TRAJNIMI I VAZHDUESHËM, SI FILOZOFI PUNE PËR RRITJEN E EFIKASITETIT TË NJËSIVE TË INSPEKTIMIT NË ILD

Njësia e inspektorëve dhe ajo e ndihmësinspektorëve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilluan një trajnim treditor mbi fazat specifike të realizimit të inspektimeve tematike dhe institucionale.

I realizuar nga dy ekspertë ndërkombëtarë afatshkurtër, prokurorja María del Carmen de la Fuente Méndez, inspektore pranë Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë në Spanjë dhe prokurorja Maria Nievez Pujal, drejtuese në prokurorinë e Barcelonës, me mbështetjen e EU4Justice, trajnimi u bazua në modelet e punës së ILD-së dhe praktikat më të mira të Spanjës dhe vendeve BE-së.

“Ky trajnim bëhet në kuadër të inspektimeve tematike, por kam insistuar që të zhvillohet më shumë si një krahasim eksperiencash dhe praktikash pune mes Shqipërisë dhe Spanjës”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani në fjalën përshëndetëse, duke nënvizuar rëndësinë që institucioni që drejton i jep trajnimit të vazhdueshëm të ekipit, për forcimin e kapaciteteve dhe përditësimin me modelet e standardet më të mira të punës nga homologë e ekspertë ndërkombëtarë.

Në tre ditët e trajnimit u trajtua në mënyrë të detajuar roli i inspektimeve në gjykata dhe prokurori, respektimi i pavarësisë gjyqësore përmes gjetjes së balancës që inspektimet të mos ndërhyjnë në vendimmarrjen gjyqësore, garancitë etike dhe procedurale gjatë inspektimeve, përdorimi efektiv i instrumenteve të inspektimit dhe teknikave të përzgjedhjes, adresimi i sfidave praktike dhe përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit të përgjithshëm të inspektimeve. Pjesa teorike u kombinua me studime rastesh dhe dilema nga praktikat evropiane mbi inspektimet tematike dhe institucionale.