Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Stokholm (Mbretëria e Suedisë). I shoqëruar nga ambasadorja e Shqipërisë në Suedi znj. Albana Dautllari, z. Metani dhe delegacioni i ILD-së, zhvilluan takime në Parlament, në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Jashtme të Suedisë, në të cilat u prezantua funksioni dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe kontributi në forcimin e shtetit të së drejtës, si një element kyç për procesin e negocimit të Shqipërisë për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Interesimi mbi ecurinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe punës së institicioneve për konsolidimin e demokracisë ishte në qendër të takimit që z. Metani zhvilloi në komisionin për çështje të BE në parlament me kryetarin e komisionit z. Erik Ottoson dhe më tej me dy deputetë shqiptare me origjinë nga Kosova, znj. Aida Birinxhiku dhe z. Arbër Gashi. Z. Metani iu përgjigj interesit të bashkëbiseduesve edhe për cështje të pavarësisë së institucioneve dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri.
Në Ministrinë e Jashtme, në takimin me drejtuesen e departamentit për Evropën znj.Cecilia Ruhström-Ruin dhe drejtorin për Evropën Juglindore dhe zgjerimin e BE, z. Björn Linderfalk, u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri, me vëmendje rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në sistem.
Çështje të standardeve të punës së magjistratëve, besimit publik tek sistemi i drejtësisë dhe shkëmbimi i eksperiencave, u diskutuan në takimin që delegacioni pati në ministrinë e drejtësisë, me drejtoren e përgjithshme të marrëdhënieve me jashtë Dr. Anna-Carin Svensson.