Drejtësisë së Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës.
E konceptuar si ditë studimore në nderim të figurës së juristit të spikatur italian Rolando Quadri dhe kontributit të tij shumëvjecar në të Drejtën Ndërkombëtare, konferenca bashkoi profesionistë e studiues të së drejtës, akademikë, përfaqësues institucionalë nga Shqipëria dhe Italia.
Në përshëndetjen e tij për konferencën, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nënvizoi kënaqësinë personale e profesionale, të të qenit në një mjedis ku diskutimi bëhet në nivel akademik, si një proces tejet i rëndësishëm, që provokon një debat të dobishëm.
Duke iu referuar temës së aktivitetit, z. Metani tha: “Kur u njoha me programin me këtij aktiviteti, temat e diskutimit si dhe çështjet të cilat do të trajtohen mendimi i parë që më erdhi në mendje kishte të bënte me skepticizmin që ka ndjekur që nga lashtësia dhe deri në ditët sotme zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare.
Ka shumë autorë skeptikë si filozofë, politologë, juristë apo publicistë, të cilët i mohojnë karakterin apo tiparin e së “drejtës pozitive”, të drejtës ndërkombëtare sepse shtetet janë sovrane dhe mbi to nuk mund të ketë të drejtë tjetër, që do të duhet të zbatohej nga ana e tyre. Të drejtës ndërkombëtare i mungojnë karakteristikat e së “drejtës pozitive” por ajo duhet të konsiderohet vetëm si çështje etike apo morali pozitiv ndërkombëtar.”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehu kënaqësinë, që është Shqipëria pikënisja e ndërtimit të një dialogu përmes një konference të tillë. “Jo vetëm për të ndarë mendimet tona në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe për të ndarë mendime mbi vlerat që na bashkojnë, raportin që gjithsecili nga ne ka me të drejtën, universalitetin e saj, strukturat institucionale apo dhe bashkëpunimin ndërmjet individëve apo shteteve.”