ILD NËNSHKRUAN MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT PER PROGRAMIN E ZHVILLIMIT TË LIDERSHIPIT ME AADF

Tiranë, më 21.01.2021

Një memorandum mirëkuptimi u nënshkrua sot mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për Programin për zhvillimin e lidershipit LEAD Albania. Ky program synon t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.

Memorandumi i nënshkruar mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani dhe Bashkë-Drejtorëve Ekzekutivë të AADF-së, z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, parashikon angazhimin e palëve për një marrëdhënie bashkërenduese e bashkëpunuese për zbatimin e programit LEAD Albania, që nga përzgjedhja, trajnimi e deri tek përvoja një vjeçare, në pozicionin e këshilltarit, të pjesëmarrësve të sugjeruar nga programi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani e konsideroi investimin në programin e zhvillimit të Lidershipit, si thelbësor për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit, përmes profesionistëve me njohuri të thella mbi mirëqeverisjen e administratën, njohuri të përfituara edhe nga përvoja direkte në nivelet drejtuese të institucioneve qeverisëse të vendit.

Bashkëdrejtori ekzekutiv i AADF-së, z. Martin Mata nënvizoi se programi LEAD Albania zbatohet suksesshëm prej vitit 2013 duke vendosur çdo vit pjesëmarrës të Programit në kabinetet e institucioneve më të larta të Shqipërisë, të Presidentit, Kryeministrit, Ministrave dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe prej këtij viti nis bashkëpunimi me institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë bëhet i pari nga Institucionet e reja të drejtësisë, që angazhohet të bashkëpunojë për zhvillimin e mëtejshëm të programit LEAD Albania, në funksion të reformës në drejtësi dhe rritjes së kapaciteteve të organeve të reja qeverisëse të sistemit të drejtësisë.