Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në takimin e dytë të Komitetit Drejtues të Përfituesve të programit “Instrumenti horizontal III për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Z. Metani veçoi bashkëpunimin ndër vite të Zyrës së ILD-së me këtë iniciativë të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në kuadër të forcimit të cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri.
Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Artur Metani
Mirëdita të gjithëve e faleminderit për ftesën!
Është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në eventet e Këshillit të Evropës, pasi me Zyrën e Tiranës, përmes z. Dekovi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka nisur bashkëpunimin që në fillimet e veta të funksionimit si institucion. Kujtoj që e kemi nisur me vlerësimin fillestar të nevojave të Zyrës së ILD-së për rritje profesionale kapacitetesh, duke identifikuar temat me interes për trajnime, metodologji të punës dhe aktivitetet shoqëruese.
Ndër vite projekti i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian për eficencën e drejtësisë (CEPEJ) ka patur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e institucioneve shqiptare të drejtësisë, në zbatimin e reformave që sigurojnë rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së sistemit të drejtësisë në vendin tonë dhe ILD ka qenë një nga përfituesit, që eksperiencën e marrë e ka përkthyer në rritje vizibiliteti dhe rrjetëzim me homologët evropianë, përmes anëtarësimit me të drejta të plota në Rrjetin Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, RESIJ.
Kështu, duke iu përgjigjur nevojave të ILD-së e në kuadër të bashkëpunimit me RESIJ, prej vitit 2021, CEPEJ ka mbështetur aktivitetet trajnuese në Tiranë të ekipit të inspektorëve të ILD-së nga homologë të tyre të vendeve anëtare të BE-së (Franca, Italia e Rumania), si në hetimin disiplinor, ashtu edhe praktikat e inspektimit në përputhje me standardet europiane.
Me projektin SEJ IV, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka realizuar dy module trajnimesh të rëndësishme në Tiranë. I pari në qershor 2023, me inspektorë francezë, që trajnuan ekipin e ILD-së me praktikat europiane të inspektimit të magjistratëve në bashkëpunim me RESIJ, një event që u kombinua me një vizitë zyrtare të Shefit të Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës.
Këtë vit, pra në 2024, pati një bashkëpunim mes SEJ IV dhe EU4 Justice në përgjigje të nevojave të ILD-së, për forcimin e kapaciteteve të inspektorëve në zhvillimin e inspektimeve tematike, me një risi, kombinimin e një trajnimi klasik të fokusuar në metodologjinë e përgatitjes e zhvillimit të një inspektimi institucional në gjykata e prokurori, me një proces praktik, siç ishte inspektimi konkret në prokurorinë e Durrësit, sipas planifikimit vjetor të ILD-së. E veçanta është se rezultatet e gjetjet kryesore të këtij aktiviteti u përdorën në përgatitjen e një udhëzuesi për kryerjen e inspektimeve tematike, që do diskutohet në aktivitetin e radhës, pas disa ditësh, e që do të jetë një mjet i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm, që do të lehtësojë punën e përditshme të inspektorëve, duke e orientuar atë në përputhje me praktikën e BE-së.
Në këtë frymë, zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbetet e interesuar për të vijuar bashkëpunimin me projektin e BE-së e Këshillit të Europës për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV), e padyshim edhe për të përfituar nga ekspertiza e CEPEJ, në përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve profesionale të ILD-së me praktikat më të mira.
Ju faleminderit për vëmendjen.