NEGOCIATAT ME BE, ILD DISKUTIME MBI ASPEKTE TË PUNËS SË VET

Njësia e Inspektorëve, ajo e Ndihmës inspektorëve dhe anëtarë të kabinetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilluan një takim konsultativ pune, ku u diskutua dokumenti “Pozicioni i përbashkët i Bashkimit Evropian”, në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për grupkapitullin e parë themelor. Në pjesën e parë të takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit për aspekte të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe marrjen e masave të nevojshme në funksion të adresimit të gjetjeve. Diskutimet  u shtrinë në aspekte të proceseve të përditshme të punës, që nga administrimi i një ankese që mund të bëhet ndaj një gjyqtari a prokurori, e deri tek hetimi e procedimi disiplinor ndaj dhe u ndanë këndvështrime për përmirësimin e ritmit të punës, bazuar në kapacitetet ekzistuese.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, u paraqit manuali “Udhëzime dhe elemente metodologjie për kryerjen e inspektimit tematik në Shqipëri”, hartuar nga ekspertët e CEPEJ në kuadër të bashkëpunimit me EU4Justice, për rritjen e eficencës së ILD-së. Inspektorët dhe ndihmës inspektorët bënë krahasime me praktikën ekzistuese të punës me inspektimet tematike e institucionale, bazuar në metodologjinë e miratuar dhe mënyrat sesi mund të përdoren modelet e punës së propozuar nga ekspertët e CEPEJ.