Një grup pedagogësh dhe studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, zhvilluan një vizitë studimore katër ditore pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Delegacioni nga Kosova kryesohej nga Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Avni Puka, që shoqërohej nga dy prodekanët, Prof. Florent Mucaj e Prof. Ardrit Gashi, Profesorët Islam Pepaj dhe Muhamet Vokrri, si dhe pesë studentë të nivelit të parë dhe të dytë të studimeve, Gent Bunjaku, Vlera Gjokaj, Arton Salihi, Anita Baftija dhe Vlerë Hoxha.
Vizita është pjesë e bashkëpunimit që Zyra e ILD-së ka vendosur me Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, përmes marrëveshjes së nënshkruar në tetor 2022 në kryeqytetin e Kosovës.
Në ditën e parë, delegacioni nga Kosova u mikprit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani dhe stafi i ILD-së. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, z. Metani tha se shkëmbime të tilla me studentë e pedagogë janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e institucionit e t’u njohur me funksionimin e ILD-së e dinamikat e punës së vet. Ky bashkëpunim merr një vlerë të shtuar kur bëhet me kolegë e studentë nga ana tjetër e kufirit.
Dekani i Fakultetit Juridik z. Avni Puka vërejti se kjo vizitë studimore në Tiranë është kënaqësi por edhe emocion e vjen si vijim i marrëveshjes së bashkëpunimit me ILD-në. Klinika ligjore e Fakultetit Juridik në Prishtinë e ka pjesë të praktikës së punës bashkëpunimin me institucione, për shkathtësimin praktik të studentëve, tha dekani Puka.
Pedagogët dhe studentët nga Kosova zhvilluan një vizitë në ambientet e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që u pasua me një prezantim të kompetencave dhe funksioneve të ILD-së, nga inspektorja znj. Joana Asimi, shoqëruar me diskutime dhe komente nga delegacioni i Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës studimore pranë ILD-së studentët u njohën me procesin e shqyrtimit të ankesave, verifikimin dhe hetimin disiplinor, me raste praktike të hetimit disiplinor, një modul që u paraqit nga ndihmës inspektorët z. Julis Zebi dhe znj. Ornela Shurdhaj.
“Zhvillimi i inspektimeve tematike dhe institucionale” ishte moduli me të cilin studentët nga Kosova u njohën ditën e tretë të vizitës në ILD. Prezantimi u bë nga anëtarja e kabinetit, gjyqtarja znj. Arjeta Lika, e cila iu përgjigj interesit të studenteve mbi këtë proces pune.
Në ditën e fundit të javës në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, studentët e Prishtinës u njohën me modelin e ILD-së, lidhur me transparencën dhe komunikimin publik, nga këshilltarja për komunikimin, znj. Mimoza Koçiu.
Gjatë kësaj vizite studimore studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës zhvilluan vizita në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.