INSPEKTIMET TEMATIKE NË FOKUS TË TRAJNIMIT TË EKIPIT TË ILD-së

Paralelisht me vizitën në Tiranë të z. Christophe Straudo, President i RESIJ dhe Shef i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, dy inspektorë të përgjithshëm të Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, inspektorja magjistrate Marjorie Obadia dhe inspektori i Përgjithshëm Jean-Louis Daumas zhvilluan një trajnim dy ditor me ekipin e ILD-së, me mbështetjen e CEPEJ, projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës për drejtësinë.

Në nisje të trajnimit, në fjalën përshëndetëse, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani vlerësoi se shkëmime të tilla profesionale janë një mënyrë pune për institucionin që drejton, në mënyrë që ekipi i ILD-së të ketë performancën më të lartë të punës, bazuar në ekspertizën e praktikat më të mira të institucioneve homologe europiane apo edhe të tjerë.

Shef i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, z. Christophe Straudo nënvizoi gatishmërinë e palës franceze për të dhënë pakursim ekspertizën e tyre për kolegët shqiptarë dhe ky trajnim e dëshmon këtë.

Në dy ditët e trajnimit, inspektorët francezë bënë një prezantim të Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë të Francës, me fokus tek inspektimet tematike dhe mbështetëse, kontrollet operative dhe standardet e referimeve, metodologjinë e inspektimeve funksionale, hetimet administrative ndaj magjistratëve dhe metodologjinë e përdorur, duke diskutuar mbi raste konkrete, problematika dhe zgjidhje.

Në trajnim morën pjesë inspektorët e Zyrës së ILD-së, ndihmës inspektorët, anëtarë të kabinetit dhe të drejtorisë së hartimit të akteve shërbimeve juridike.

***

Inspektori Jean-Louis Daumas, përgjegjës i departamentit të ekzekutimit të vendimeve pranë Inspektoratit të Përgjithshëm të drejtësisë së Francës, me eksperiencë të gjatë si drejtues në sherbimet penitenciare dhe Inspektorja magjistrate Marjorie Obadia zhvilluan një takim me drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, z. Admir Abrija, i cili i njohu me sistemin e burgjeve në Shqipëri, menaxhimin e tyre, dimensionin social të sistemit, rritjen profesionale të stafit dhe iu përgjigj pyetjeve të bashkëbiseduesve, që bënë krahasimet me modelin francez.